Nga Eljanos Kasaj*
Federata Ruse e njohu zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kroacisë më 17 shkurt 1992, pak pasi e bëri këtë Bashkimi Evropian më 15 Janar, por në mënyrë suprizuese përpara Shteteve të Bashkuara, të cilat e shpallën njohjen e tyre vetëm më 7 prill.
Kjo lëvizje diplomatike sinjalizonte kursin e ri politik të Moskës, e cila do të ishte zyrtarisht e drejtuar drej Perëndimit dhe krijimit të një diplomacie përtej tabuve historike të periudhës sovjetike.
Por, vendosja e mardhënieve diplomatike midis Moskës dhe Zagrebit nuk ishte e vetmja gjë që do të karakterizonte politikën e re të jashtëme ruse drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ajo gjithashtu do të shënonte dhe fillimin e një politike të re ushtarake të Kremlinit, qeveria pro-Perëndimore e të cilit (prej idelogjisë së re gjeopolitike ose benefiteve financiare), por dhe prej egos së historisë së saj kombëtare si një prej dy superfuqive botërore, tashmë do të vendoste që të participonte në mënyrë direkte dhe indirekte në luftrat e përgjakshëme të Jugosllavisë (1991-1999).
Për ta shjtjelluar se cilat qenë konditat politike për këtë ndërhyrje të Rusisë dhe impaktin që ajo pati në zhvillimet politiko-ushtarake në Ballkanin Perëndimor, duhet që të analizojmë mënyrën se si ngjarjet u zhvilluan dhe se cili qe roli direkt dhe indirekt i Rusisë në to:
Viti i zi 1991
Më 25 qeshor 1991 Republika e Kroacisë deklaroj indipendencën prej Republikës Federative të Jugosllavisë, pas një referendumi ku mbi 93% e votuesve mbështetën sovranitetin e shtetit kroat- ky veprim i shkaktuar nga rënia e Federatës Jugosllave, çoi edhe në shpërthimin e një lufte katërvjeçare (1991–1995) kundër forcave serbo-jugosllave.
Akti i indipendencës u ndoq me atë të kapjes së kazermave të Ushtrisë Popullore Jugosllave në territorin kroat, në periudhën e verës dhe vjeshtës së vitit 1991, prej të cilave Ushtria e re kroate arriti që të shtinte në dorë: 40 obusë 152 mm, 37 obusë 122 mm, 42 obusë 105 mm, 40 obusë 155 mm, 12 MLRS, 300 mortaja 82 mm dhe 120 mm, 180 topa ZIS-3 dhe B-1, 110 topa antitank 100 mm, 36 topa vetëlëvizës, 174 ATGM, 2,000 granatahedhës, 190 tanke M-84, T-55, PT-76 dhe madje edhe T-34-85, 179 autoblinda dhe BMP, 180 topa antiajrorë 20 mm, 24 ZSU M-53/59 “Pragë”, 10 ZSU-57-2 ZSU, 20 armë kundërajrore, 200,000 armë të vogla, 18,600 ton municione, 1,630 ton karburant.
Me një armatim të tillë, kroatët ishin në gjendje t’i rezistonin ushtrisë goliathane jugosllave për disa muaj, gjatë vjeshtës dhe dimërit të 1991 dhe fillimit të vitit 1992, por këtë rezistencë kurajoze, Kroacia dhe populli kroat e pagoi shtrenjt dhe me gjak.
E gjendur në kushtet e pushtimit, copëzimit të pjesëve të territorit të saj dhe shkatërrimit së të gjithë infrastrukturës kryesore automobilistike, hekurudhore dhe industriale, ekonomia kroate, ashtu si dhe ajo jugosllave, hyri në stanjacion, standardet e jetesës, pagat dhe pensionet, gjithë sistemi social shtetëror kroat, qe duke u dromcuar brenda atij viti kaotik. Ndërsa në fushat e betejës, Kroacia, pavarësisht rezistencës fort patriotike dhe të guximëshme të ushtrisë kroate, kishte humbur tashmë atë ‘që duhej të humbiste’ (siç edhe theksonte retoritorika shoviniste e Beogradit aso kohe): një të tretën e territorit të saj, të simbolizuar me proklamimin e proto-shtetit të Republikës Serbe të Krajina-s (1991-1995) dhe të Obllastit Autonom Serb të Sllavonisë Lindore, Branja-së dhe Srijem-it Perëndimorë (1991-1992).
Kur dukej se republika e re ishte duke u përballur me situatën më kritike të historisë së saj moderne, Kroacia, e cila deri në fillim të vitit 1992 ende njohej si pjesë e Republikës Federative Jugosllave, u godit edhe nga një embargo ndërkombëtare e Perëndimit mbi importin e armëve (një iniciativë kjo e brishtë dhe fisnike për të mos lejuar eskalimin e më tejshëm të konfliktit)-gjë, e cila çoi edhe në lindjen e një tjetër sfide për Zagrebin: efortat për thyerjen ose anashkalimin e embargos.
Por, ndihma aq e nevojitur në atë kohë, do të vinte jo prej Perëndimit (vëmendja e të cilit ishte e përqëndruar aso kohe në Lidjen e Mesme, në Luftën Amerikano-Irakiane, 1990-1991), por prej Lindjes, prej Moskës!
E koordinuar dhe financuar prej kompanisë së themeluar në Ishujt e Virgjër Britanik, ‘Winsley Finance Limited’, dhe veçanërisht prej bizesmenit, tregëtarit të armëve dhe patriotit kroat Zvonko Zubak, ajo do të qe një nga operacionet sekrete ushtarake më ambicioze dhe brilante në historinë ballkanike të fund-shekullit të XX, e cila do të ndryshonte në mënyrë dramatike fatin e Luftës së Indipendencës së Kroacisë dhe popullit kroat.
Thyerja e embargos
Prej vitit 1992 deri në vitin 1997, prej aerodromit të një baze ushtarake 200 kilometra në lindje të Moskës, u organizuan rreth 160 fluturime nga Rusia drejt Republikës së Kroacisë, ku u transportuan rreth 16,000 ton armatime dhe pajisje ushtarake (mesatarisht njëqind ton armë për fluturim).
Skema e përdorur për këtë operacion (i cili ishte dhe operacioni më i madh ushtarak rus që prej Luftës së Afganistanit, 1979-1989) ishte sa gjeniale aq edhe dinake: kur avoinët e mëdhenj civil rus Antonov dhe Iljushin hynin në hapësirën ajrore kroate prej Hungarisë, kjo ishte pothuajse gjithmonë natën, gjë që i bënte ata të vështirë për tu deduktuar prej artilerisë kundërajore jugosllave (një pjesë e së cilës ishte e disloksuar në territoret e pushtuara kroate): e njëjta dredhi u luajt shumë herë – pilotët rusë gjithmonë vinin re se po kishin “vështirësi teknike” dhe i kërkonin kontrollit të trafikut ajror të Zagrebit t’i lejonte të uleshin në një aeroport aty pranë. Në 85 përqind të rasteve, ky aeroport “ndihmës” ishte ai në Pula, dhe pjesa tjetër e fluturimeve u drejtuan në aeroportin në Krk-të dyja qytete të lokalizuara në bregdetin shkëmbor dalmat dhe të mbrojtura prej fortesës natyrore të Maleve Dinarike.
Aty ekipet koordinuara mirë të ushtrisë kroate i shkarkonin avionët në vetëm katër orë dhe deri në agim puna zakonisht ishte kryer dhe gjithçka ishte e pastër.
Me anë të kësaj skeme Rusia e furnizoj Republikën e vogël në brigjet e Adriatikut gjithashtu edhe me 18 helikopter transporti Mi-17, 40 avionë MIG-21, 12 helikopterë luftarakë Mil Mi-24, si dhe sistemet raketore anti-tank 9K111 Fagot dhe 9K113 Konkurs, 35,000 pushkë sulmi Zastava M70 dhe rreth 30 milionë plumba.
Së bashku me skuadriljet, rusët sollën gjithashtu edhe shumë pjesë këmbimi dhe stacione montim-riparimi. Ndërsa sa herë që ishte e nevojshme, me dhjetëra ekspertë ushtarak dhe pilotë rusë erdhën në Zagreb për të ndihmuar trajnimin e forcave ajrore kroate, veçanërisht për helikopterët luftarak Mil Mi-24, me të cilin pilotët kroat nuk kishin fluturuar më parë.
Rusia i dorëzoi Kroacisë edhe sistemet e raketave S-300 PMU në vitet 1994 dhe 1995, ajkën e teknologjisë ushtarake sovjetike. Në atë kohë, ky ishte versioni më modern i sistemit më të mirë të raketave kundërajrore në botë, i cili mund të rrëzonte çdo objektiv fluturues të targetuar në një distancë prej 120 km deri në 400 km. Sistemi u demonstrua në publik për herë të parë maj 1995 në paradën e parë ushtarake të Kroacisë sovrane, në lagjen zagrebase të Jarun – Beogradi e mori mesazhin dhe pas këtij demonstrimi, MIG-29-at jugosllavë nuk fluturuan më mbi Kroaci.
Demonstrimi i këtyre sistemeve bëri gjithashtu të qartë të elitat politike serbo-jugosllave se Kroacia nuk ishte më vetëm, por se në mënyrë direkte dhe indirekte Moska qëndronte pas “mrekullisë ushtarake të Zagrebit”, dhe se rusët kishin zgjedhur që të mbështesnin kroatët katolik në luftën e tyre kundër Jugosllavisë serbo-orthodhokse.
Shpartallimi
Aktet e fundit të dramës kroato-jugosllave do të luheshin pas demonstrimit të arsenalit modern ushtarak rus prej Ushtrisë kroate, gjatë vitit 1995 dhe do të simbolizoheshin me tri operacionet kyçe ushtarake, të cilat do të sillnin edhe fitoren e Kroacisë kundër Jugosllavisë së Presidentit Millosheviq:
-Operacioni ‘Bljesak’(1-4 maj), ku forcat kroate rimorën kontrollin e rreth 500 km katrorë territor brenda 36 orësh, duke rihapur autostradën vendimtare Zagreb-Lipovac dhe duke prerë në mënyrë efektive pjesën perëndimore të Republikës Serbe të Krajinës;
-Operacioni ‘Ljeto ‘95’(25-30 korrik), ku trupat kroate, në koordinim me trupat e Këshillit Kroat të Mbrojtjes, morën kontrollin e Bosansko Grahovo dhe Glamoč në Bosnjën perëndimore, duke rrethuar rajonin e Kinin;
-Operacioni ‘Oluja’(4-7 gusht), ku ushtria kroate arriti të rimerrte rajonin e Kninit dhe pjesën më të madhe të territoreve të pushtuara brenda 85 orësh, dhe të rivendosin rendin kushtetues kroat në të gjithë vendin (duke përjashtuar Sllavoninë Lindore).
Në të gjitha këto operacione ushtarke, arsenali dhe pajisjet ushtarke ruse luajtën një rol deciziv, të cilat sollën në mënyrë direkte fitoren e Zagrebit kundër Beogradit, dhe në mënyrë indirekte ose simbolike “fitoren”e Rusisë kundër Jugosllavisë (“konflikti politiko-ideologjik” midis të cilave kishte ngrirë që prej vitit të largët 1948).
Përfundim
Më 12 nëntor 1995, u nënshkrua Marrëveshja e Erdutit midis autoriteteve të Republikës së Kroacisë dhe autoriteteve lokale serbo-jugosllave të Obllastit Autonom Serb të Sllavonisë Lindore, Branja-së dhe Srijem-it Perëndimorë (1991-1992), e cila në mënyrë efektive i dha fund konfliktit të armatosur në rajon dhe krijoi kushtet për zgjidhjen paqësore të Luftës Kroate për Pavarësi në Kroacinë lindore.
Riintegrimi i këtyre tokave u përfundua me sukses më 15 janar 1998, kur Kroacia rimori kontrollin e plotë mbi kufijtë e saj lindorë.
Më 4 nëntor të vitit 1996, Presidenti rus Boris Jelcin dekoroi Presidentin kroat Franjo Tuxhman me Medaljen ‘Zhukov’, duke njohur “kontributin e tij aktiv në fitoren e luftës ndaj fashizmit”, fjalë të cilat u interpretuan prej medias ruse të kohës si një analogji e rëndësishme politike, e cila përveç karakterit të saj historik (përkujtimit të fitores së luftës së Ushtrisë Popullore Jugosllave kundër okupatërve Nazi-Fashist, gjatë Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945), kishte edhe një karakter aktual, me fitoren e Ushtrisë Kroate të Luftës së Indipendencës së Kroacisë (1991-1995) kundër Ushtrisë Jugosllave dhe çlirimin e tokave kroate prej okupacionit të ushtrisë jugosllave dhe kolaboracionistëve të tyre separatist.
Ndonëse sot ky episod historik është përpjekur që të lihet në hije prej qeverisë aktuale ruse (e cila, e cila kërkon që ta përdori ideologjinë e Beogradit të ‘viktimizimit të popullit serb’ gjatë viteve 1990′ si një mjet për të ruajtur prezencën dhe influencën e saj politike në Serbi), ajo duket se nuk është harruar në Kroaci, ku shumë gazetarë, historianë dhe analistë e kanë përmendur dhe vijojnë që ta emfazojnë rolin deciziv të Rusisë në kuadër të Luftës së Indipendencës së Kroacisë.
Ajo gjithashtu shërben si simbol i kohës kur Rusia, në qeverinë proto-demokratike të Presidentit Jelcin, ishte integruar dhe bërë pjesë e Perëndimit, duke luftuar dhe suportuar kazua të cilat sot për shumë duken të paimagjinueshme (si të luftruarit kundër Jugosllavisë orthodhokse), dhe duke u kthyer në një faktor pozitiv në kuadër të efortave për të stabilizuar Ballkanin Perëndimor, gjatë zhvillimeve kaotike politike, ekonomike dhe ushtarake të viteve të tranzicionit 1990′.
*Fakulteti i Shkencave Politike. Universiteti i Wroclaw (Uniwersytet Wrocławski), Poloni











