Këtë vit mbushen plot 85 vjet nga krijimi i Federatës Shqiptare të Futbollit në vitin 1930, kur Mbreti Zog firmoste dekretin për themelimin e Federatës Sportive, pjesë eparë e të cilës u bë FSHF, e cila në po atë vit organizoi edhe kampionatin e parë kombëtar të futbollit.
Historia e Federatës Shqiptare të Futbollit vazhdon në vitin 1932 me anëtarësimin e saj në FIFA, ku i jepej e drejta për organizime të futbollit botëror dhe ku pas kësaj date janë organizuar dhe luajtur shumë ndeshje futbolli në rang kombëtar dhe ndërkombëtar.
Në vitin 1945 krijohet Ekipi Kombëtar Shqiptar, i cili një vit më vonë luan dhe fiton Lojërat Ballkanike. Shqipëria është një nga anëtaret themeluese të UEFA-s duke u bërë pjesë që në fillimet e saj në 1954.
Pjesëmarrja e parë zyrtare e Ekipit Kombëtar Shqiptar ishte në eliminatoret e Europianit 1964, ndërsa në 1965 merr pjesë për herë të parë në eliminatoret e Kampionatit Botëror të Anglisë.
Deri në vitet 1980, pjesëmarrja e kombëtares shqiptare nuk ka qenë e rregullt në eliminatoret e Europianit apo Botërorit, por vetëm prej ’82 e në vazhdim, Shqipëria ka arritur të jetë pjesëmarrësee rregullt në eliminatore.Në vitin 1992 FSHF nis të funksionojë si një shoqatë e pavarur e bazuar në statutin esaj, mbledh Asamblenë, zgjedh Komitetin Ekzekutiv dhe Presidentin.
Nga kjo periudhë dhe deri në ditët e sotme, FSHF është shndërruar në një institucion modern, ndërtuar sipas parimeve të FIFA-s, UEFA-s dhe organizmave të tjera të rëndesishme sportive. “E veçanta e pullës së emetuar në kujtim të këtij përvjetori është se ajo përkon pikërisht me ditën e zhvillimit të ndeshjes historike Shqipëri-Serbi në datën 8 tetor 2015 në Elbasan Arena, ku dy ekipet luajnë për tu kualifikuar në Euro 2016.
Ashtu sikurse të gjithë shqiptarët anembanë botës edhe Posta Shqiptare nëpërmjet kësaj pulle simbolike, uron ta shohë ekipin tonë kombëtar të kualifikuar në Kampionatin Europian” thuhet në njoftimin e PSH.