Këshilli i Ministrave është njoftuar zyrtarisht nga Prefekti i Tiranës për propozimin për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj nga Këshilli Bashkiak.
Burime bëjnë me dije se mbledhja e Qeverisë për të shqyrtuar shkarkimin e Veliajt do të mbahet ditën e nesërme në orën 12:00.
Kujtojmë se ditën e sotme kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës.
Mbledhja, e cila nisi në orën 11:00, u mbajt në ambjentet e selisë së Partisë Socialiste. Takimi erdhi një ditë pas shkarkimit të Erion Veliajt me 50 vota pro nga Këshilli Bashkiak.
Në takim ishte e pranishme edhe Ogerta Manastirliu, kandidatja e PS-së për Tiranën.
Burime të pakonfirmuara thonë për A2 CNN se kryetarja në detyrë e Bashkisë, Anuela Ristani, është larguar një orë më herët nga takimi, dukshëm e mërzitur, pasi kjo i është kërkuar nga Kryeministri Edi Rama.











