Shqipëria vijon të përballet me një verë të vështirë teksa dhjetëra vatra zjarri kanë përfshirë territorin gjatë javëve të fundit. Ndonëse efektivët e forcave zjarrfikëse dhe ato të Forcave të Armatosura kanë qenë në terren, situata mbetet e rrezikshme dhe dinamike për shkak të temperaturave të larta dhe erës që favorizon përhapjen e flakëve.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 37 vatra aktive zjarri në gjithë vendin, përfshirë qarqet Vlorë, Dibër, Berat, Tiranë, Gjirokastër, Elbasan, Shkodër, Kukës, Korçë dhe Lezhë.
Në Gramsh u shënua edhe viktima e parë këtë sezon zjarresh, ku një i moshuar humbi jetën nga asfiksimi.
Rama: Situata e përmirësuar falë sakrificave, neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjete sociale këtë të enjte, duke falënderuar strukturat në terren për sakrificat dhe përkushtimin në përballimin e kësaj situate emergjente. Ai theksoi se situata është përmirësuar falë punës së jashtëzakonshme në terren, por paralajmëroi për rreziqe të vazhdueshme, ndërsa nuk ngurroi të bënte dhe një kritikë për reagimet mediatike.
“MIRËMËNGJES dhe me një tjetër ditë gatishmërie të lartë e përpjekjesh të përbashkëta, përballë një situate të përmirësuar falë mundimesh e sakrificash të admirueshme por me rreziqe e të papritura në çdo çast; me neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre të krehjes para pasqyrave mediatike, teksa në tërë Europën Jugore digjen në flakë mijëra vatra zjarri nga Spanja e deri në Turqi, ju uroj një ditë sa më të qetë të gjithëve.”, shkroi Rama.
Ditën e djeshme ai tha se ishte “Një ditë sakrifice dhe krenarie për të gjitha strukturat shtetërore, që vijojnë pa ndërprerje përpjekjet në terren për shuarjen e flakëve në të gjithë vendin.”
Rrëfimi nga Gramshi: “Mundi i 35 viteve më është djegur”
Një nga rrëfimet më prekëse vjen pikërisht nga fshati Skënderbegas në Gramsh, ku dhjetëra shtëpi dhe hektarë të tërë me vreshta, ullinj dhe ara janë djegur plotësisht.
Çlirim Çoniku, banor i zonës, i cili refuzoi të largohej nga prona gjatë evakuimeve, rrëfen humbjen e gjithçkaje që kishte ndërtuar për 35 vite.
“Mos i ndodhtë asnjërit, askund, mos pafshim asnjëherë gjëra të tilla”, tha Çoniku. Ai shtoi: “S’e mbajta dot objektin, punën time 35-vjeçare. Mundi im e djersa ime e 35 viteve. Zoti më dha fuqi që kam ruajtur vetëm shtëpinë për të fjetur gjumë”.
65-vjeçari tregon se nuk pranoi të largohej nga prona e tij, pasi autoritetet dhanë urdhër për evakuim, sepse donte të mbronte shtëpinë dhe bagëtitë.
“Janë rrafshuar 100% të gjitha prodhimet, arat, ullinjtë, vreshtat… vetëm qeni ka shpëtuar. Vajta ia zgjidha zinxhirin dhe erdhi pas meje nga frika. Nuk ndahej pas meje qeni”, tha Çoniku.
Gruaja e tij, Manushaqja, që u evakuua nga forcat zjarrfikëse, thotë se është e lumtur që bashkëshorti i shpëtoi gjallë: “Për mallin nuk dua ta di, se punoj dhe e bëj prapë.”
Situata në Gramsh drejt përmirësimit
Pas një nate dramatike në Gramsh, situata është normalizuar në disa fshatra, por në njësinë Skënderbegas vatrat e zjarrit ende vijojnë. Të paktën sipas raportimeve të ditës së djeshme, 39 shtëpi janë djegur, dhe dëmet janë të mëdha edhe në bagëti, bujqësi dhe masive pyjore.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu deklaroi se Shqipëria ka përfituar ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile. Në operacion janë angazhuar mjete dhe avionë nga Turqia, Greqia, Sllovakia dhe Çekia.
“Nuk kemi pasur kurrë kaq shumë mjete ajrore të dedikuara për zjarret. Më vjen mirë që jemi të integruar në Mekanizmin Evropian. Kjo vihet re edhe kur janë vendet e tjera në flakë kanë ardhur dhe na kanë ndihmuar. Avionët janë duke u blerë. Ata duhet të prodhohen, është një proces që kërkon kohë. I keni shifrat në buxhet, nuk kemi bërë disbursime pasi nuk kemi lidhur kontratë”, tha Vengu.
Ambasada e Greqisë në Tiranë gjithashtu reagoi me një mesazh solidariteti.
“Në shenjë bashkëpunimi dhe solidariteti, Greqia kontribuon, brenda kapaciteteve të saj, në përpjekjet për shuarjen e zjarreve me mjete ajrore zjarrfikëse, si përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ashtu edhe në kuadër të bashkëpunimit dypalësh. Ne jemi pranë popullit shqiptar“, thuhet në postimin e publikuar në faqen zyrtare.
Ministria e Brendshme raportoi se janë arrestuar 10 persona dhe proceduar 4 të tjerë gjatë 24 orëve të fundit për zjarrvënie të qëllimshme ose nga pakujdesia. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka aktivizuar të gjitha strukturat e emergjencës për të ndihmuar banorët në zonat e rrezikuara.
Pavarësisht përmirësimit të situatës në disa zona, autoritetet paralajmërojnë se rreziku nuk ka kaluar, ndërsa temperaturat mbeten të larta dhe era e fortë rrezikon përhapje të mëtejshme të flakëve.











