Nga Jakin Marena
Partia Demokratike përfundoi zgjedhjet brenda saj për kryetarin, pa ndonjë surprizë të madhe. Lulzim Basha u rizgjodh për të tretën herë në krye të kësaj partie me shumicë dërmuese votash.
Kandidatët rivalë nuk arritën të linin gjurmë në fushatë, duke akuzuar lidershipin e PD se nuk dha dorëheqjen pas humbjes më 25 prilli përballë Edi Ramës, është manipuluar me listat e anëtarësisë, janë përjashtuar figurat kryesore ditën e zgjedhjeve dhe se kishte garë të pabarabartë.
Mund të jenë të vërtetë gjithë këto elementë, që ndikuan në fitoren e tretë të Lulzim Bashës dhe humbjen e Shehajt, Harxhit e Kadillit përballë tij.
Por është një element tepër serioz në të gjithë qasjen politike të kritikëve të Bashës në PD, një rreth vicioz nga i cili nuk po arrijnë të dalin dhe vetë demokratët, të thjeshtë e të përbërë.
Nëse kanë pikëpamje të ndryshme për atë çka ndodh në PD, në një pikë kanë të njejtin mendim, madje janë në garë të ethshme me njëri tjetrin për të menduar me zë të lartë: Të gjithë “përvëlohen” për Sali Berishën, liderin historik të PD.
Jo vetëm që s’guxon njeri ta sulmojë, larg qoftë sepse do të fillonin “lëvizjet” vertikale e horizontale në derën e selisë së PD, por janë në garë me njëri tjetrin për t’i treguar se kush e do më shumë liderin historik.
Lulzim Basha dihet, e ka “baba” politik dhe e ka deklaruar e stërdeklaruar se nuk e “vret babain” siç ia këshillon Besnik Mustafaj në PD apo ia kujton indirekt Edi Rama sa herë i vjen rasti, duke thënë se “babain” e tij politik Fatos Nano, e dëshi, e vrau dhe tani i merr këshilla prej tij dhe e do prapë.
Basha betohet publikisht se nuk e bën një gjë të tillë. E ka seriozisht apo nga frika, nuk jemi në mendjen e Lulzim Bashës, i cili dhe pas fitores së tretë nuk guxon të artikulohet kundër Berishës, megjithëse SHBA e ka shpallur “non grata” dhe SPAK e ka të parin në listë për hetimin e zullumeve që ka bërë në këto 30 vite politike. Me dëme njerëzore dhe financiare për shtetin.
Kjo na bën të mendojmë se Lulzim Basha i trembet aq shumë Sali Berishës, sa vetëm duke i deklaruar dashuri prej “biri” politik çdo ditë, mund ta qetësojë.
Ndryshe Berisha bën dhe paralajmërime të tilla si “nuk përjashtoj mundësinë e rikthimit në krye të PD, duke respektuar të gjitha të drejtat kushtetuese”! Apo si siç thotë Grida Duma se “kolegut tim Sali Berisha edhe i ngrihet herë herë andrenalina politike. Dhe tashmë i është ngritur”.
Apo sikurse e mendojnë dhe vetë demokratët me në krye Lulzim Bashën se Sali Berisha me një telefonatë ndryshon kreun e PD dhe hipën vetë edhe zyrtarisht në këtë post, të cilin ka 30 vite që e mban “me thonj”. Dhe e nxjerr Bashën nga selia me një fishkëllimë.
Pra ajo që ka mbetur në PD pas zgjedhjeve brenda saj më 13 qershor është fatale. Ka mbetur Lulzim Basha kryetar për herë të tretë i kësaj partie dhe mendimi tashmë i konsoliduar i demokratëve të thjeshtë dhe mbështetësve të tyre se, PD sa të ketë në krye Lulzim Bashën dhe në prapaskenë Sali Berishën nuk fiton kurrë kundër Edi Ramës dhe nuk vjen kurrë në pushtet.
Një parti politike gjatë qëndrimit në opozitë ka si mision të vetin kontrollin mbi qeverinë dhe ardhjen në pushtet. Qytetarët të ardhmen e shohin gjithnjë tek një opozitë, cilado qoftë ajo.
Por kur të gjithë shqiptarët janë të bindur se kjo opozitë me në krye PD kurrë nuk vjen në pushtet përballë PS, atëherë misioni i PD mund të quhet i përfunduar.
Dhe kur një parti përfundon misionin e saj politik, atëherë dalëngadalë ajo shkrihet. Falimenti ka një afat skadence, i cili herët a vonë vjen. E rëndësishme është që të kapet dhe realizohet në kohën e duhur, për të mbledhur forcat dhe për të ngritur një biznes tjetër, meqë produkti dhe marka që ka prodhuar deri më tani, nuk ka ecur në treg.
Kështu dhe PD, është një “markë” politike që nuk jep me produkt politik: Fitoren në zgjedhje! Nuk është arritje të hysh në garën elektorale duke pronontuar gjithnjë vendin e dytë, është stresuese për vetë mbështetësit që sa vijnë dhe të largohen gjithnjë e më shumë.
Kur kontribuon dhe vetë si lider në largimin e kritikëve brenda partisë, është akoma më komode për kundërshtarin përballë, në rastin konkret Edi Ramën, i cili në kongresin e 12 qershorit, ditën e themelimit të PS dhe për koncidencë ditëlindjes së Lulzim Bashës, i mblodhi të gjithë nën “trandafilin” socialist!
Që nga Fatos Nano e mbështetësit e tij, kritikët e rinj e të vjetër e deri tek shumë të larguar nga PD dhe LSI, që shohin PS si të vetmen alternativë, për të fituar një mandat të katërt, të pestë dhe më shumë. Fundja politika është mision, dhe misioni quhet i realizuar ku vjen në pushtet!
PD-në nuk e besojnë më as anëtarët e saj se mund të vijë në pushtet! Eshtë në një mandat të tretë në opozitë me Lulzim Bashën kryetar, i cili quan arritje 59 deputetë me gjithë aleatë të marrë më 25 prill, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.
Me një LSI afër që dhe ajo është drejt shkrirjes, duke mbërritur në pikën më të ulët të mbështetjes: nga 19 deputetë në 4 deputetë, si në herën e parë një vit pas themelimit kur mori 4 deputetë në zgjedhjet e 2005, por tashmë jo më në rolin e “King maker”-t! PS fiton gjithnjë vetë.
Parë në këto kushte ripërsërisim: PD e ka mbyllur misionin e saj, ndaj s’është tragjedi të shkrihet.
Përkundrazi, një shkrirje dhe rithemelim me një “markë” tjetër politike mund të krijojë aksesin e duhur në politikën shqiptare. Me të tjerë njerëz dhe figura të papërlyera në këto 30 vite pushteti, qeverisjesje dhe bashkëqeverisjeje. E ka mision më të lehtë me një LSI që është e shkatërruar, me një kryetar si Ilir Meta të trembur nga SHBA e drejtësia dhe një administratore si Monika Kryemadhi të larguar në “drejtim të paditur” që pas zgjedhjeve të 25 prillit!
Homologet e PD në Europën Lindore, pra partitë që morën flamurin e rrëzimit të komunizmit dhe erdhën në pushtet, janë shkrirë me kohë e me vakt. Liderët politikë mbahen mend vetëm për aktet e asaj kohe dhe jo për kontributin më pas.
U shkri “Solidarnost” në Poloni, partia-sindikatë e udhëhequr nga Leh Valesa që erdhi në pushtet pas rrëzimit të partisë komuniste.
“Solidarnost” e humbi fuqinë që në vitin 1996 por në 2000 Valesa humbi thellë zgjedhjet presidenciale, duke marrë mbështetje të papërfillshme vetëm 1,01% bashkë me “Solidarnost”, pas së cilës njoftoi një braktisje definitive e daljes në pension politik. Bashkë me të dhe partia.
Partia Demokratike e Vorisllav Koshtunicës në Serbi, që mori pushtetin pas rrëzimit të Sllobodan Milosheviçit u largua nga skena politike në vitin 2008, tashmë është hija e së kaluarës, me mbështetje minore.
Po kështu dhe në Bullgari, demokratët e mbretit Simeon janë larguar nga pushteti dhe skena politike me kohë e me vakt. Nuk dëgjohet më të flitet për këto parti që rrëzuan përfundimisht komunizmin.
Në të njejtën gjatësi vale dhe “Forumi Civil” i Vaslav Havel në Çekosllovaki dhe më vonë Çeki, që nga viti 2003 është larguar nga skena politike. Madje prej 10 vitesh dhe nga jeta. Kujtohet më shumë si dramaturg se sa si politikan.
Kështu mund të flasim për vendet e tjera të Europës Lindore, pa harruar të përmendim Perëndimin, me demokristianët italianë që nuk ekzistojnë më, apo rastin e De Golit në Francë me rikthimin e tij aspak dinjitoz që e nxori përfundimisht nga politika.
Prandaj mund të themi se shkrirja e PD nuk është ndonjë tragjedi dhe për vetë demokratët, të cilët tashmë nuk besojnë më se mund të vijnë në pushtet.
Në PD mund ta quajnë dhe “rithemelim të PD dhe të djathtës”, e përmendnin shpesh “delfinët” e sotëm dhe kritikët e djeshëm të Lulzim Bashës këtë term.
Por ama ajo që mbetet është se si “markë” PD nuk jep më produkt politik, ngjitjen në pushtet! Duke i dhënë Edi Ramës mundësinë që të qeverisë i pashqetësuar sa të dëshirojë vetë. Deri kur të mërzitet në krye të qeverisë, apo siç e thotë ai vetë “ku të lerë gjurmë të dukshme në zhvillimin e vendit”!
Deri sa të marrë këtë vendim PD, kjo parti do të konsumojë ‘dhjamin’ e vet. Duke arritur deri atje sa të shkojë në mendje dhe rikthimin e Sali Berishës në krye të PD, si rikthimi i dytë i De Golit në Francë. Fati dihet!
Ndërsa vetë Sali Berisha duhet të ishte harruar si të gjithë homologët e tij postkomunistë të Europës Lindore!
Ndaj, më mirë vonë se kurrë, Shqipërisë i duhet një “markë” tjetër politike për të rivalizuar PS-në e Edi Ramës dhe për të rikthyer shpresat për rivalitet politik dhe pushtet për të djathtën!/JavaNews.al