Nga Linda Karadaku
“Nëse një shoqëri nuk mund të shpëtojë ata shumë që janë të varfër, nuk mund të shpëtojë ata pak që janë të pasur,” ka thënë Presidenti amerikan Xhon Kenedi në fjalimin e tij inagurues në vitin 1961.
Kur njeriu është i sëmurë, ditët duken të gjata, pa fund dhe javët si vite që nuk mbarojnë kurrë. Megjithatë, krevati i spitalit ka një të mirë, të jep kohë të mendosh gjerë e gjatë për të gjithë e për të gjitha, për atë që ka ikur dhe për atë që vjen, Vetëm e tashmja ngec si ato orët e vjetra që tashmë kanë vetëm vlerën e antikuareve. Në një nga këto ditë, mirënjohëse deri në fund për mjekët, infermieret dhe gjithë stafin e spitalit, e ngecur në të tashmen, po mendoja për fatet e njerëzve që i bashkon thelbi i jetës njerëzore, lindja, vdekja, vuajtjet, gëzimet. Pra fillimi dhe fundi, në thelb i njëjtë, dhe ai filli i litarit në mes që është vetë zgjatimi i jetës, herë i gjatë e herë i shkurtër. Në një shoqëri ku vlerat humane mbizotërojnë, do të duhej që ky fill të përshkohej me humanizëm, bamirësi (prej vërteti, jo si mbulesë për punë të tjera), me njerzillëk, për ta thënë me të folurën e muhabetit.
Në një shoqëri me vlera të konsoliduara, do të duhej të ishte normale që të pasurit, milionerët apo ata me pasuri më të vogël se milionat, të bënin akte bamirësie, të ndërtonin një spital, një shkollë, të tregonin kujdes për fëmijët jetimë, për të pamundurit, për ata që nuk kanë, për ata që jeta i ka gjymtuar, për ata që nuk kanë strehë mbi krye, në fund të fundit, për ata me të cilët fati nuk ka qenë bujar, për ata që të kujtojnë vazhdimisht refrenin “kafshatë që s’kapërdihet asht or vlla mjerimi.”. Një miku im i mirë, një plak bujar dhe zemërartë, bashkë me të tjerë miq, japin para për të blerë lodra për fëmijët e shtruar në spitale, të tjerë financojnë ndërtimin e shkollave apo të mensave për supën e më të varfërve.
“Nëse një shoqëri nuk mund të shpëtojë ata shumë që janë të varfër, nuk mund të shpëtojë ata pak që janë të pasur,” ka thënë Presidenti amerikan Xhon Kenedi në fjalimin e tij inagurues në vitin 1961.
Nëse të pasurit shqiptarë nuk duan ta bëjnë këtë për më të varfërit, le ta bëjnë për vete, për shpirtin e tyre, meqë janë të vdekshëm si të gjithë ne dhe herët a vonë, do të shkojmë të gjithë në të njëjtin vend, poshtë nën tokë apo lart në qiell. Një shoqëri e ndërtuar mbi bazën e vlerave humane, të të mirës, të solidaritetit njerëzor, të bamirësisë (që në shqipen tonë të ëmbël do të thotë, me ba mirë, të bësh mirë), i mbijeton shumë më mirë dhe më gjatë turbulencave të kohërave dhe tranzicioneve të dhimbshme që prekin breza dhe pothuaj të gjitha shtresat e shoqërisë.
Nuk iu humbet pasuria pasanikëve shqiptarë dhe as varfërohen për pak bamirësi, por ajo pak gjë që do të jepnin ata, do të thotë shumë për ata që janë në hall, për ata që nuk kanë ku të përplasin kokën, për ata që ose e kanë patur fatin furtunë, ose nuk kanë ditur të vënë pasuri me mënyrat tona alla-shqiptare të këtij tranzicioni të gjatë, pa fund. Le ta bëjnë pra për shpirtin e vet dhe për shpirtrat e atyre të shkretëve që vuajnë pa parë dritë në fund të tunelit kur iu bien hallet një nga një dhe sic thonë, kur të vijnë, hapju derën.
Pak, vetëm pak qindarka nga milionat tuaja, do të bënte shumë për ta, pak, vetëm pak, spital, shkollë, rrugë, një strehë të ngrohtë ku të mos pikojë catia nga të katër anët. Pak, vetëm pak, Zoti ju dhashtë, aq sa të lini një emër mbrapa dhe t’iu mbajnë mend për mirë, t’iu mbajnë mend si ai ose ajo që bëri dicka për ata që jeta nuk iu dha asnjë mundësi, për ata që edhe Zoti i harroi! Bëjeni për fëmijët tuaj që të mburren nesër me atë që lanë pas prindërit e tyre, sic mburren sot pasardhësit e atyre që hapën shkolla, spitale, streha vorfnore, rrugë. Bëjeni dhe lini një emër për mirë në këtë vend, që të mos harroheni bashkë me paratë tuaja, sikur të mos kishit jetuar kurrë!