Nga Jakin Marena
Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ia bëri të qartë kreut të PD Lulzim Basha por dhe demokratëve, se duhet të ndahen njëherë e mirë nga Sali Berisha.
Madje sa më shpejt që të jetë e mundur duke lënë për të kuptuar se për ish kryeministrin demokrat vendimi për ta shpallur “non grata” në SHBA, duhet të shoqërohet me shpalljen “non grata” dhe në politikën shqiptare.
Dhe në atë që Yuri Kim e quan ironi historike, ajo sugjeron që PD, forca e parë anti-komuniste në vend, “të mos hajë bar” për interesat e një njeriu të vetëm, pra Berishës, pikërisht në sensin e largimit të ish kryeministrit të PD nga politika “godiste”. Duke risjellë në kujtesë Enver Hoxhën!
Fabula e Kim duket se lidhet me kërkesën e përsëritur të ndërkombëtarëve që PD në opozitë të ndjekë rrugën institucionale parlamentare dhe jo si në të shkuarën, të bojkotojë parlamentin dhe të bëjë protesta të dhunshme në rrugë.
“PD ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm, për ta nxjerrë këtë vend nga komunizmi, për ta çliruar nga diktatura.
Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu”, deklaroi Yuri Kim.
Një referencë kjo për ish-kreun demokratëve Sali Berisha, të cilit ndjekësit i referohen shpesh si “lideri historik” por që amerikanët e kanë shpallur “person të përfshirë në korrupsion madhor”!
Por kush në PD mund të marrë vendim për largimin e Sali Berishës nga politika?
Dilemat janë tepër të mëdha. Pasi vetë Berisha në disa dalje për mediat, menjëherë pas deklaratës së ambasadores së SHBA ka këmbëngulur se mezi pret që të vijë shtatori dhe të shkojë në Parlament.
Duke sfiduar SHBA, por dhe Bashën, për të cilin thotë se pas takimit me Kim kishte biseduar me të në telefon por nuk ia kishte përmendur kërkesën e Kim që PD të shkëputet njëherë e mirë nga ish lideri historik i saj.
Pavarësisht se për fatin e mirë të shqiptarëve ambasadorët e SHBA dhe të BE kanë nisur të “flasin” shqip pa lënë anjë dilemë për diskutim, Berisha bën sikur nuk e ka kuptuar mesazhin. Madje akuzon Edi Ramën dhe Soros se i kanë bërë gjëmën në Amerikë duke ndikuar që të shpallet person “non grata”!
Se si mund të ndikojë Edi Rama mbi DASH vetëm një mendje si e Berishës mund ta mendojë, dhe mendje të tjera të ithtarëve rreth tij mund ta “përtypin” dhe ta marrin si të vërtetë.
Madje një ndër analistët afër tij, përpos akuzave ndaj ambasadores amerikane për kërkesën e saj që Berisha të ndahet në PD, hodhi dhe lajmin se po gadasin hallkën më të dobët në PD: Lulzim Bashën që ta marrë përsipër këtë ndërmarrje në partinë më të madhe opozitare.
Po mund të guxojë Lulzim Basha të dalë kundër Berishës, “atit” të tij politik dhe ti thotë të tërhiqet nga drejtimi i PD dhe politika, madje të mos marrë as mandatin e deputetit?
Askush nuk e beson. Dhe këtë e përforcon më shumë dhe vetë Berisha, teksa pikërisht ditën e sotme del me paralajmërimin se sikur një demokrat të mbetet në PD, ai do të jetë i dyti. Pra fatin politik të tij, hallet personale të tij dhe të familjes, i ka njehsuar me fatin e PD.
Eshtë kriminale do të thotë dikush për këtë strategji të rëndë në kurriz të PD nga ana e Berishës?! Kriminale është por, Berisha dhe familja e tij janë në hall.
Ish kryeministri të gjitha veprimet, ligjet dhe vendimet qeveritare, por dhe kapjen me “thonj” pas politikës dhe drejtimin real të PD nuk e ka bërë për vete, e ka bërë për familjen e tij. Për të mbrojtur pasurinë dhe vetë ata nga përballja me drejtësinë duke përdorur si mburojë PD-në.
E cila tashmë është kthyer si një repart ushtarak, ku askush, përpos disa zërave të veçuar, nuk atakon Berishën, por kërkojnë nga Basha që të veprojë dhe të ngrejë partinë, të rregullojë marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në. Duke pasur dhe Berishën në “brenda”, madje në krye.
Po kërkohet diçka e pamundur nga Lulzim Basha. I cili na kujton atë anektodën e vjetër të shqiptarit të thjeshtë, djali i të cilit i thotë të atit: “Babë, e kapa hajdutin. Mirë mor bir sille këtu dhe ta dënojmë. Unë dua, por nuk më lëshon ai”.
Gjithë fabula në PD është se Lulzim Basha është i kapur “rob” nga Sali Berisha. Ndonëse tashmë kreu i PD ashtu sikurse bëri me bamirësin e tij holandez, duke mos pasur asnjë nevoje për Berishën, do të dëshironte ta dëbonte nga PD një minutë e më parë.
E vërteta është se Berisha nuk e “lëshon” Bashën, e ka zënë “rob”! Jo se e vret ndërgjegjia Bashën që të shprehë mosmirënjohjen për të gjitha të mirat që i ka bërë, që nga thirrja nga Kosova dhe katapultimi direkt në lidershipin e PD, dhënia e posteve kryesore ministrore në 8 vite qeverisje të PD, dhënien e drejtimit të bashkisë së Tiranës dhe në fund dhënien e drejtimit të PD. Basha nuk ka skrupuj në këtë drejtim, shitjen e miqve e ka “asetin” më të vyer të tij.
Problemi është se Berisha ka vepruar gjithnjë me duart e të tjerëve. Në aferën 230 milionë euro të Rrugës së Kombit, firma është e Lulzim Bashës, ish ministër i Transporteve. Ka shkuar para drejtësisë për këtë aferë, dhe pavarësisht se e ka mbyllur me procedurë, përmes raporteve mjekësore dhe lëvizjeve jashtë vendit, një element i ri në akuzë, e rihap sërish çështjen. Nuk ka me Adriatik Llallë qe ti vije ne ndihme!
Po ashtu dhe për shitjen e detit Greqisë, ku në një vend normal me një drejtësi normale, duhej të ishte marrë për bazë tashmë vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e rrëzoi këtë marrëveshje si antikushtetuese dhe që kishte cënuar tërësinë territoriale të vendit, dhe për pasojë ish ministri i Jashtëm i asaj kohe, pra Lulzim Basha, duhet të ishte përballur me drejtësinë me kohë.
Shtuar këtu dhe vrasjen e 4 demonstruesve të opozitës me duar në xhepa më 21 janar 2011, nga Garda e Republikës, komandanti i Gardës nuk vepron pa urdhër të eprorit të tij, pra të ministrit të Brendshëm të asaj kohe që ka qënë sërish Lulzim Basha.
Janë tre dosje të mjaftueshme për ta mbajtur “rob” Bashën dhe për ta detyruar të veprojë thjeshtë dhe vetëm sipas urdhëra të “gjeneralit” në pension Sali Berisha. I cili realisht drejton PD.
Pa përjashtuar këtu dhe pavendosmërinë proverbiale të Lulzim Bashës, frikën e tij për të përmendur emrin e Sali Berishës, jo më t’i kundërvihet atij, të bëjnë të mendosh se ai kurrë nuk do të kërkojë dëbimin e Berishës nga PD.
Ndaj Basha pret vjeshtën, në pozicionin e tij të gjithëhershëm që koha të veprojë, dhe me shpresë se Berisha do të largohet vetë nga grupi parlamentar i PD, për të qënë gjysma e së keqës. Dhe për më tepër që t’i nxjerrë “gështenjat” nga zjarri me “duart” e amerikanëve.
Basha thjeshtë dhe vetëm po bën një lojë të dyfishtë, për të fituar kohë, për të kaluar një verë pushimesh të patrazuara dhe për të pritur vjeshtën, nëse do të sjellë ndonjë “dhuratë” për të.
Eshtë mësuar që në rini me “dhurata” dhe tashmë e ka kthyer në kauzë këtë mënyrë sjellje poliike, edhe pse zyrtarisht është në krye të PD i zgjedhur pas humbjes së pestë radhazi përballë Edi Ramës.
Ndaj më shumë se kurrë është detyrë e vetë PD që ta shpëtojë “ushtarin” Basha i cili është zënë “rob” nga “gjenerali” në pension Sali Berisha. Ndryshe kjo parti jo vetëm rrezikon të kthehet në një celulë terroriste anti-amerikane, por dhe të shkojë drejt shuarjes.
Pasi shqiptarët janë populli më pro-amerikan në Ballkan dhe më gjërë, dhe nuk do mbështesin kurrë një parti që në themel ka anti-amerikanizmin.
Dhe në PD duhet të jenë të qartë se si vepron aleati ynë i madh me celulat terroriste që cënojnë dhe sigurinë kombëtare të SHBA. Duhet të shohin më larg se halli personal i Berishës dhe familjes së tij, duhet të shohin përtej pasurive e vëna në mënyrë abuzive nga familja e tij. PD duhet të jetë alternativë qeverisëse përballë alternativës në pushtet. Eshtë e domosdoshme!