Nga Ilir Beqaj
Prej gati 4 muajsh jam gjysmën e kohës fizike në qarkun e Shkodrës, ndërsa mendërisht dhe intelektualisht mund të them që i dedikoj jo më pak se 80 % të kohës.
Përzihen së bashku organizimi i punës së partisë në funksion të zgjedhjeve parlamentare të 25 prill 2020, kontakte me banorë të ndryshëm të cilat kanë halle për të zgjidhur apo vështirësi në marrdhëniet me institucione të ndryshme që ofrojnë shërbime për qytetarët, komunikimi midis bashkive të qarkut (këtu nuk përfshihet bashkia e Shkodrës) dhe digastereve në Tiranë, por edhe komunikim me persona të ndryshëm që nuk kanë ndonjë nevojë konkrete përveçse dëshirës që të nxitet zhvillim në Shkodër.
Për ilustrim, kanë qënë takimet në Shkodër që më nxitën të ndërmarr nismat ligjore për pensionet ish kooperativave bujqësore dhe për faljen e detyrimeve të punonjësve të nëntokës. Për fat të mirë këto dy nisma u miratuan në Kuvendin e Shqipërisë në 23 dhjetor 2020. Gjithmonë kam besuar se njerzve u duhet politika për të zgjidhur ato halle që nuk i zgjidhin dot vetë.
Por përtej çështje të “vogla”, në këta muaj kam arritur të skicoj disa drejtime ku duhet shtytje e fortë për të patur një zhvillim të vrullshëm të Shkodrës në dekadën e ardhshme. Nuk janë gjëra të panjohura e të padëgjuara, në vija të përgjithshme janë brenda drejtimeve të përgjithshme në të cilat po zhvillohet Shqipëria. Për disa prej tyre mendoj se duhet të ishte bërë më shumë edhe deri tani. Gjithsesi, sot më japin kënaqësi të dedikoj kohën, dijet, eksperiencën dhe njohjet vetjake,
Turizëm dhe argëtim
Shkodra (kam parasysh të gjithë qarkun) ka potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të turizimit të qëndrueshëm gjithëvjetor.
Shkodra ka edhe det, edhe liqene, edhe lumenj. Ka peisazh natyror të mrekullueshëm. 29 % e sipërfaqes së të gjithë qarkut apo rreth 53 mijë hektarë është zonë e mbrojtur. Parku kombëtar i Thethit, rezervati i manaxhuar i liqenit të Shkodrës, peisazhi i mbrojtur lumi Bunë dhe Velipojë.
Shkodra ka bregdetin e Velipojës. Liqenin natyror të Shkodrës, liqenet artificiale të Vaut të Dejës dhe Komanit.
Ka lumejtë Drin, Bunë, Kir, Cem, etj.
Nëpërmjet Bunës lidhet bregdeti i Velipojës me liqenin e Shkodrës.
Shkodra ka male. Një pjesë e mirë e Alpeve shqiptare janë në Shkodër. Me Shkodrën lidhen Dukagjini e Kelmendi, lidhen Tamara, Lëpusha, Vermoshi, Razma, Boga, Thethi, etj.
Shkodra ka trashëgimi kulturore, materiale dhe jomateriale.
Shkodra ka kështjellat e Rozafës dhe Drishtit.
Në Shkodër është edhe eposi i kreshnikëve, edhe legjenda e Rozafës, edhe gjama e burrave, edhe xhubleta, edhe karnavalet.
Nëse në Shqipëri ka bashkëjetesë fetare, në qytetin e Shkodrës xhamia, katedralja katolike dhe katerdralja ortodokse janë pak minuta në këmbë nga njera – tjetra.
Shkodra ka pasuri të jashtëzakonshme kostumografike.
Në Shkodër janë rrënjët e letërsisë, muzikës dhe artit të fillim shekullit të 20-të. Edhe piktura, edhe fotografia, edhe poezia, edhe publicistika, edhe kompozimi i këngëve, edhe vetë kënga, edhe opera, edhe jaret e Shkodrës, edhe interpretimi i veglave muzikore, edhe loja teatrale, edhe dramaturgjia, edhe humori, edhe cirku, edhe estrada.
Shkodra ka muze. Muze historik, muze të kështjellës, muze të Kujtesës, galeri të arteve të bukura, muze të fotografisë “Marubi”.
Shkodra ka katër pika tokësore të kalimit të kufirit. Nga Shkodra shkohet edhe për në trojet shqiptare në Ulqin dhe në Plavë e Guci.
Edhe pse i ka të gjitha këto, nuk është ende zgjedhje e pare e ofertës tursitike shqiptare. Edhe vetë oferta turistike e Shkodrës nuk është e njohur sa duhet, nuk është e strukturuar si duhet.
Edhe vetë shkodranët nuk duken shumë të trazuar pse Shkodra nuk është zgjedhja e parë turistike në ofertën e brendshme turistike shqiptare. Ndjej një përzierje të mendjemadhësisë me mendjelehtësinë. Shkodranët ndjehen krenarë për çfarë janë e çfarë kanë. Duket sikur u thonë të tjerëve se ata humbin duke mos e shijuar Shkodrën. Nga ana tjetër, nuk e prishin shumë terezinë për çfarë humb Shkodra dhe vetë shkodranët nga mos shfrytëzimi i potencialeve të veta.
Megjithatë besoj se dekada ku po hyjmë do të jetë realisht e Shkodrës. Një nga pengesat reale të mungesës së zhvillimit ka qënë çështja e pronësisë. Por tashmë që kuadri ligjor është miratuar, është vetëm çështje kohe procedurash administrative.
Në Velipojë kanë filluar investime të rëndësishme në infrastrukturë rrugore dhe energjitike. Edhe investitorë privatë po bëhen gati të investojnë në hoteleri me projekte serioze.
Në Shirokë e Zogaj është miratuar investimi në infrastrukturë për rreth 19 milionë dollarë.
Besoj se Kelmendi, me Tamarën, Lëpushën dhe Vermoshin është tashmë një destinacion i njohur. Mbetet ende punë për të bërë në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike.
Po ashtu, në aksin Bogë – Theth besoj se deri në fund të 2021 do të kemi një përmirësim rrënjësor të infrastrukturës urbane dhe rrugore. Edhe këtu mbetet ende punë për të bërë në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike.
Oferta e Razmës përshirë Reçin është e formësuar.
E pazhvilluar është oferta e Dukagjinit. Besoj se në 2021 do të përfundojë projekti i rrugës nga Prekal në Breg të Lumit. Ndërtimi i këtij aksi rrugor do të rrisë turizimin dimëror në Theth.
Në liqenet e Vaut të Dejës dhe Komanit do të nxitet lundrimi, transporti dhe turizmi ujor. Në pranverë 2021 do të përfundojë projekti i cili në vija të përgjithshme parashikon investime rreth 35 milionë euro.
Edhe oferta muzeale pritet të zgjerohet ndjeshëm. Në Shirokë do të ngrihet muzeu i Natyrës. Në qytet muzeu i Arteve të Bukura. Në Koman muzeu i Energjitikës. Një grup shkodranësh pasionantë por edhe patriotë po ngjizin idenë e muzeut etnografik.
Enkas e lashë për ta rradhitur në fund ndërhyrjen e plotë që do të fillojë në kalanë e Rozafës dhe kodrën e saj. Sapo u miratuan 2 milionë euro për këtë qëllim.
Industri e lehtë prodhuese
Në Shqipërinë e fillim shekullit të 20-të, Shkodra është pioniere e fillesave të industrisë së lehtë shqiptare. Përpunim leshi, pëlhure, lëkurësh, etj. Prandaj edhe fillesat e organzimit punëtor sindikal e kanë gjenezën në Shkodër.
Në fund të viteve 80-të, në Shkodër (ashtu si në Durrës e Korçë) u fillua të prodhoheshin veshje dhe këpucë për eksport me lëndë të parë të porositësit.
Në 30 vitet e fundit është zhvilluar vrullshëm, industria që jemi mësuar ta quajmë me termin vulgar “fason”. Ka shumë të punësuar. Edhe më shumë janë familjet që jetojnë me të ardhurat nga punësimi në këtë industri.
Por, sipas meje, ka mbetur në të njëjtin nivel. Konstatoj tri drejtime të “fjetura” ku mund të shfrytëzohet eksperienca e dritanishme.
– Aseti më i madh i krijuar gjithë këto vite, sipas meje, është “know how” se si organizohet një linjë prodhimi, si komunikohet me furnitorët e lëndës së parë, si administrohen burimet njerëzore, si arrihet cilësia dhe sidomos se garanatohet mbajtja e cilësisë, si optimizohen kostot indirekte, etj. E gjithë kjo dije dhe eksperiencë njerëzore duhet të shfrytëzohet për të kaluar nga porositë për veshje e këpucë në porositë për pjesë këmbimi makinash. Ka më shumë vlerë të shtuar në industrinë pjesëve të këmbimit.
– Pas kaq shumë vitesh eksperiencë, duhet të kishim sot disa marka tekstilesh dhe këpucësh të Shkodrës. Duhet të kishim design të Shkodrës. Gërshetimi i shijes për të bukurën të artistëve me këmbënguljen e sipërmarrësve duhet të kishin sjellë “Ditët e fashion-it të Shkodrës/Rozafës apo çfardo emri me kuptim”.
– Edhe vetë brenda industrisë “fason” ka ardhur koha të krijohet një “cluster”. Të gjithë ndërmarrjet kanë nevojë për aksesorë të ndryshëm. Të gjithë i blejnë veçmas. Disa aksesorë (kopsa, penjë, etj) mund t’i prodhonjë dikush në Shkodër duke synuar të gjithë nevojën vendase.
Bujqësi dhe agropërpunim
Edhe në bujqësi, blegtori e agropërpunim e kam gjetur Shkodrën nën potencialet e saj.
Në Shkodër janë bërë dhe bëhen edhe gruri, edhe misri, edhe orizi. Edhe rrushi, edhe qershia, edhe kajsia, edhe pjeshka, edhe molla, edhe dardha, edhe fiku, edhe kiwi. Edhe ulliri, edhe portokalli. Edhe arra, edhe lajthia, edhe bajamja.
Në Shkodër janë rritur dhe rriten edhe shpendët, edhe të leshtat, edhe të dhirtat, edhe gjedhët, edhe derrat.
Në Shkodër ka edhe peshk e prodhime deti, ka edhe peshk liqeni.
Në Shkodër prodhohet edhe mjaltë, por në hotelet kryesore të Shkodrës të shërbejnë çaj me mjaltë që në ambalazh shkruan “Mjaltë Morave”.
Shkodra ka edhe zahiretë e vehta. Ballkonet e Shkodrës janë unike sepse kanë të varura në dimër vargje me caraga (gjucë e tharë e liqenit të Shkodrës), me bamje të thara, me qepë dhe me fiq të thatë.
E kam gjetur Shkodrën nën potencial qoftë në bimë të arave, qoftë në perime, qoftë në fruta, qoftë në të trasha e të imta, qoftë në agropërpunim. Në Malësi të Madhe kanë gjetur veten tek bimët mjekësore dhe bulmeti i të imtave , në Pukë te frutat e pyllit dhe kërpudhat. Në nënShkodër, qoftë në çfarë i takon bashkisë Shkodër, qoftë në çfarë i takon bashkisë Vau i Dejës ka potenciale të pashfrytëzuara. Më pak sipërfaqe me serra, më pak krerë të imtash apo gjedhësh në regjim stallor. Më pak rendimet për hektar. Më pak rendiment për kre. Më pak kapacitete grumbullimi dhe ruajtje afatgjatë prodhimesh bujqësore. Edhe përdorimi i fondeve të mbështetjes direkte për bujqësinë është i ulët. Edhepse në Shkodër kemi edhe një nga të paktat qendra të transferimit të teknollogjisë bujqësore.
Inovacion, mbështetje për talentet e reja
Shkodra ka qënë nxitëse edhe e sportit shqiptar. Sport skuadre dhe sporte individuale. Edhe me top, edhe në ujë, edhe në forcë. Të paktën që prej viteve 20-të të shekullit XX.
Ka ende shumë pasion sportdashës, por jo mjaftueshëm mbështetje për talente të reja. Pak mbështjetje ka edhe për talentet e reja përtej sportit. Edhe në periudhën e komunizimit në Shkodër ka patur industri mekanike të zhvilluar. Mjeshtra e novatorë, nën kushtet e mbështetjes së famshme në forcat tona, kanë bërë jo pak shpikje (nëse e mbani mend autobuzin fizarmonikë, është bërë në Shkodër).
Prandaj po punojmë për të konceptuar dhe më pas ngritur një park të kultivimit të talenteve shkodranë. “SHTG – Shkodra Talent Garden” do të marrë jetë vitin e ardhshëm. Për fat të mirë është identifikuar vendodhja dhe besoj se po krijojmë një model ekonomik të qëndrueshëm. Përveçse në sport (me synim edhe sportet e ujit, edhe sportet e malit), do të mbështeten të rejat e të rinjtë që kanë pasion për shkencën, teknollogjinë, inovacionin.
Ndërtimtari
Në krahasim me pjesë të tjera të Shqipërisë, në Shkodër ndërtohet më pak. Zgjidhja ligjore e ngërçit të të titujve të pronësisë dhe ndryshimet më të fundit në planin e përgjithshëm vendor të bashkisë Shkodër, të miratuara nga Këshilli Komëbëtar i Territorit besoj se do të nxisin edhe ndërtimtarinë. Edhe rezidenciale, edhe turisitike, edhe agropërpunuese, edhe sportive, edhe industriale. Pa dyshim duhet të prijë infrastruktura. Ende konektiviteti wshtw i mangwt.
Edhe vetë qyteti i Shkodrës ka nevojë për një dimension të ri mobiliteti. Qyteti, simbol i biçikletave, nuk ia ka bërë të lehtë lëvizjen këtyre mjeteve. Parkimi është i vështirë, ndërsa ka mjedise ku mund të ndërtohen parkime nëntokësore. Qyteti ka nevojë për një terminal transporti ndërqytetas.
Arsim universitar mjekësor
Mund të jem subjektiv në çfarë do të them në vijim. Ndoshta sepse detyra e ministrit të shëndetësisë më ka krijuar kontakte më të afërta me spitalin rajonal të Shkodrës. Edhe pse gjatë detyrës së ministrit me mjekët e atij spitali kam patur “përplasje” publike.
Deri në këto rradhë kam qënë goxha kritik me Shkodrën dhe Shkodranët. Por, sipas mendimit tim, nëse ka një fushë ku Shkodra është e dyta pas Tiranës dhe më lart se të gjithë të tjerët përveç Tiranës, është mjekësia.
Spitali rajonal i Shkodrës është jo vetëm një qendër e nivelit të lartë të kujdesit mjekësor, por edhe një vatër e mirfilltë intelkektualizimi. Intelektualizëm 360 gradë.
Nisur nga çfarë potencialesh njerëzore ai spital ka, nisur nga nevojat e vendit, nisur edhe nga vetë dëshira e mjekëve të atij spitali, kemi filluar punën për shdërrimin e spitalit të Shkodrës nga rajonal në universitar. Synojmë që të jetë efektiv në vitin e ri akademik 2021 – 2022.
Në vend të mbylljes
Të gjitha sa më sipër mund të jenë të pamjaftueshme, të paplota, të pasakta.
Për dikë mund të duken si ëndrra.
Mua nuk më lejohet të ëndërroj. Ose edhe nëse mund të ëndërroj, nuk kam të drejtë t’i tregoj ëndërrat e mija. Të paktën jo për Shkodrën. Jo se nuk kam më as moshën për të ëndërruar, por sepse funksioni publik që kryej me dëshirën time nuk më jep lluksin të merrem me vehten time.
Unë jam lindur e rritur në Tiranë. Jam nga Shkodra sepse prej aty është im atë dhe familja e tij. Prandaj nga Shkodra është edhe vajza ime. Në shtëpinë e gjyshërve në Shkodër (prapa Radio Shkodrës është një kryqëzim ku ndodhet një rrap i madh dhe ai vend quhet “çinari i Hoxhë Dheut”) kam ardhur çdo verë në fëmini. Më kujtohet çardaku dhe frika nga shkallët. Mërzitesha sepse truma në oborr nuk nxirrte ujë. Më tej për rreth 10 vite (1981 – 1991) kam ardhur rregullisht në Shkodër për të luajtur basketboll si kundërshtar i Vllaznisë. Pastaj, nga 1994 deri në 2006 kam ardhur për punë herë pas here. Prej 2007 e deri më sot me Shkodrën kam lidhur eksperiencën politike, si deputet apo si ministër.
Pandemia e COVID 19 besoj se na ka bërë të gjithëve t’i shohim gjërat më ndryshe. Edhe vehten, edhe familjen, edhe fqinjin. Edhe jetën, edhe shëndetin, edhe vdekjen. Edhe pasurinë, edhe privatësinë, edhe lirinë. Edhe frikën, edhe dashurinë, edhe urrejtjen. Edhe mëshirën, edhe përbuzjen, edhe cinizmin. Edhe bujarinë, edhe egoizmin. Edhe vesin, edhe virtytin. Edhe politikën, edhe demokracinë.
Prandaj po i shkruaj këto rradhë në vigjilje të vitit të ri, me dëshirën për të nxitur shkodranët të krijojnë ëndrrën e tyre. Le të jetë krejt e ndryshme nga çfarë kam shkruar unë më lart. E rëndësishme është ta artikulojnë me forcë dhe ta besojnë me zemër.
Walt Disney thotë se dallimi midis ëndrrës dhe projektit është se ku i fundit ka një datë fillimi dhe një datë mbarimi.
Jam i lumtur të kontriboj në shndërrimin e ëndrrës së shkodranëve në projekt. E bëj me shumë dëshirë.
Vit 2021 sa më të shëndetshëm. Gëzuar!