Alfred Lela, është zëri i radhës nga “Foltorja”, që merr në mbrojtje kullën e Berishëve në mes të Tiranës.
Ja çfarë shkruan Lela:
“Unë do t’ja jap për 2 minuta, aq sa zgjat leximi i këtij editoriali, atë kullë, Shkëlzen Berishës. Ta gëzojë! Nuk ka mënyrë më të mirë për të shkoqitur dhe rrëzuar një argument se sa për të pranuar atë, fillimisht, siç shtrohet nga paraqitësit.
Pra, Berisha junior ka një kullë të hatashme, e cila është më e larta në qytet, dhe e fundit në radhën e kullave që janë ndërtuar, janë në ndërtim e sipër apo kanë përfunduar. Tani, meqë e pranuam argumentin e atyre, që po i quajmë këtu ‘kundërshtarë’ të Berishës, për fair play, ta pranojnë edhe ata kundërargumentin e ‘mbrojtësve’. Nëse Shkëlzeni ka një kullë, këtë të fundit dhe më të ububshmen ndër to, kush i ka të tjerat?
Që ta vazhdojmë lojën në fair play, duke përdorur të njëjtin argument të ‘kundështarëve’, jemi të përligjur në pretendimin se janë të Ramës dhe Veliajt. Përderisa ‘kundërshtarët’ nuk e kanë ngritur zërin për to, por i ka çmeritur një kullë e vetme… I gëzofshin, edhe ata!
Meqë, si grekët e lashtë e shtruam paq argumentin, mund ta arrijmë lehtë në përfundimin, se Berisha na paska një kullë, këtë katallanen e fundit, dhe dyshja Rama-Veliaj ka 30 e sa të tjerat (nuk e di sa janë saktësisht dhe numri është arbitrar).
Kur Berisha është në disavantazh të thellë në kullologji, pse ‘kundërshtarët’ këlthasin gjithë këtë kiamet? A nuk duhet të bërtisnin për ata që kanë 30? E kanë me kullat apo me Berishën?
Kundërshtarët e dinë përgjigjen. Në fakt e kanë me ‘kullën politike’ të Berishës, apo me Doktorin si ‘kullë politike’. Sigurisht, u duhet ta mveshin hakërrimin me petka morale. Petku moral është rrjeta ku bien të gjithe ata që mendja, si ajo imagjinare ashtu dhe ajo analitike, u lejon të përtypin vetëm një argument. Argumentin i cili merr vlerë nga predispozita e tyre shpirtërore, mendore dhe politike. Është fenomeni që në botën e komunikimit njihet si dhoma e jehonës (echo chamber). Pra një virtualitet ku ti dëgjon apo pranon, dhe stimulon, vetëm ato ‘të vërteta’ që nuk bien ndesh me besimet/predispozitat e tua.
Cili është petku moral për të cilin po flas? Berisha me të tijtë, që bërtasin për korrupsion dhe vjedhje, janë edhe vetë të molepsur. Pra, janë hipokritë. Përpjekja e këtij argumenti me petka morale është e dyfishtë: ajo bën pis njerëzit, pra intuicionet e tyre, por edhe qëllimet, apo institucionet e tyre politike. Pra Berishën me mbështetësit e tij, dhe Partinë Demokratike në opozitë.
Është formula e lashtë që kërkon, jo vetëm rrëzimin, por edhe asgjësimin dhe poshtërimin e kundërshtarit.
Këta lloj kundërshtarësh parapëlqejnë të jenë, apo përdoren, si nivelues. Meqë është kriza e tre incineratorëve duhet shpikur kriza e kullës. Kësisoj gjërat shkojnë në nivel. E keqja e madhe nuk është më aq e madhe sepse, pa shihni, ka incineratorë, por edhe një kullë.
Në fund, ja edhe një ushtrim për ata që guxojnë të nxjerrin krenat nga dhoma e jehonës. Merrni shtypin anti-Berishë tani dhe krahasojeni me shtypin anti-Berishë kur ai ishte në pushtet. Në fasha të ndryshme kohore do të gjeni në ato vite një zulmë të madhe, medemek revolte, për bregdetin e Jugut që po e merrnin “njerëzit e Berishës”. Herë ishte Shkëlzeni e herë Argita, e herë malokë të tjerë, që po i prishin bukurinë Sarandës me gjithë Delvinë (kjo e fundit nuk ka det, po ku pyesin niveluesit. Shenjtëria e tyre bën me det edhe Majën e Hekurave).
Por, ka ndodhur diçka megjithë mend argëtuese, që të bën të qeshësh këtu e të dëgjohesh në Bjeshkë të Namuna. Edi Rama sapo u ka dhënë 5.8 milion metër katrorë inevestitorëve strategjikë, shpallur të tillë nga hirësia e tij. Nëpër këtë tokë të bregdetit adriatik e jonian të Jugut do të shtrihen 52 projekte, nga të cilat vetëm 2 janë tërësisht të huaja. Po vjen pra, betonizimi i madh i bregdetit të Jugut. Pse nuk flasin niveluesit për këtë? Sepse ka petka morale, por edhe petë të tjera.
Por, për të qeshurën që pata pak më lart, më duhet sipërfaqja. Po e përsëris: 5.8 milion metër katrorë bregdet. Po të kujtoni zhurmën e para 15 viteve, se si Berisha, and the maloks, po merrnin të gjithë tokat në bregdet, mendja të pret një thelë të madhe territoriale që është diku te 10.2 milion metra katrorë.
Pastaj, ju, si qenie gjithë nur inteligjennce do të thoni: po bregdeti i Jugut tonë nuk është sa i Kilit (shiheni në hartë atë breg-gjatësi gjeografike që i ngjan këmbës së një latineje në tango e sipër).
Dhe, keni të drejtë, nuk është.
Por niveluesit do thonë të tyren. Sa më shumë zhurmë të bëjnë, aq më shumë punë u kanë dhënë të bëjnë. Janë si ata që u kanë ngarkuar të hapin varrin e tyre dhe kujtojnë se duke shkuar thellë e më thellë e vonojnë fundin.”
/a.r