Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro prezantuan sot, 10 tetor, raportin e OECD për rezultatet e TALIS, Anketës Ndërkombëtare të Mësimdhënies dhe të Nxënit, ku Shqipëria renditet ndër vendet e para.
“Mësuesit tanë kanë dalë mirë dhe patjetër që kjo është në radhë të parë meritë e tyre, por nga ana tjetër është një pasqyrë e përpjekjes që kemi bërë sëbashku”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare, referuar raportit.
“Mesatarja e mësuesve tanë që kanë lidhje me përdorimin e teknologjisë është më e lartë se sa mesatarja e të gjithë sistemeve të marra sëbashku në këtë anketim”, tha Rama.
85% e mësuesve në vend e kanë zgjedhur mësimdhënien, sipas anketimit.
“Mësuesit tanë rezultojnë të kënaqur me profesionin e tyre”, shtoi kryeministri.
“Keni nderuar Shqipërinë në këtë proces. Nuk dua të hyj në sa gjëra kemi bërë apo po bëjmë, por na duhen edhe disa hapa të tjerë, duke nisur nga reforma kurrikulare për arsimin parauniversitar që natyrisht lidhet me ju dhe garantohet përmes ndërveprimit me ju. Theksi i fortë që do i vëmë gjithmonë e më shumë shkencës, teknologjisë, me një mirëkuptim të madh që të nxisim më shumë inxhinierinë dhe matematikën dhe të integrojmë sa më shumë Inteligjencën Artificiale në mësim”, iu drejtua Rama mësuesve në vend.
“Sot jeni të paprekshëm në vendin e punës“
“Rivënia në vend e autoritetit të mësuesit është sfidë e madhe, një autoritet që e gjetëm shumë të lënduar nga sistemi, që s’kishin asnjë garanci për vendin e punës, garanci për asgjë dhe të gjitha i kishin të lidhura me partinë apo lidhje të një natyre tjetër.
Sot është praktikë e konsoliduar që ju jeni të paprekshëm në vendin tuaj të punës pavarësisht, bindjeve politike. Nuk ka më lëvizje mësuesish nga një vend në tjetrin, tanimë të ligjëruar nga Parlamenti përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”, ku secili vendos kandidaturën dhe pastaj sipas meritës vlerësohet”, deklaroi kryeministri.
“Çerrat sot me shokun në xhep, u dukemi pa lidhje”
Nuk munguan ironitë për brezin e ri, që sipas tij janë shumë të ekspozuar ndaj informacionit.
“Besoj mund të përballeni me gjithë ata çerrat që janë një gjë komplet tjetër nga ajo që kemi qenë ne, apo ju që jeni më të rinj se unë, se koha kalon dhe nga ajo kohë kur unë kërkoja në salla bashkëmoshatarë si puna ime, tani ka ardhur koha që kërkoj nëpër sallë ndonjë bashkëvuajtës si puna ime që numëron fijet e flokëve që ju ka humbur edhe ngjyra.
Sa u përket juve, krahasimi me çerrat sot është shumë i vështirë sepse ata kanë informacion shumë më tepër, por shumë më të pakontrolluar dhe të paorientuar. Vijnë në shkollë me një shok në xhep që e fshehin si të munden, sa dalin, me atë shokun fillojnë e bëjnë një jetë tjetër. Se ai shoku u thotë që ne jemi të gjithë pa lidhje! Nerva të forta, shëndet dhe motivim”, e mbylli Rama fjalën e tij.











