Një shpërthim në një restorant në qendër të Moskës ka lënë tre persona të vdekur dhe 21 të plagosur, ndërsa autoritetet ruse konfirmuan se ngjarja u shkaktua nga një mjet shpërthyes artizanal.
Komiteti Kombëtar Antiterrorizëm i Rusisë bëri të ditur se shpërthimi ndodhi në një restorant në sheshin Kudrinskaya, ku një pajisje shpërthyese e prodhuar në mënyrë artizanale u aktivizua, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur.
Sipas autoriteteve, mes viktimave janë një grua që dyshohet se mbante pajisjen shpërthyese, një agjent sigurie që u përpoq ta ndalonte atë dhe një klient i restorantit.
Fillimisht, kanali rus në Telegram “Baza”, i njohur për lidhjet me strukturat e sigurisë, raportoi se shpërthimi mund të ishte shkaktuar nga një rrjedhje gazi në kuzhinën e restorantit. Megjithatë, hetimet paraprake të autoriteteve e përjashtuan këtë pistë dhe konfirmuan përdorimin e një bombe.
Sipas raportimeve të mediave ruse, restoranti ishte rezervuar për një festë private ditëlindjeje, ku ndodhej edhe komandanti i Forcave Ajrore Ruse, Alexandre Tchaïko. Deri më tani nuk ka informacione zyrtare nëse ai është prekur nga shpërthimi.
Policia e Moskës njoftoi se hetuesit dhe ekspertët e mjekësisë ligjore kanë nisur hetimet në vendngjarje për të zbardhur rrethanat e incidentit.
Pamjet e publikuara në kanalet ruse në Telegram tregojnë prani të madhe të zjarrfikësve, ambulancave dhe forcave të sigurisë jashtë restorantit pas shpërthimit.











