Për ata që kërkojnë pushime të qeta jashtë vendit, larg mbipopullimit dhe çmimeve të kripura të destinacioneve tradicionale, zgjidhja ideale mund të jetë më afër se sa mendojnë.
Eksperti britanik i udhëtimeve, Rory King, i cili ka vizituar rreth 80 vende të botës, ka sugjeruar ekskluzivisht për “Wales Online” se Shqipëria është një nga perlat europiane që ia vlen me patjetër të vizitohet.
Vetëm tri orë larg Britanisë së Madhe, Shqipëria ofron një alternativë fantastike me plazhe të krahasuara me ato të Maldiveve, por me kosto shumë më të ulëta dhe pa turma turistësh.
Sipas themeluesit të “Rory’s Travel Club”, udhëtimi drejt këtij vendi është tejet i lehtë, mund të fluturohet direkt për në Tiranë, ose të zgjidhet fluturimi drejt Korfuzit, e më pas një udhëtim me varkë prej 20 minutash për të mbërritur në bregdetin shqiptar.
Eksperti britanik e ka cilësuar vendin tonë si “absolutisht të bukur”, duke veçuar ujërat e kristalta bruz dhe rërën e bardhë të Rivierës, plazhet dhe gjiret e paprekura, vreshtat, ujëvarat dhe motin e shkëlqyer.
Përtej vijës bregdetare, Shqipëria tërheq vizitorë edhe përmes dinamikës së kryeqytetit, Tiranës, teleferikut të Dajtit, si dhe shtigjeve përgjatë Alpeve Shqiptare, duke u dhuruar turistëve një përvojë autentike dhe të paharrueshme.
Sipas ekspertit Shqipëria do të bëhet shumë e njohur gjatë dy viteve të ardhshme, ndaj tani mund të jetë momenti më i mirë për ta vizituar këtë vend europian, për sa kohë që mbetet relativisht jo shumë i njohur për turistët dhe me çmime konkurruese.

