Një oficer policie i qarkut Shkodër ka mbetur i vrarë pasditen e së shtunës gjatë një operacioni për kapjen e një të dyshuari. Burime policore lokale bëjnë të ditur se uniformat blu, në bashkëpunim me ato të FNSH-së, ishin vënë në ndjekje të një personi që më herët kishte plagosur një të ri 21-vjeçar.
Për t’i shpëtuar rrethimit të policisë, shtetasi Ruzhdi Aishta ka hapur zjarr ndaj tyre duke plagosur rëndë komandantin e FNSH-së, Simon Gjeta, i cili ka ndërruar jetë pak më vonë, rrugës për në spital.
( Në foto komandanti i FNSH-së në Shkodër Simon Gjeta)
Ndërkohë, i kërkuari mbahet i rrethuar nga forcat speciale të RENEA-s, të cilat u kanë ardhur në ndihmë kolegëve të FNSH-së. Më herët, Aishta ishte përfshirë në një sherr në një lokal në fshatin Oblikë, ku kishte qëlluar me armë 21-vjeçarin Besmir Sherbela.
Ngjarja ndodhi pas një sherri të momentit, me Sherbelën që mori një plagë në shpatull, ndërsa Aishta arriti të largohej nga vendi i ngjarjes. 21-vjeçari Sherbela u dërgua në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia: Kujdes! 50-vjeçari Aishta shumë i rrezikshëm
Policia e Shkodrës ka zbardhur ngjarjen që i mori jetën komandantit të FNSH-së si dhe u plagos një tjetër. Sipas policisë Ruzhdi Aishta qëlloi fqinjin e tij pas një debati për një gardh. 50-vjeçari Aishta qëlloi më pas efektivin e FNSH-së në momentin që ai do ta arrestonte. Aishta njihet si person problematik dhe me rrezikshmëri shumë të lartë.
Ndërkohë një autoblindë pranë banesës së vrasësit të oficerit të FNSH-së. Policia ka njoftuar se do të veprojë me autoblindë në banesën e të dyshuarit nëse ai refuzon të dorëzohet. Gjithashtu policia u ka bënrë thirrje banorëve të zonës që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
Kreu i policisë së Shtetit Haki Çako, sipas mediave, i ka dhënë urdhër efektivave që kanë rrethuar vrasësin, që të qëllojnë nëse kanë fushëpamje.
Nderkohë pak momente më parë mediat në terren njoftojnë se kanë rinisur të shtënat nga objekti ku ndodhet Ruzhdi Aishta.
Pas orës 24.40 minuta raportohet se policia po hyn në shtepinë e Aishtës me autoblind. Dëgjohen krisma të shumta dhe thirrje “hidhe përtojë armën”. Mesa duket operacioni për kapjen e Ruzhdi Aishtës ka hyrë në fazën finale.
Lajmi në përditësim…