Një financim nga Bashkia e Tiranës dhe asistuar nga Ambasada jonë në Beograd, e plotëson Shkollën Fillore të Bujanocit me një sallë sportive. Në dukje, një gjë e thjeshtë, por nga ato hapat që Shqipëria po i hedh me kujdes në drejtim të bashkatdhetarëve të saj në Luginën e Preshevës për t’i asistuar në përditshmërinë e tyre.

Ambasadori Bardhyl Canaj mori pjesë ditën e Martë në ceremoninë e inaugurimit të projektit për ndërtimin e sallës së sportit në Shkollën Fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc. Një investim që ndihmon në përmirësimin e kushteve për nxënësit, zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës arsimore dhe fuqizimin e rinisë në këtë komunë.

Projekti, me vlerë 550,000 euro, i financuar nga Bashkia e Tiranës dhe mbështetur nga Këshilli Bashkiak i Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, Drejtoren Ekzekutive të Unionit të Bashkive Shqiptare të Rajonit, Adriola Kambo, dhe Kryetarin e Komunës në Bujanoc, Arbër Pajaziti, përfaqëson një dëshmi konkrete të solidaritetit dhe përkushtimit institucional për të ardhmen e të rinjve në Bujanoc.

Ky hap simbolizon një investimin në arsim dhe sport si shtylla të zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të këtij komuniteti.











