• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, February 3, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Shoqëria Civile apel Kuvendit: Ndryshoni pr/ligjin “Për tarifat gjyqësore”, cënon aksesin e qytetarëve në gjykatë

by Java News
01/11/2017 19:55
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Armando Meta/ 

Projektligji “Për tarifat gjyqësore” që parashikohet të kalojë nesër në seance plenare, cënon rëndë të drejtën e aksesit në gjykatë të qytetarëve. Në këtë përfundim ka arritur një grup ekspertësh ligjorë nga shoqëria civile, pas një analize juridike që i është bërë projektligjit në fjalë. Nisur nga ky shqetësim organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar Kuvendit që të mos e miratojë projektligjin “Për tarifat gjyqësore” në formën që ai është paraqitur, por të marrë në konsideratë disa shqetësime që i janë paraqitur edhe deputetëve të komisionit parlamentarë të ligjeve. Shoqëria civile nuk është mjaftuar vetëm me kaq. Ajo i është drejtuar edhe me një letër anëtarëve të komisionit parlamentarë të ligjeve, ku pasi konstaton problematikat që sjell ky projektligj, u bën thirrje deputetëve që ta trajtojnë me kujdes këtë çështje dhe të bëjnë disa ndryshime thelbësore që lidhen me nenin 5 pika 3 të projektligjit. Sipas shoqërisë civile në nenin 5, pika 3 parashikohet se : “Tarifa gjyqësore për gjykimet në gjykatat e apelit dhe Gjykatën e Lartë është jo më e ulët se 2000 lekë dhe jo më e lartë se 10.000.000 lekë”. Ky përcaktim sipas ekspertëve të shoqërisë civile cënon rëndë të drejtën e aksesit në gjykatë të qytetarëve, shkruan javanews.

DOKUMENTI

Javanews ka arritur të sigurojë edhe një letër që shoqëria civile i ka drejtuar Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut në parlament, ku jep rekomandim për ndryshimin e nenit 5, pika 3 e projektligjit “Për tarifat
gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”. Në letër nënvizohet se në mbledhjen e Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut të datës 18 tetor 2017, shoqëria civile është njohur me versionin e rishikuar të projektligjit “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”. Në këtë letër nënvizohet se versioni i diskutuar në këtë mbledhje ka pësuar disa ndryshime pozitive krahasuar me versionin e mëparshëm të këtij projektligji.

“Disa parashikime pozitive krahasuar me legjislacionin aktual janë si më poshtë: 1.Vendosja në projektligjin e ri të tarifës minimale prej 1000 lekësh, përbën një nivel më të ulët të tarifës në krahasim me pjesën më të gjerë të padive për të cilat aktualisht tarifa
është 3000 lekë. 2. Tarifat e vendosura për gjykimin në Gjykatën Kushtetuese vlerësojmë se është propocionale pasi është një vlerë e justifikueshme që përputhet me këtë mjet të posacem ankimi dhe është në interesin publik pasi garanton një filtër minimal në paraqitjen e kërkesave haptazi të pabazuara; 3. Gjithashtu, pozitiv është parashikimi ligjor që Ministri i Drejtësisë dhe Ministri i Financave miratojnë tarifat mbi bazën e propozimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, si organi i ngarkuar me administrimin e sistemit gjyqësor”, theksohet në letrën që shoqëria civile i drejton Kuvendit.

 PROBLEMATIKA

Por pavarësisht këtyre ndryshimeve positive shoqëria civile tërheq vëmendjen e parlamentarëve për  ndryshimet e parashikimit ligjor përsa i takon vendosjes së tarifës maksimale prej 20.000.000 lekësh për fillimin e një procesi gjyqësor dhe vendosjes së tarifës gjyqësore për gjykimet në gjykatat e apelit dhe në Gjykatën e Lartë.

“Bazuar në argumentat e mëposhtëm ligjor, neni 5, pika 2 dhe 3 i projektligjit të propozuar për miratim kufizon të drejtën e aksesit në gjykatë dhe të paraqitjes së ankimit në një gjykatë më të lartë, cënon parimin e sigurisë juridike dhe limitet e kësaj tarife nuk janë propocionale dhe në interesin public”, nënvizohet në këtë letër, shkruan javaneës.

Sipas ekspertëve të shoqërisë civile, vendosja e tarifës maksimale të tarifës prej 20.000.000 lekësh përbën një limit maksimal shumë të lartë dhe të pajustifikuar, i cili që i vendoset një subjekti që fillon një proces gjyqësor për të kërkuar rivendosjen e një të drejtë ose interesi të ligjshëm të shkelur. Parashikimi i një limiti të tillë, nënvizohet në letër, mundëson vendosjen e tarifave gjyqësore të papërballueshme për subjektet që i drejtohen gjykatës, duke cënuar të drejtën kushtetuese për akses në gjykatë, në kuadrin e procesit të rregullt ligjor. “Për rrjedhojë, vendosja e tarifës maksimale të tarifës prej 20.000.000 lekësh, nuk është në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe të garancisë së të së drejtës për akses në gjykatë”, argumenton shoqëria civile.

ANALIZA LIGJORE

Nga analiza që i është bërë projektligjit “Për tarifat gjyqësore”, në vlerësimin e ekspertëve të shoqërisë civile, dispozita ligjore që parashikon gjykimi në gjykatat e Apelit dhe në Gjykatën e Lartë kufizon të drejtën e shtetasve për akses në drejtësi. Përkatësisht në nenin 5, pika 3, parashikohet: “Tarifa gjyqësore për gjykimet në gjykatat e apelit dhe Gjykatën e Lartë është jo më e ulët se 2000 lekë dhe jo më e lartë se 10.000.000 lekë”. Nga krahasimi i tarifës aktuale për pranimin e ankimeve kundër vendimeve të gjykatës (e cila është në vlerën 200 lekë) me tarifën e ankimit dhe të rekursit të propozuar në këtë projektligj (e cila varion nga 2000 lekë e deri në 10.000.000 lekë) vihet re një rritje maksimale e saj. Legjislacioni në fuqi e vlerëson pagesën maksimale të tarifës 1% të vlerës së padisë, si një tarifë të vetme për të gjithë procesin gjyqësor, pasi ky i fundit vleresohet si një i vetëm, pavarësisht se zhvillohet në 3 – 4 shkallë gjykimi. Kësaj tarife që paguhet në shkallë të parë i shtohet dhe një pagesë “taksë pulle” prej 200 lekësh për cdo ankim deri në Gjykatë të Lartë (apel dhe rekurs). Projektligji i propozuar për miratim parashikon përveç pagesës deri në masën 20.000.000 lekë në shkallë të parë, edhe një pagesë deri në masën 10.000.000 për çdo ankim deri në Gjykatë të Lartë (apel dhe rekurs). Ky parashikim në projektligjin e fundit, është vazhdimësi e parashikimit të projektligjit të mëparshëm, i cili parashikonte pagesën e 0.5% të vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në shkallë të dytë dhe në Gjykatën e Lartë (Kjo tashmë mund të vendoset me udhëzim brenda limiteve të ligjit). Në këtë mënyrë, projektligji parashikon që në nivel maksimal, tarifa gjyqësore për paraqitjen e ankimit dhe rekursit do të jetë sa ½ e tarifës për inicimin e procesit në shkallë të parë. Sa më sipër, përbën një kufizim së të drejtës të ankimit dhe rekursit, nëpërmjet
kushtëzimit të pagesës të një shume deri sa ½ e shumës së paguar për inicimin e
gjykimit, ndërkohë që shqyrtimi gjyqësor është një proces i vetëm dhe shqyrtimi në
apel dhe në Gjykatë të Lartë, përbëjnë vetëm dy mjete të kontrollit të ligjshmërisë së
vendimit të gjykatës më të ulët”, theksohet në letrën drejtuar deputetëve. Sipas tyre, parashikimi në projektligjin e ri i tarifës nga 2.000 lekë deri në 10.000.000 lekë për të
paraqitur ankim dhe rekurs, nga 200 lekë që është me parashikimin nënligjor aktual,
përbën një ndryshim jo proporcional dhe të pajustifikuar nga interesi publik. Për
rrjedhojë, mosplotësimi i këtyre dy kushteve në mënyrë kumulative do të përbënte
cënimin e parimit të sigurisë juridike nëpërmjet miratimit të këtij parashikimi ligjor.

Shoqëria civile tërheq vëmendjen se në nenin 43 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikohet se, “Kushdo ka të drejtë të ankohet kundër një vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë, përveçse kur në Kushtetutë parashikohet ndryshe”. E drejta e ankimit në kuptim të këtij neni, duhet kuptuar si mundësi e çdo individi për të pasur mjete të caktuara procedurale për të kundërshtuar, në një gjykatë më të lartë, vendimin e dhënë ndaj tij nga një gjykatë më e ulët. Pra, me Kushtetutë, kujtdo i garantohet e drejta për t’u ankuar, të paktën një herë, kundër çdo vendimi gjyqësor të dhënë ndaj tij. “Kjo garanci e rëndësishme kushtetuese është një tejkalim pozitiv krahasuar me standardet që ofron në këtë drejtim Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut. Kjo shënon një standard më të lartë në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut se sa ai i “ankimit efektiv” që përcaktohet në nenin 13 të Konventës. Pra, me Kushtetutë, kujtdo i garantohet e drejta për t’u ankuar të paktën një herë kundër çdo vendimi gjyqësor të dhënë ndaj tij. Kjo garanci e rëndësishme kushtetuese është edhe një tejkalim pozitiv krahasuar me standardet që ofron në këtë drejtim Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut”, theksohet në letër.

APELI

Si përfundim, e drejta për t’u ankuar të paktën një herë, nuk mund të jetë kufizohet nëpermjet vendosjes së tarifave, për më tepër të llogaritura në maksimum deri në masën e ½ të tarifës së përcaktuar për inicimin e procesit në shkallë të parë.
“Për gjykimin në Gjykatën e Lartë mund të caktohen tarifa më të larta në krahasim me
gjykimin në apel (po asnjëherë në nivelet që aktualisht propozohen) pasi; së pari, neni 43 i
Kushtetutës ka parashikuar të paktën një mjet ankimi dhe në bazë të K.Pr.Civile dhe Ligjit
për Gjykatën Administrative, është caktuar Gjykata e Apelit; dhe së dyti, mbi bazën e dy
ligjeve të cituara e drejta e rekursit në Gjykatë të Lartë është kufizuar vetëm për shkaqe
shumë specifike. Nisur nga këto argumenta ligjor shpresojmë maksimalisht në mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj për të marrë në konsideratë propozimin për ndryshimin e nenit 5, pika 3 e projektligjit “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”, përfundon letra e ekspertëve të shoqërisë civile.

 

Next Post
Blushi: Kongresi i papunësisë premton edhe 220 mijë vende punë, por zbuan nga vendi 300 mijë shqiptarë

"LIBRA mbush 1 vjeç", Ben Blushi rikthehet me një fjalim për mbështetësit

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Ka mundësi për paqe dinjitoze dhe të qëndrueshme”, Zelensky optimist para bisedimeve me Rusinë

Plan i ri Ukrainë-SHBA-BE, çfarë ndodh brenda 24-orëve nëse Rusia thyen armëpushimin

February 3, 2026
Shënjestra e atentatit në Rrilë të Lezhës, nipi i Ardian Nikulajt dyshohet se mbeti i plagosur nga të shtënat

Zbardhet ngjarja në Lezhë! 7 persona u paraqitën si policë në berberhane, do dhunonin nipin e Ardian Nikulajt pas një sherri në 2025

February 3, 2026
Bill dhe Hillary Clinton pranojnë të dëshmojnë për çështjen Epstein

Bill dhe Hillary Clinton pranojnë të dëshmojnë për çështjen Epstein

February 3, 2026
‘Saliu nuk lufton për të marrë qeverinë’, Mërtiri: Votimi elektronik duhej të publikohej menjëherë

PD “bën kthesë” për reformat, Mërtiri: Vendimi tregon paqartësinë dhe kontradiktat e brendshme të opozitës

February 3, 2026
Epstein, një djalë sekret? Email-et që hedhin dyshime të rënda mbi jetën e tij

Epstein, një djalë sekret? Email-et që hedhin dyshime të rënda mbi jetën e tij

February 3, 2026
Ndryshim formule në Komisionin e Reformës Territoriale? PS dhe opozita përballen sot në Kuvend

Ndryshim formule në Komisionin e Reformës Territoriale? PS dhe opozita përballen sot në Kuvend

February 3, 2026
voton-berishaaa-770×420

Nëse zgjedhjet mbahen sot, sondazhi: Berisha fiton… vendin e dytë!

February 3, 2026
A do të presin më PD për “Territorialen”?/ Klosi: Ka tre muaj që komisioni nuk funksionon, të kthehemi në normalitet!

A do të presin më PD për “Territorialen”?/ Klosi: Ka tre muaj që komisioni nuk funksionon, të kthehemi në normalitet!

February 3, 2026
Java e dytë e shkurtit risjell reshjet intensive: Ja zonat që rrezikojnë përmbytje

Dita e sotme me reshje shiu dhe shtrëngata në disa zona të vendit

February 3, 2026
Shqipëria po bëhet ‘magnet’ për punëtorët e huaj, kryesojnë në aplikime indianët dhe filipinasit

Shqipëria po bëhet ‘magnet’ për punëtorët e huaj, kryesojnë në aplikime indianët dhe filipinasit

February 3, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In