Prokuroria e Durrësit ka pezulluar nga detyra 9 punonjës të ish-Aluiznit në Durrës, pasi akuzohen për shpërdorim detyre.
Bëhet me dije se punonjësit në fjalë kanë legalizuar një sipërfaqe toke, e cila në fakt ishte pronë shtetërore.
“Nga hetimet rezultoi se në vitin 2013, punonjës të ish-Aluizni-t Durrës kanë legalizuar disa pasuri të ndodhura në komunën Xhafzotaj, pjesë të të cilave ndodhen të ndërtuara mbi pasurinë e cila ka një sipërfaqe 2184 m2 dhe kategorizohet në zërin kadastral “Rrugë” me status juridik “shtet”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Durrësit.
Gjithashtu, janë pezulluar dhe punonjësit të cilët nuk kanë kallëzuar ndërtimet e paligjshme të konstatuara.
“Punonjës të IMT-së Shijak, me mosveprimet e tyre kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës kryer në bashkëpunim” parashikuar nga neni 248 e 25 të K.Penal, pasi ata kanë marrë vendime prishjeje të cilat nuk janë ekzekutuar si dhe nuk kanë depozituar kallëzime penale në lidhje me ndërtimet e paligjshme që kanë konstatuar”, vijon njoftimi.
Shtetasit M. I., M. K., H.H., A.M., D.Z., M. Sh., J.K., G.K. dhe M.T., do të akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës kryer në bashkëpunim” dhe “Moskallëzim i krimit”.
/a.r