• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, December 11, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Shofer, prit pak, po vjen profesor Pandeli Çina!

by Kristo Mërtiri
06/08/2023 19:33
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Titullin e shkrimit e gjeta ditët e fundit brenda një blloku të vogël me shënime të pasistemuara fare. Edhe kohën kur janë hedhur nxitimthi : 15 vite më parë ! Autobuzi urban i unazës së Kryeqytetit kish ndalur përballë ish ekspozitës “Shqipëria Sot”, në stacionin përballë bustit heshtjerëndë të Cajupit. Zbrisnin e hipnin pasagjerë si të këputur nga vapa. Në momentin që po mbylleshin dyert, një zë i fortë nga brënda vendosi si befas qetësinë :”- Shofer, të lutem, mos e nis autobuzin ! Duro pak sekonda, është profesor Pandeli Cina, doktori i zemrës.Me siguri do i jetë prishur bicikleta…”.

Gati të gjithë kthyen kokën djathtas. Ashtu me hap të ngadaltë e të lehtë, ngriti krahun, vendosi pëllëmbën mbi kraharorin e majtë dhe i dha shenjë shoferit që të vazhdonte udhëtimin. Por dera e parë u hap menjëherë. Dhe burri i moshuar me shtat të drejtë e buzëqeshje të vecantë, hyri  duke falenderuar. Do shkonte te një mik e pacient i tij në Spitalin nr.1… Ndërsa unë meditova jo pak, për beratasin e mirë të lindur në Tepelenën time. I vetmi farmacist në qytetin mbi Vjosë, ishte babai i tij. Bashkë me vëllanë Aleksandër, paskan qenë shokë fëmijërie me dajot tanë. Se gjyshi punonte tregtar i vogël manifakture, pa u larguar nga familja në fshat. Ku ta dinin se një ditë Pandeliu do të bëhej nga mjekët kardiologë më të njohur në Shqipëri ! Profesori e kujton shpesh me mall e nostalgji atë kohën e hapave të parë në jetë. Vitet rrodhën e rrodhën si pa u kuptuar, si vetë Vjosa shekullore e sertë e engjëllore. Nxënësi e student i shkëlqyer do të nisej drejt Akademisë Mjekësore të Varshavës, në Poloni. Tani ka hyrë në dekadën e nëntë të jetës ! Aktiv dhe energjik, studiues dhe krijues i vecantë. Atje u dashurua marrëzisht me shoqen që ka ende përkrah. 72 vite bashkë ! Megjithsë hija e ligë me damkën klasore “e huaj”, herë pas here vërtitej si korb pranë e larg istikameve pushtetore e partiake në qendër e në rrethe, dy zemraqëruar e të ngrohta nuk e lëshuan kurrë njera-tjetrën. Model qytetarie, dashurie e kulture.

-Kur e njoha Pandin, isha 19 vjece. Ai qe student i rregullt, i qetë, i lexuar, i sinqertëdhe me sy të bukur dehës. Polonishten e fliste rrjedhshëm, ëmbël dhe vështrimi e përqëndrimi, zgjuarsia, ciltërsia, urtësia e dashuria e tij të rrëmbenin vetiu,- më tregon Joana.-Nuk thotë kot një fjalë e mencur shqiptare: C’ka zemra, e tregon fytyra ! E mësova atje, kur na emëruan me punë në Corovodë. Në fillim mu duk si një ishull i shkëputur nga bota, i humbur mes maleve. Por kaloi shumë shpejt ky vegim. Skraparlinjtë na deshën shumë dhe i deshëm shumë. Sidomos Doktorin tim dhe të atyre. Kemi mjaft miq sot e kësaj dite. Njeriu i pastër i bën vend vetes, kudo ku jeton e punon. Në Poloni më quajnë shqiptare me plot gojën. Tani po pres vëllanë, Stefanin, do vijë të pushojë ca ditë me gjithë familjen. U ka hyrë në zemër Shqipëria… Se jeta nuk të hedh vetëm lule, na thosh jo rrallë Ymer Dishnica i paharruar, mjeku zemërmirë, i kulturuar dhe plot humor. Që politika e flaku herët mënjanë ! Kur i shkoi për vizitë një pacient i njohur në Berat, me një gungë të lindur në kurriz, ky i fundit e pyeti se si mund të riparohej. “ Dëgjo këtu, miku im. Gunga jote dhe Mukja ime, nuk ka docktor t’i shërojë !…”. Ai ishte dhe mbeti Njeri…

                        Se makutëria e lakmia cmendurake, të tjetërson dhe të arratis përtej njeriut të thjeshtë e të ndershëm. Madje i shikon e vlerëson si nga maja e Olimpit. As që dëgjohet jehona e Betimit të Hipokratit. Humanizmi përpëlitet nën thundrat e parasë së pistë. Në rastin konkret, profesor Pandeli Cinën e gjen ende te apartamenti i “kohës së Enverit”, pranë ish stadiumit “Dinamo”. Ndërsa mjaft kolegë të vjetër e të rinj, krekosen si gjela nëpër disa shtëpi e vila luksoze; në klinika e spitale private jo dosido; në vetura me cmime marramendëse; me disa hyzmeqarë e hyzmeqare hallexhesha etj. Vallë, me rrogën e shtetit demokratik i mbajnë ?… Kardiologun e shquar dhe modest, gati tërë Tirana e ruan në memorie edhe për bicikletën që përdorte nëpër vite, në cdo stinë. Tani vonë e la jo pa dhimbje, pas një problemi shëndetësor në njërin gju të këmbës. Njerëzia e dallonte që larg dhe i binin shkurt:” Po kalon doktor Pandeliu ! Ky nuk bëhet kurrë zengjin…”. Dhe e përshëndesnin ngrohtë, pacientë e jo pacientë, të njohur e të panjohur. Kështu e respektonin edhe xha Llazin në Tepelenë e gjetkë, babain e tij zemërmadh. Dardha bie nën dardhë !

Kur dëgjova në një emision televiziv Prof.Dr.Spiro Qirkon që falenderonte publikisht me zemër kolegun më të moshuar Cina, një ndjesi e vecantë mirënjohjeje e kënaqësie të pushtonte vetiu. Se në këtë botë, sic ka thënë i mencuri, ka shumë sëmundje, por ka vetëm një shëndet ! Fjala vjen, këta dy burra të vecantë bashkë me Prof.Nesti Kondilin, fiks 22 vite më parë më shpëtuan nga një greminë e papritur humbëtire. Falë edhe interesimit personal të intelektualit të rrallë, akademikut Ylli Popa (I ndrittë shpirti atje ku prehet prej 6 vitesh !). Por i pari ishte miku ynë i cmuar Pandeli Cina. Ashtu me veshë, me stetoskop e si jashtë orarit “zyrtar” në katin e dytë të Spitalit nr. 1, kapi lëkundjet e një “tërmeti”(infarct). Të nesërmen a të pasnesërmen do kthehesha për në folenë e refugjatit të detyruar buzë Egjeut, në Pire !…Nuk kanë thënë kot se jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër.

Fati im që takova si rastësisht e me mall profesor Cinën. Sapo kisha botuar një intervistë me Presidentin e Republikës në “Koha Jonë”…Pas një keqësimi akut (dikush më coi pasdite në një klinikë private me emër tingëllues dhe pa më pyetur hic, pagova paratë e më futën menjëherë të bëja bicikletën (?!), afër mesnatës trokita te shtëpia e Profesorit kur sapo u ndezën dritat (Kurrë nuk është e gjatë rruga që të shpie te shtëpia e mikut. Kush e tha i pari ?). U skuq rrufeshëm i tëri në fytyrë, ngriti zërin i zemëruar  dhe pyeste i irrituar me të drejtë se kush më tha të bëja bicikletën. Dhe mori menjëherë nga telefoni i shtëpisë Pavionin e Reanimacionit…Për herë të parë dhe të fundit e shikoja aq të acaruar. Emrin e mjekut neglizhent e të papërgjegjshëm, nuk ia thashë kurrë. Tani vonë mësova se paska fituar një nga titujt më të lartë shkencorë në Mjekësi (?!). Në këto raste kushdo ka të drejtë e mund të thotë përmendësh me veten a të tjerët, mjerisht atë shprehjen dëshpëruese “gabimet e tyre i mbulon dheu”!

Kardiologu kokëplotë Pandeli Cina, kur të flet, t’i thotë gjërat me zemër në dorë.. Një jetë të tërë kështu. Pedagog e intelektual patriot i vërtetë. Veprimtar i palodhur për cështjet kombëtare. Me Shqipërinë dhe Kosovën në sy e në zemër, ka dhënë kontribut të vyer. Pa bërtitje e zhurmë. Pa i rënë gjoksit asnjëherë e asgjëkundi. Ose, shumë pak e dinë përshembull, se mjaft poezi të uraganit Migjen, lexuesit polakë i njohin edhe nga përkthimet e tij. Ndërsa solli në shqip vargje të poetëve francezë e polakë. Ai është edhe vetë krijues, mëndjehapur e tepër modest. Mes skrparllinjve që e deshën jo pak, mësoi edhe atë urtësinë kuptimplote: Zemërmadhësia dhe trimëria janë motra ! Erdhi në Kryeqytet, por më vonë e dërguan prapë “në bazë”, në Berat ! Një “qarkullim” kuadri paksa i cuditshëm. Asnjë rënkim e ankim, as qarje e as dëshpërim. Kur të tjerë sot, këto lëvizje i quajnë fët e fët “internim” ! Dhe kërkojnë edhe dëmshpërblim financiar nga buxheti i këtij populli hallemadh. Përballë mjekëve të tillë si Cina, c’farë do ligjërojnë qesimce kolegët më të rinj që marrin arratinë përmes një eksodi gati biblik ? Po ata dhjetra studentë protestues që nuk begenisin të shërbejnë ndonjë ditë në Shqipëri sepse u “shkelen të drejtat dhe liritë e njeriut”(?). Dhe kërcënojnë nga metropoli se mund të braktisin auditoret në shtator ! O tempora, o mores ! Cilës kohë e cilit moral t’i falemi për dheun tonë të bekuar nga Zoti dhe të mallkuar nga Polit(h)ika rrumpallë mbi 30 vjecare ?!…Polakja dinjitoze Joanë, la prapë Tiranën dhe dhe shkoi në Berat, drejt e në Kombinatin Tekstil. Nuk u jargavit kurrë dhe as kërkoi “të drejtat e liritë” me tërsëllimë, aspak si e “persekutuar”. Rikthimi i fundit në Kryeqytet, sikur ia qeshi pak buzën : Punoi në Radio Tirana, te emisioni në gjuhën e nënës, polonisht ! Atje doli në pension me një pagë qesharake. Ciftin e mrekullueshëm Cina e admirojnë dhe e respektojnë të gjithë për qytetarinë, humanizmin dhe diturinë.

Ndonjë zemërzi ka ulur e ul kokën përballë kardiologut Profesor dhe NJERI me shkronja kapitale. Është burrë që matet me zemër, jo me pasuri, me faqe të bardhë. Është nga të rrallët që njeh nga afër e një për një me qindra rrahje zemrash nëpër Shqipëri e më tej. Edhe Shoqëria Civile e ka mbajtur si etalon “në mbrojtje të vlerave më të mira historike-kulturore kombëtare”. Vecse koha e historia mbajnë shënim. Atij ia njohin mirë edhe hidhërimin, ngrysjen a pikëllimin e sinqertë. Sepse përballë ikjes së dikujt, nuk është zemërgur ! Mjafton të jetë i qetë me veten dhe të tjerët (Cudi e padëgjuar,-më tha Joana.-Një herë ia vodhën bicikletën e famshme. Por…të nesërmen e gjeti te vendi ku i kish “humbur”!). Se jo kushdo fiton pa kushte dashurinë dhe respektin e njerëzisë në qytet e në fshat. Nuk harrohet lehtë një nga poezitë e bukura të Xhevahir Spahiut, kushtuar Pandeli Cinës. Poezi që do të flasë gjatë. E dini kur është shkruar ? Në vitin e zi 1997, kur SHIK-u ligërshan i Gazidedes e ndiqte si zagar gjahu poetin e gazetarin e madh :

“Flas me ty,

ti me zemrën.

C’mistere vëngojnë aty brënda ?

Ajo i di të gjitha, doktor,

mua s’mi thotë,

po ti jepi zemrës pak zemër;

thuaji ashtu kot: e keqja është larg.

…E di : ajo nuk ther vetëm kur vetëtin,

Ther edhe në ëndërr, edhe kur qielli është i kaltër;

e bren dashuria

sa hedh sytë tek një tjetër,

muret ia shkund urrejtja pa emër.

…Ajo gjëmoi kambanë kundër territ,

kur të tjerëve, ajme, u shkonin pordhët në zemër.

Pa zemër, nuk ngrihet shtëpia, poezia,

planeteve të tjerë mërgon dashuria…”.

Kishte të drejtë gjyshi im nga nëna (mik i babait të Pandeliut) kur thoshte shpesh dicka si postulat : Po nuk e pate zemrën behar e hazine, nuk bëhesh dot doktor i vërtetë !…/m.j

Next Post
Të pikturosh një ëndërr: Letër kryeministrit Edi Rama nga Saranda!

Të pikturosh një ëndërr: Letër kryeministrit Edi Rama nga Saranda!

Comments 1

  1. ppa says:
    2 years ago

    Shkrimet e K. Mertirit lexohen me nje fryme sepse jane te verteta, shkruar me stil dhe dashuri.

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Shqipërisë i mungon e djathta

“Kam fjetur në zyrë, mbaja edhe armë në dorë”/ Berisha rrëfen momenti e vështirë në 1997

December 11, 2025
“Do t’ju hapim barkun me plumba”/ Dy persona kërcënojnë forcat “Shqiponja” në mes të Shkodrës

Mbajtën peng për dy javë një shqiptar nga Kosova, arrestohen katër persona në Vlorë

December 11, 2025
Alibeaj: Shqiptarët na thanë në zgjedhje që mos t’i besohet më Berishës! Rinumërimi një justifikim banal i Saliut

Paralajmërimi i Alibeajt: S’ka më ditë të bardha për këtë klasë politike, do mbyllen në qeli

December 11, 2025
13 dëshmi për Sali Berishën, për lidhjet me Ramiz Alinë, familjen Hoxha dhe Byronë Politike

“2.5 mln shqiptarë në uri kronike”, kur Berisha punoi si mjek në Peshkopi: Hasa sëmundjen e pelagrës!

December 11, 2025
Qeveria emëron Plator Nesturin si Prefekt të Qarkut Vlorë

Drejtuesi i ri i SPAK, Plator Nesturi: Për Berishën do te jetë Klodian Tropolini apo Klodian Braho?

December 11, 2025
Takimi me ish-presidentin, Berisha sulmon Ramiz Alinë: Na tregoi me gisht si halabakë…

Takimi me ish-presidentin, Berisha sulmon Ramiz Alinë: Na tregoi me gisht si halabakë…

December 11, 2025
Berisha replikon me Ballën: Je krimineli më i madh elektoral! Ju garantoj se “Never more”…

Berisha replikon me Ballën: Je krimineli më i madh elektoral! Ju garantoj se “Never more”…

December 11, 2025
Taulant Balla dhe Sali Berisha “përplasen” në Bruksel, zbardhen axhendat e takimeve

Festa e PD, ironizon Balla: Ju gjen 35-vjetori me rezultatin më të dobët edhe se në betejat e Lulit

December 11, 2025
“Kur i humbën mamasë 8 milionë euro, desh vrave veten”, Berisha-Gjiknurit: U harrove, e ke vetë parasysh ti

“Kur i humbën mamasë 8 milionë euro, desh vrave veten”, Berisha-Gjiknurit: U harrove, e ke vetë parasysh ti

December 11, 2025
Berisha: Djali i arteve që u afrua te PD 35 vite më parë nuk duroi dot as disa orë te ne, sot është fatkeqësia më e madhe e kombit

35 vjetori i PD, Berisha: Rama dhe Soros më shpallën non-grata, por sot narkoshteti po shkërmoqet!

December 11, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In