Shqipëria po përballet me koronavirusin dhe pas mbylljes së shkollave, tashmë janë mbyllur edhe me qindra lokale, diskoteka, palestra, bilardo etj.
Ekspertët vazhdimisht bëjnë thirrje për shmangien e vendeve ku ka shumë njerëz dhe respektimin e distancës prej një metër nga njëri-tjetri.
Në këtë kuadër, sugjerohet që njerëzit mos dynden nëpër sportele për të marrë shërbime publike.
Këtë situatë e ka zgjidhur e-albania duke ofruar një pjesë të madhe të shërbimeve online.
Drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj apelon për përdorimin e e-albania në vend të vizitave nëpër sportele.
“Përdor e-Albania, shmang sportelet dhe kontaktet fizike!
Në kuadër të masave të marra për të shmangur përhapjen e virusit Covid-19, AKSHI ju rikujton përdorimin e portalit unik e-Albania për shërbimet publike. Ruaj veten dhe të tjerët dhe aksesoni https://e-albania.al/ në çdo moment.
Gjithashtu, stafi i AKSHI-t ju kërkon shmangien e vizitave pranë sporteleve tona. Çdo asistencë shtesë e ofrojmë përmes adresës zyrtare he******@e-*******.al
Në këto ditë të vështira, e-Albania është më e nevojshme se asnjëherë.
#eAlbania #ShqiperiaDigjitale #AKSHI”, shkruan Karçanaj.