Planet për pushime ndonjëherë dështojnë, siç është rasti i shumë shqiptarëve që kishin organizuar udhetime në disa prej vendeve të Lindjes së Mesme, kryesisht në Dubai. Por gjithcka u pezullua për shkak të luftes në rajon.
“Një pjesë e mirë e fluturimeve janë anuluar. Disa kanë kërkuar rimbursime pasi kanë frikë të udhëtojnë në këto momente, disa të tjerë i kanë shtyrë pushimet për një moment tjetër. Por po shohim që rezervimet kanë mbetur pezull dhe nuk ka shumë kërkesa për momentin për Lindjen e Mesme”, tha Fjorinda Zani, operatore turistike.
Me Abu Dhabin si një nga destinacionet e preferuara për shumë shqiptarë, pesha që ka si kryeqytet i Emirateve të Bashkuara Arabe, por edhe vende të tjera përreth, zënë një pjesë të konsiderueshme të totalit të prenotimeve të turistëve shqiptarë.
“Zënë një pjesë shumë të madhe, pasi rezervimet nga këto vende po shtoheshin. Kjo situatë na prish shumë punë dhe janë ulur si rezervimet, ashtu edhe të ardhurat e biznesit”, shtoi Zani.
Për shkak të rënies së kërkesës, edhe oferta e paketave turistike ka pësuar ndryshime.
“Për momentin çmimet e paketave kanë mbetur pothuajse njësoj, madje në disa raste edhe janë ulur, por njerëzit nuk po interesohen”, tha ajo.
Ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të krijojnë pasiguri, agjencitë turistike presin që shqiptarët këtë sezon të orientohen më shumë drejt destinacioneve europiane, duke lënë përkohësisht pas udhëtimet drejt Gjirit Persik.











