Autoritetet greke kanë arrestuar një tjetër person në lidhje me shpërthimin e ndodhur jashtë një banke në qendër të Selanikut, tre javë më parë. Ngjarja në fjalë ndodhi orët e para të datës 3 maj dhe nga shpërthimi mbeti e vrarë një grua 39-vjeçare.
Sipas asaj që shkruan e përditshmja greke Protothema, në pranga ka rënë një 42-vjeçar. Arrestimi i tij erdhi pasi hetuesit zbuluan një gjurmë gishti në apartamentin e marrë me qira në Ladadika, aty ku dyshohet se dhe u ndërtua pajisja shpërthyese, që u përdor në ngjarje.
42-vjeçari, i cili mësohet se është emër i njohur për autoritetet greke për vepra të lidhura me drogën, pretendon se kishte qenë në një lidhje me viktimën. Sipas Protothema, 39-vjeçarja po qëndronte në shtëpinë e të arrestuarit në Selanik, ndërkohë që kishte marrë me qira një Airbnb në Ladadika, për të ndërtuar bombën.
Hetuesit besojnë se autorët i transportuan përbërësit nga Athina drejt Selanikut.
Më herët autoritetet greke arrestuan edhe një 36-vjeçar, i akuzuar për ngjarjen në fjalë. Ky i fundit e ka pranuar përfshirjen në krim, por ka mohuar që të jetë i lidhur me ndonjë grup kriminal. Sipas tij, eksplozivin e vendosën për disa para më shumë.
Nga hetimet e deritanishme dhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, ishte 39-vjeçarja ajo që e vendosi lëndën plasëse pranë bankës. Teksa po largohej dhe dalloi se lënda plasëse nuk po shpërthente ajo u kthye për të kontrolluar nëse e kishte vendosur siç duhet. Në këtë momente eksplozivi shpërtheu dhe ajo gjeti vdekjen.











