Historiani Pëllumb Xhufi e cilëson një gjest të shëmtuar shkatërrimin e bustit të Mit’hat Frashërit. I ftuar në studion e lajmeve të MCN Tv, Xhufi tha duhet të mendohej më mirë nëse busti e kishte vendin aty ku ishte vendosur, por shtoi se asgjë nuk e justifikon gjestin.
Duke vijuar më tej, Xhufi tha se vendimmarrësit duhet të pyesin historianët kur të ngrenë në piedestal një figurë historike.
Padyshim gjesti është i shëmtuar jo vetëm ndaj Mid’hat Frashërit që ka merita të veçanta sidomos për një periudhë kohore që nga pavarësia deri në 1925 kur mbylli karrierën si përfaqësues i Shqipërisë në Athinë. Si shumë personalitete pati luhatjet dhe ka të drejtë të shkruhet. Në gjykimin tim ka shkelur dhe në gjërat që i kishte të shenjta. Mund të mendohej më mirë, nëse e kishte vendin aty apo dikur tjetër, ajo treshja për mua është e shenjtë. Treshja i përket një epoke tjetër, një brez përpara dhe mund të vendosej diku tjetër, por kjo nuk e justifikon gjestin, është gjest fanatikësh. Vendimmarrësit tanë duhet të mendohen për këto gjëra, kur e vendosin një figurë në piedestal, apo kur e heqin, duhet të pyesin historianët. Duhet gjetur vendi i duhur. Loja duke hedhur varret me dinamit është makabre. Mos diskutojmë figurën, pasi mund të kem rezerva, por ai ka mbrojtur çështje çame si askush, ka mbrojtur pavarësinë e shqiptarëve dhe në Konferencën e Paqes në 1919 ka dhënë kontributi të jashtëzakonshme.
Më tej, Xhufi tha se ai bashkë me disa kolegë po përgatisin një tekst me disa vëllime për historinë e shqiptarëve, por në ndryshim nga ato paraardhëset teksti do të ketë risi.
Unë me kolegë të tjerë kemi prioritet realizmin e historisë së shqiptarëve, një tekst me disa vëllime që do të trajtojë në mënyrë shkencore dhe me risi në krahasim me tekstet e mëparshme. Kjo do jetë e veçantë pasi do të jetë e pajisur dhe me ‘footnote”. Referenca, do të citohet burimet më të mira, arkivore dhe bibliografike të cilat e kanë vendin aty dhe i japin përgjegjësi asaj që shkruhet.
/a.r