Shporta me fiq dhe…miqtë
-Të parët që e braktisin vaporrin e mbytur, janë minjtë.
Kapitenët hidhen të fundit ose mbyten me të.
Nga Naun Kule
Dhjetor, 1990…!
Shporta po zbrazet…Miqtë po ikin; ca me vrap e ca më ngadalë. Ca e ca edhe të zhgënjyer nga padrejtësitë..?
Të tjerë të përvëluar nga nostalgjia e të shkuarës kur shporta, (Eh, çfarë shporte ..!, ishte plot. Asgjë s’po na çudit më.
As dorëzimi i teserave të partisë nga disa të përkushtuar dhe militantë të ppsh-së…As prej atyre të cilët, pasi hetuan me javë e muaj nga do prirej barra e samarit, kalëruan mbi kuaj të rinj dhe morën revan-shin… Po për ku? Ku t’u dalë hesapi.
Tërë jetën hesapit i kanë shërbyer. Veçse tani, duhen ndërruar kuajt… Tani që grazhdet janë shtuar dhe kullota është e bollëshme, gjynah të bësh sehir e të mos zgjedhësh.
Ndaj miqtë po nxitojnë përsëri. Siç kanë nxituar vite të shkuara, gjithënjë drejt shportës me…fiq! Ju kujtohen ca intelektualë dhe kuadro të besueshëm që luteshin e ankoheshin nëpër mbledhje dhe deri në forumet e larta të partisë-shtet, ku denonconin me argument të pakundërshtueshme padrejtësinë e madhe që po u bëhej duke e vonuar hyrjen e tyre na radhët e partisë së punës ?
Dhe partia-shtet, tek i shihte aq të përkushtuar ndaj idealit komunist, aq të vendosur, me konseguencë dhe sakrificë, nuk mund të mos mallëngjehej nga gjithë ky devocion dhe, i merrte në gjirin e saj, u hapte udhën si kuadro me përspektivë…
Dhe atëherë, mes duartrokitjeve dhe pas gostirave, fillonte revan-shi.
Paçka se jo rrallë ky revansh paraprihej nga një kalvar i tejlodhshëm i punës gjoja prodhuese, këta idealistë të përvëluar të rrugës komuniste, i merrnin në sy të gjitha vështirësitë dhe ia dilnin të fitonin…! Se… hamendej që fitimi ishte brenda; e kishte vet partia shtet. Shporta qe e madhe dhe pehlivanë si këta kishin dhe gjenin të hanin dhe të zgjidhnin…
Atëhere…!? tek i shihje të luteshin dhe përgjëroheshin për bëmat e ardhëshme si besnikë të ppsh-së, thoshje me vete:
-Ja, ka edhe njerëz që i janë kushtuar një ideali në jetë, që kanë një bindje dhe sakrifikojnë për të..Hallall..!
Po sot ? Eh, kjo puna e shportës me fiq; qënka e lodhëshme. Prap i shoh tek vrapojnë. Po,po! Janë po ata…veçse me kuaj të tjerë. Prap i kanë ndërruar. Ç’t’i bësh? Fajin e ka shporta. Apo fiqtë që ndërrojnë shportë? Duke soditur tipa dhe karaktere të tillë të thyer, nuk mund të mos hidhërohesh deri në dhimbje, e zhgënjim. Kjo sepse tjetër gjë prisje dhe tjetër gjen tek këta…?
Nuk mund të mendosh, gjithashtu pa dhimbje, se sa afër dhe njëherësh sa larg, qënkan interesat nga idealet e njeriut. Se si në jetën dhe bëmat e njeriut ato ngatërrohen aq shumë mes tyre sa jo rrallë ia zenë vendin njeri tjetrit. Zëvendësojnë kështu synimin dhe aspiracionin madhor të jetës me ca interesa meskine apo një post e kolltuk..?!
Janë disa nga këta intelektualë dhe ishkuadro besnikë të ppsh-së, të cilët, ende sot e përjetojnë, madje edhe e demonstrojnë këtë metamorfozë. Ndonëse në pamje të parë ajo duket se kushtëzohet nga ndryshime botkuptimore, në të vërtetë janë interesat ato që vendosin.. Njerëz te tillë dyfaqësh, asnjëherë nuk i kanë përkitur a shërbyer një botkuptimi a ideali të caktuar.
Ata vrapuan drejt partisë që u ofronte ofiqe dhe karrierë. Sapo ajo nuk ua siguron ato, e lenë. Dhe vrapi vazhdon, sigurisht me kuaj të tjerë, për “grazhde” të rinj…
Tek i sheh, nuk mund të mos pëshpëritësh pleqërisht se “Ai që le të parën për një të dytë, fare lehtë,e le të dytën për një të tretë…”. Pra ua pafshin hajrin (siç ia kemi parë gjer më sot…!), kushdo që i ka futur në radhët e veta. Më keq akoma për ata që i kanë vënë në krye dhe u shkojnë pas. Madje i duartrokasin edhe kur përmbysin kokëposhtë ato që thanë dje më moton e njohur të Nolit “Fryn bulçit e trumbeton/ Se katrani zbardhëllon..!”
Gjithësesi, partitë i bënë populli dhe, herët a vonë, do t’i njoh dhe do t’ua nxjerrë “kallajin”
Është koha e rivlerësimeve. Pret rivlerësim e djeshmja dhe e sotmja; bëmat dhe autorët e tyre. Dhe, në kapërxyej të tillë kohorë si ky që po kalojmë, rivlerësimi është ligj zhvillimi, është kërkesë e historisë. Këtij ligji nuk i shpëtojnë dot as ata që mendohen në darkë se me kë dhe kundër kujt do bashkohen të nesërmen duke kthyer gunën nga fryn era…
Të parët që e braktisin vaporrin e mbytur, dihet; janë minjtë. Kapitenët hidhen të fundit ose mbyten me të..
Po sot, nuk është fjala as për anije të mbytur, as për det të keq. Fjala është për dallgë e stërkala përmes të cilave “anija” duhet nxjerrë doemos në bregun tjetër me luftë dhe përpjekje të të gjithë ekuipazhit..!











