Unë besoj në lirinë që të shkruaj për çfarëdo, për cilëndo audiencë – të moshës së re apo të vjetër. Është diçka shumë e veçantë, të kesh mundësinë të ulesh me lirinë për të shkruar saktësisht rrëfimin që po zihet brenda teje dhe që ai rrëfim më pastaj të botohet.
Në Skandinavi nuk ka asnjë lloj tabuje kur është fjala për të shkruarit, qoftë edhe për fëmijë ose të rinj. Librat për adoleshentë që eksplorojnë seksualitetin nëpërmjet gjuhës eksplicite nuk janë të censuruar. Kjo është diçka shumë normale për ne. Nuk ka asgjë që s’mund të përfshij në librat e mi si shkrimtare për adoleshentë dhe e di se botuesi im do të më qëndrojë prapë pa marrë parasysh se çfarë ndodh. Këtu janë disa shembuj që të shpjegoj se për çfarë e kam fjalën. Libri “Fittekvote” e autorëve Axel Hellstenius dhe Morten Skardal, që flet për vajzat e reja në ushtri, ka marrë çmim letrar më 2011. Nëse do të përkthehej në anglisht, libri do të titullohej “Cunt Quota”. Një tjetër libër i titulluar “Tjuven” (Hajduti) nga Rune Belsvik, u është dedikuar fëmijëve të moshës rreth tetëvjeçare. Në të, personazhi kryesor, Jolver, prej shokut të tij Bob mëson se si të masturbojë, shkruan “Koha Ditore”.
Miku i tij i tregon se si është ndjenjë e mirë të prekësh veten teksa shikon fotografinë e ndonjë femre të zhveshur në ndonjë revistë. Ende nuk kam parë se një gjë e tillë ndodh në Britani të Madhe.
Tradicionalisht, shkrimtarët skandinavë e trajtojnë me seriozitet të madh botën e një fëmije. Mendojeni shkrimtaren suedeze Astrid Lindgren (po ashtu krijuese e Pippi Longstocking), që është njëra prej zërave më të rëndësishëm që asnjëherë nuk i ka zhgënjyer lexuesit e saj të rinj. Disa nga gjërat që ka shkruar ajo kanë qenë goxha të errëta dhe serioze dhe ka shumë gjasa që unë s’jam e vetmja që kam qarë derisa kam lexuar disa prej librave të saj. I jam shumë mirënjohëse asaj dhe atyre shkrimtareve që kanë guxuar të sfidojnë atë që njerëzit kishin menduar se për çfarë do të duhej të ishin librat që u dedikohen fëmijëve dhe të rinjve.
Nën dritën e kësaj tradite ishte goxha lehtë të mbaja premtimin që i kisha bërë vetes kur nisa të shkruaja libra: të respektoj gjithmonë aftësinë e lexuesit tim të ri që të mendojë për veten e saj apo të tij, të mos kem frikë dhe të mos i shmangem asnjëherë të shkruarit për tema që do të mund të shkaktonin dhimbje, turp ose eventualisht edhe ofendim. Kam shumë kolegë të mrekullueshëm që kanë të njëjtin mision: shkrimtari suedez Gunnar Ardelius është i famshëm për sinqeritetin, guximin dhe librat brilant për dashurinë dhe seksualitetin…