Kombëtarja e Shqipërisë ka arritur kualifikimin historik, shkuarjen në finalet e “Euro 2016”, ndaj çdo lajm tjetër i kësaj periudhe nuk e prish festën kuqezi. As zbritja me katër vende në renditjen e FIFA-s për muajin nëntor 2015. Nëse muajin e shkuar ishim në vendin e 32-të, kësaj here pozicionohemi të 36-t. Interesant është fakti se na ka lënë pas Danimarka, e cila duhet t’i nënshtrohet “play-off”-it të “Euro 2016” për të shkuar në Francë, pasi e humbi “duelin” me kuqezinjtë për vendin e dytë në Grupin I.
Trajneri De Biazi dhe të tijtë do të kenë mundësinë që përmes dy miqësoreve të nëntorit, ndaj Kosovës dhe Gjeorgjisë, t’i rifitojnë pozicionet e humbura. Kjo qasje është konstatuar edhe në muajin e kaluar, para ndeshjeve me Serbinë dhe Armeninë. Renditja mujore e FIFA-s për tetorin i shihte kuqezinjtë e De Biazit minus 7 vende, krahasuar me renditjen e muajit pararendës (shtator 2015). Më konkretisht, nga vendi i 25-të, që mbante në shtator, kombëtarja shqiptare e pa veten në vendin e 32-të.
Shkak për këtë rend zbritës në muajt e fundit sigurisht janë bërë ndeshjet kualifikuese të shtatorit, ku De Biazi dhe të tijtë barazuan në Kopenhagë me Danimarkën dhe humbën në “Elbasan Arena” ndaj Portugalisë, ashtu sikurse ishte humbja me Serbinë në “Elbasan Arena”. Në vendin e parë është Belgjika, ndërsa në vendin e dytë Gjermania, e ndjekur nga Argjentina. Kujtojmë se kulmin e kulmeve në këtë renditje, Shqipëria e pati në muajin gusht 2015, vendin e 22-të në FIFA. Një rekord historik në ranglistën e kombëtareve të gjithë Botës.
Ngjitja e kuqezinjve të De Biazit ishte e konsiderueshme, ndërkohë që pikët e grumbulluara për gushtin kapnin shifrën 888. Këto të fundit ishin të mjaftueshme për ta pozicionuar Shqipërinë në vendin e 22-të të FIFA-s, diçka e paimagjinueshme, jo më e arritshme më parë. Pra, asokohe kombëtarja shqiptare hipi në “ashensor” dhe ngjiti shumë shkallë nga muaji në muaj, çka tregonte për forcën dhe performancën e saj mbresëlënëse në këtë fushatë eliminatoresh. (Telesport)
Dhënia e 3 pikëve të ndeshjes së ndërprerë ndaj Serbisë, 14 tetorin e vitit të kaluar, nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës, i katapultoi kuqezinjtë tanë në prag të ndeshjeve kualifikuese të shtatorit, kundër Danimarkës në Kopenhagë (4 shtator) dhe Portugalisë, në “Elbasan Arena” (më 7 shtator), ku mori vetëm një pikë. Ky produkt u ka kushtuar 7 vende kuqezinjve në renditjen e muajit tetor, dhe kur Shqipëria luajti dy kualifikueset e fundit në grup, në fushatën eliminatore të “Euro 2016”. Sa për histori, vendi i 84-t ka qenë pozicioni më i keq, që ka pasur kombëtarja shqiptare nën drejtimin e Xhani De Biazit. Këtë pozicionim kuqezinjtë e kanë pasur në muajt prill, maj, tetor dhe nëntor 2012.