Rreth 1.2 milionë persona nga e gjithë bota morën pjesë në testimin ndërkombëtar të IQ-së, i zhvilluar në dhjetëra shtete, për të matur nivelin mesatar të inteligjencës sipas vendeve.
Sipas të dhënave të publikuara nga International IQ Test, Shqipëria renditet në vendin e 19-të nga 137 shtete, me një mesatare prej 101 pikësh, rreth 4 pikë më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Ky rezultat e pozicionon vendin tonë si shtetin me IQ-në më të lartë në Ballkan.
Pas Shqipërisë, Serbia renditet e 32-ta me 99.8 pikë, Maqedonia e Veriut në vendin e 45-të, Mali i Zi në të 51-tin, ndërsa Bosnje & Hercegovina mbyll listën e rajonit në vendin e 67-të.
Renditja globale
Vendet aziatike dominojnë listën e IQ-së më të lartë. Koreja e Jugut mban vendin e parë, e ndjekur nga Kina dhe Japonia, të njohura për investimet në arsim, teknologji dhe kërkim shkencor.
Në Evropë, rezultatet më të larta regjistrohen nga Rusia dhe Spanja.
Në fund të renditjes globale ndodhen disa shtete të Afrikës dhe Azisë Juglindore, ku mesatarja e IQ-së është më e ulët. Ruanda, Timor Leste dhe Somalia renditen në fund të listës, një situatë që lidhet me faktorë si varfëria, qasja e kufizuar në arsim, konfliktet dhe mungesa e investimeve në shëndetësi dhe zhvillim social.











