Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi pushimin e Vettingut për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. Por vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk i jep fund Vetingut për Adriatik Llallën. Për të sqaruar situatën e krijuar, Report Tv kontaktoi me zv. Komisioneren Publike Aldona Sylaj, e cila deklaroi se fjalën e fundit do ta thotë Kolegji i Ankimimit.
“Vendimi ankimohet kur kërkon subjekti ose komisioneri publik. Komisioneri në detyrë merr indicje nga interesi publik dhe Operacioni i Monitorimit Ndërkombëtar. Për rastin e Adriatik Llallës presim rekomandimin e OMN. Nëse sjell rekomandim OMN komisioneri duhet të përgjigjet. Fjalën e fundit e thotë Kolegji i Ankimimit” tha Aldona Sylaj për Report Tv.
Report Tv mësoi sot se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka ndërprerë procesin e Vettingut për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. Vendimi është marrë një javë pasi Llalla u tërhoq nga e drejta për t’u rikthyer gjyqtar në Gjykatën e Apelit dhe për rrjedhojë u largua nga sistemi i drejtësisë, një manovër kjo për të mos iu nënshtruar filtrave të Vettingut.
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla është akuzuar ashpër nga ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, se nuk hetoi asnjë zyrtar të lartë për korrupsion. Po për akuzën e korrupsionit, Adriatik Llallës i është refuzuar viza nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një ditë më parë ishte Sekretari Amerikan i Shtetit, Tillerson i cili u shpreh se ish-kryeprokurorit të Shqipërisë i është ndaluar hyrja në SHBA për shkak se është i implikuar në afera korruptive.