Kombëtarja kuqezi ka ngritur sot peshë zemrat e miliona shqiptarëve në trojet e tyre dhe në mbarë botën.
Humbja me Serbinë nuk do të mbahet mend pas kualifikimit të sotëm qe Shqipëria siguroi për në Kampionatin Evropian.
Shqipëria bëhet kështu ekipi i dytë nga Ballkani, pas Rumanisë, që siguron pjesëmarrjen në ‘Francë 2016’.
Në Jerevan të Armenisë, Shqipëria u nda me rezultatin 3-0 karshi palës pritëse, ndërsa tifozët armenë nisën të braktisnin stadiumin të revoltuar me lojën e dobët të ekipit të tyre.
Ka qenë lojtari armen Kamo Hovhannisyan, i cili ka shënuar autogol në portën e tij në minutën e 9`.
Më pas, pjesa e parë është tronditur nga një tjetër gol i Berat Xhimshitit, ndërsa goli i tretë u shënua në minutën e 76’ nga Armando Sadiku.
Edhe pse në një atmosferë me rreth 300 tifozë kuqezinj, Shqipëria bëri një lojë të shkëlqyer duke i ‘vënë kapak’ pjesëmarrjes në Evropian. Kjo është hera e parë që Kombëtarja Shqiptare e futbollit do të marrë pjesë në një kampionat evropian.