Grupi hetimor i tragjedisë në Lushnjë ku shpërtheu bombola e oksigjenit, ka konstatuar dy vepra penale.
Ndërkohë Gazetarja Dorjana Bezat thotë se hetimi në vendngjarje vijon, ndërsa policia ende nuk ka dalë me reagim zyrtar për veprat e mësipërme.
Roland Hoxha dhe i biri, Lidio ishin duke punuar në vinç ku me ndihmën e tij ngrinin 2 bombola oksigjeni me të cilat po kryenin saldime në pjesën e tarracës. Dyshohet se gjatë punës një bombol u shkëput nga vinçi dhe u përplas në tokë duke shkaktuar një shpërthim që shkatërroi gjithçka dhe mori jetën e të dyve.
Nga fuqia shpërthyese u shkëputën telat e tensionit të lartë 110 kv që kalonin sipër magazinës që po ndërtohej nga deputeti i Partisë Socialiste prej 2 mandatesh në Lushnje Bujar Çela, i cili mbeti i plagosur së bashku me gjashtë persona të tjerë të cilët kanë qenë duke punuar në magazinën e tij.
Të dëmtuarit u transportuan në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa për manovratorin e vinçit Roland Hoxha i cili ndërroi jetë në vendngjarjen dhe të birin Lidio, i cili ndërroi jetë 2 orë më vonë, mjekët nuk mundën të bëjnë gjë, pasi dëmtimet ishin të konsiderueshme. Për ta ishte dita e parë e punës ne këtë kantier qe rezultoi dhe e fundit.
Magazina ku ata po punonin u shkatërrua plotësisht ndërkohë që dëme të konsiderueshme morën edhe bizneset të tjera në ketë zonë industriale si edhe disa banesa.
Hetimet do të kryhen edhe për kriteren e ndërtimit të këtij kapanoni metalik poshtë linjës së tensionit të larte 110 kv i cili sipas ekspertëve krijon induksion në një distancë deri në 3 m.
/f.s