Shqipëria renditet në vendin e 23-të mes 98 vendeve të analizuara nga Numbeo për indeksin e ndotjes akustike. Indeksi i përgjithshëm i ndotjes për vitin 2018 rezultoi 75.21 ndërkohë që indeksi i kombinuar i dy ekstremeve, pra shkallës më të lartë të ndotjes akustike dhe asaj më të ulët ka dhënë një rezultat prej 130.4. Nga vendet e rajonit vetëm Maqedonia ka një ndotje akustike më të lartë që e rendit atë në vendin e 12 ndërsa pjesa tjetër janë dukshëm më mirë sesa ne.
Rekordin e ndotjes akustike sipas Numbeo e mban Birmania, indeksi i së cilës regjistroi 93.03, kurse kombinimi i ekstremeve dha një indeks prej 170.73. Vendi me ndotjen më të ulët akustike është Finlanda e cila sipas indeksit të 2018 renditet e 98-a me një vlerësim prej 12.07 dhe me një kombinim të ekstremeve prej 22.87.
Ndotja akustike nga trafiku dhe boritë
Ka një Kod të pashkruar mes shoferëve shqiptarë. Boria!! Nëse dikush hyn gabim dëgjon një simfoni borish që e shoqërojnë, nëse kërkon të të japë prioritet sërish është një bori për miratim, e njëjta edhe nëse është hapur drita e gjelbër e semaforit. E në këtë kaos trafiku, ajo që mendohet e fundit është “kontributi” në ndotjen akustike që shkaktohet në qytet. Por boritë janë vetëm njëri prej elementëve që e shkakton këtë zhurmë.
Të dhënat zyrtare të të Institutit të Shëndetit Publik dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, tregojnë se ndotja akustike urbane në kryeqytet arrin në vlerën e 70 decibel ditën dhe 57 natën, pra rreth 20 decibel më e lartë se standardi i normave të Bashkimit Europian për nivelin kufi të ndotjes akustike.
Projekti “Pa zhurmë”
E ndërsa eliminimi i plotë i ndotjes akustike është një ambicie që shkon përtej mundësive, reduktimi gradual përmes nismave të ndryshme mund të japë një kontribut pozitiv. Një nismë e tillë është edhe ajo “Pa zhurmë” që synon të advokojë pranë Bashkisë së Tiranës për të minimizuar përdorimin e borisë nga mjetet e transportit publik. I njëjti projekt synon që të lobojë që kontrata dhe dhënia e licencës të jetë me kushtin e përdorimit të borisë elektronike dhe jo asaj me ajër për të gjitha kompanitë e transportit publik.
Sipas ligjit nr.9774, datë 12.07.2007 është bashkia ajo që harton dhe zbaton plane vendore për reduktimin e zhurmave si dhe shpall zonat e qeta nëpërmjet akteve nënligjore. Po kështu ajo u kërkon personave fizikë dhe juridikë marrjen e masave parandaluese për të respektuar kufirin minimal të zhurmave në zonat urbane. Por realiteti sot tregon se kjo është një kompetencë e pa ushtuar nga ana e vendorëve sidomos pjesën e trafikut dhe përdorimit të borive në kryqëzime dhe vende pa sinjalistikë të rregulluar.
Projekti synon përfshirjen e qytetarëve të Tiranës nëpërmjet hartimit të një dokumenti politikash dhe një fushate ndërgjegjesuese në nismën për të zëvendësuar boritë me ajër me ato elektrike./monitor/a.m.