• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, August 14, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Editorial

Shqipëria, një vend që dëshpëron

by Lorenc Vangjeli
14/08/2026 11:01
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Lorenc Vangjeli

Eshtë Shqipëria një vend me një shoqëri të mpirë? Një vend, shoqëria e të cilit, kryesisht lajmin e keq e konsumon thjesht dhe vetëm si thashethem të çastit, që pas një çasti harrohet për t´i lënë vendin lajmit të lig/thashethemit të rradhës? Një vend ku dashuria dhe urrejtja, jeta dhe vdekja, e mira dhe e keqja, shpresa dhe mungesa e saj, konsumohen si në një dramë banale, në të cilën kush vjen dhe kush ikën e konsumon atë në vetmi? Eshtë Shqipëria një vend me shoqëri hipokrite? Me moral të përmbysur, me gënjeshtarë që betohen për nder, me të ndershëm të rrallë që konsiderohen budallenj, me budallenj të shumtë që shfaqen si Doktorë Shkencash, me kurvëri që tregtohet si virgjinitet, me historira të turpshme që shpallen të lavdishme? Eshtë sot Shqipëria një trëndafil plot diell Mesdheu ku mbijnë gjëmba pafund Ballkani? Eshtë sot Shqipëria një vend që dëshpëron? Kjo është vetëm një listë e vogël në një listë shumë të gjatë trishtimi që do të helmonte individët e një shoqërie mbi të cilën u eksperimentua kolektiviteti, por mungon komuniteti. Një shoqëri e mpirë nën anestezi që përtyp me shumicë hipokrizi dhe dhembje.

Në dekadën e fundit të viteve 90´, divorci plot fraktura dhe i pakthyeshëm me komunizmin arkaik e feudal shqiptar, të paktën në pamje, i la shqiptarët me flokë të gjatë dhe përgjithësisht të dobët. Ishte ndoshta vendi i vetëm, gjeografikisht evropian, pa obezë. Pa dhjamë në trup, jo për shkak të palestrës dhe jetës së shëndetshme, por për shkak të kequshqyerjes, shqiptarët ishin të uritur për Coca-Cola, për Marlboro, për Mercedes dhe për jastëkë e dysheqe të mbushur me para. Idhulli i tyre ishte refugjati kuban me shenjë në fytyrë i filmit Scarface, njeriu që nisi jetën në Botën e Lirë, i cili nga hiçi dhe u bë milioner. Tony Montana, i luajtur në 1983 nga Al Paçino u bë modeli për shumicën dërmuese të shqiptarëve sepse ai kishte forcë për të bërë keq, raport të çmendur me të mirën, aftësi për të tradhëtuar “miqtë”, kishte gra e seks, drogë dhe mbi të gjitha, kishte para me të cilat mund të blinte seks nga gratë dhe armë për të vrarë miqtë e armiqtë. Të paduruar si ballkanas, gjaknxehtë nga dielli i Mesdheut, shqiptarët e fillimviteve 90´, nuk kishin durimin që të shihnin edhe vetë filmin deri në fund, kur “i keqi” Al Paçino, do të bëhej si shoshë cigani nga plumbat që do të merrte në trup. Një epilog logjik i historive të tilla, në një botë të rrëmujshme ku gjithçka nuk zhduket, por kompesohet, ku nuk ka krim pa ndëshkim, ku nuk ka lumturi pa fatkeqësi. Një përfytyrim i një çasti të vetëm: një emigrant shqiptar që sa ka lënë atdheun. 20 vjeç në vitet 90´. Pa asnjë qindarkë në xhep. Që endet anash vitrinave vezulluese të Perëndimit. Uturimat e makinave i ngjajnë simfoni muzikore. Vajzat e bukura të cilat i kishte parë vetëm në ekranet bardhezi të filmave të RAI-t apo stacioneve jugosllave, janë të gjitha të vërteta, ecin në krah të tyre dhe ata u marrin me vete imazhin në fjetoret me shumë vetë ku masturbohen me rradhë, pa turp e në sy të njëri-tjetrit. Ata, me fare pak përjashtime nuk kanë bërë kurrë seks më parë, ato janë të gjitha pa përjashtim të depiluara. Ato nuk kanë mustaqe si nënat në atdhe dhe këmbët i kanë të lëmuara. Madje kanë edhe aroma trallisëse parfumesh, ndërsa ata kanë ende në veshë zhurmën e dushit me vajguri të ritualit të së shtunës kur laheshin me sapun të zi Rogozhine. Gjithçka ishte kaq pranë për ta, por ishte kaq larg.

Në shtëpi i prisnin shokët dhe familjarët të cilët në fillim i gënjenin për jetën që bënin në Eldoradon evropiane, pastaj ju duhej të jepnin prova se edhe ata ishin pjesë e saj. Të guximshmit, pastaj, u shenjuan nga fati si Tony Montana. Sepse është në natyrën njerëzore që vesi të trajtohet me interesant se virtyti, pavarësisht se ka jetë të shkurtër. Ndaj shumëkush ju nënshtrua vesit me shpirtshitjen tek djalli me atë mendjelehtësinë tipike ballkanase “të dalë ku të dalë!”. Shumë nga ta sot janë nën dhe´, trupshpuar si idhulli i tyre kubanez, dergjen burgjeve apo dhe më keq akoma: vijnë vërdallë nëpër Tiranë si njerëz të nderuar sepse të varfërit e shumtë ju adhurojnë portofolin. Janë kudo. Në biznes dhe politikë, tashmë si model i suksesit të rremë që ka krijuar si ikonë shqiptari i zakonshëm. Të jesh i varfër sot është krim. Në këtë kuptim, ajo armatë e pafundme shqiptarësh që jetojnë keq dhe shumë keq, pensionistë dhe arsimtarë, të rinj të papunë dhe minatorë të uritur, militantë të zhgënjyer dhe banditë të vegjël, është një armatë “kriminelësh”. Sepse Shqipëria është një vend i dëshpëruar. I eksperimentuan kolektivizimin, por nuk e lanë të provonte shijen e komunitetit, e gënjyen me teatrin e përgjakur të komunizmit, por po e detyrojnë të jetojnë sërish nën komunizmin feudal, ku gjithësecili është vetëm një gur në piramidën e ngritur vetëm me një kriter: ke para, je i mirë, nuk ke para je i paaftë!

Pothuaj 30 vjet mbasi doli në ekran, tek shenja e Tony Montanës është ende njeriu i ri shqiptar që edhe nëse nuk i dorëzohet mëkatit, në shumicën dërmuese të rasteve e bën nga pamundësia, por jo se nuk e ka ëndërruar ta bëjë. Jo se nuk do ta bënte në rastin më të parë që do t´i paraqitej. Sot, shqiptarët i kanë pothuaj të gjitha. Që nga Coca-Cola, Marlboro, Mercedesat, vizat e liberalizuara për në Evropë dhe Tony Montanat e tyre. Janë dhe obezë. Si një shenjë idiote e lumturisë, si një simbol i statusit të suksesit. Edhe kur bëjnë palestër që të largojnë dhjamin, edhe kur hanë si të limaksur për të vënë dhjamë që pastaj ta heqin me palestër. Njëlloj si qeveritë që kanë pasur në këto 20 vjet, në të cilat gjeje si rregull dhe jo si përjashtim “emigrantë” kubanezë që në një moment të caktuar e gjenin veten në majë të piramidës së krimit. Kjo është fatkeqësia e këtij vendi, qeveritë që e kanë mbajtur këtë vend në anestezi. Si komunistët dje, si “pluralistët” sot.

Shënim:

Ky është një editorial i botuar ekzaktësisht 15 vjet më parë. Kjo kohë që në jetën e një shoqërie zgjat vetëm sa një hapjembyllje sysh, për individin është gati një përjetësi. Ka ndryshuar Shqipëria në këto vite? Në formë padyshim që po! Në thelb ka trashëguar të njëjtat probleme në kodin gjenetik të shkruar kaq keq në demokracinë e frakturuar shqiptare.

Next Post
Autostrada Tiranë-Durrës drejt kategorisë A! Zgjerohet në 4 korsi, ndryshon limiti i shpejtësisë

Kufizohet sot dhe nesër qarkullimi në autostradën Tiranë-Durrës, ja orari

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Berisha dha 700 pasaporta diplomatike para largimit në ’97. Pajisi edhe krushqit, kunatin dhe të birin

Berisha dha 700 pasaporta diplomatike para largimit në ’97. Pajisi edhe krushqit, kunatin dhe të birin

August 14, 2026
Kroacia “digjet” nga zjarret, 36 persona të plagosur

Kroacia “digjet” nga zjarret, 36 persona të plagosur

August 14, 2026
Mblidhet Këshilli Bashkiak i Selenicës, Bellaj kundër bashkimit me Vlorën: Duhet të mbetemi të pavarur

Mblidhet Këshilli Bashkiak i Selenicës, Bellaj kundër bashkimit me Vlorën: Duhet të mbetemi të pavarur

August 14, 2026
Fluks aplikimesh për ID dhe pasaporta, punohet edhe gjatë ditëve të shtuna

Shqiptarët pa viza drejt Marokut, vendimi hyn në fuqi më 15 gusht

August 14, 2026
Banorët denoncuan bllokimin, IKMT liron burimin dhe kanalin e ujitjes së tokave në Librazhd

Banorët denoncuan bllokimin, IKMT liron burimin dhe kanalin e ujitjes së tokave në Librazhd

August 14, 2026
Euro vijon rënien në nivele historike! Leku i fortë edhe përballë monedhave të tjera

Euro vijon rënien në nivele historike! Leku i fortë edhe përballë monedhave të tjera

August 14, 2026
PDK shkon në Kuvend, Hamza: Kurti po mban peng shtetin e Kosovës, kërkojmë zbatimin e kushtetutës

PDK shkon në Kuvend, Hamza: Kurti po mban peng shtetin e Kosovës, kërkojmë zbatimin e kushtetutës

August 14, 2026
Ndreca sulmon KLP-në pas shtyrjes së seancës: Po bëhet palë me paligjshmërinë, Veliaj nuk paraqitet për shkak të “kafazit të xhamtë”

Gjyqi i nënës amerikane transmetohet live, Ndreca: Në Shqipëri mbyllim drejtësinë në emër të privatësisë

August 14, 2026
Dy zjarrfikës humbën jetën nga flakët në Francë, një 15-vjeçar përballet me akuza

Dy zjarrfikës humbën jetën nga flakët në Francë, një 15-vjeçar përballet me akuza

August 14, 2026
Tiranë/ “Momenti” godet dy të rinjtë, kapen në flagrancë gjatë shitblerjes së drogës

Tiranë/ “Momenti” godet dy të rinjtë, kapen në flagrancë gjatë shitblerjes së drogës

August 14, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com