Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me trupë gjykuese të përbërë nga Suela Zhegu, Valbona Sanxhaktari dhe Brunilda Bekteshi, ka vendosur të shkarkojë nga detyra gjyqtarin pranë Gjykatës së Apelit Korçë, Sotiraq Lubonja. Ky i fundit është hetuar për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Gjyqtari është shkarkuar për shkak se nuk ka mundur të kalojë testin e pasurisë. Përpos të tjerave, gjyqtari ka deklaruar 9.296.340 lekë ose 85 mijë USD dhuratë nga vjehrri, vjehrra dhe kunati nga viti 2005 deri në vitin 2016. I pyetur nga anëtarët e Komisionit të Vetingut mbi këto dhurata të pazakonta, gjyqtari Sotiraq Lubonja ka pohuar se kështu është tradita e familjes shqiptare dhe se dhurimi ka qenë një kënaqësi e vjehrrit, vjehrrës dhe kunatit.
“Për sa u përket veprimeve të dhurimit nga ana e vjehrrit, vjehrrës e kunatit, subjekti i rivlerësimit sqaron se ka qenë kënaqësia e tyre dhe dëshira e tyre, si edhe mundësitë financiare për të mikpritur nipërit dhe familjen e vajzës së tyre, ashtu siç është tradita e familjeve shqiptare, e aq më tepër të gjakut të tyre, në një kohë që nuk kanë qenë afër rritjes e ecurisë në vite të nipërve, duke e shprehur jo vetëm me dhurime, por edhe me mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit. Dhe as që bëhet fjalë për mosmarrjen përsipër edhe të shpenzimeve të tjera, si ushqime, veshje etj., gjatë kohës së qëndrimit në SHBA”, thuhet në vendim.
Dhuratat të pajustifikueshme
Trupi gjykues ka arritur në përfundimin se, dhuratat e deklaruara nga subjekti janë të pajustifikuara. “Subjekti i rivlerësimit ka paraqitur deklaratat e të ardhurave, pas taksave, për vitet 2006-2010, të vjehrrit dhe vjehrrës në SHBA, ku rezulton se ata kanë të ardhura 35.000 USD në vit.
Ata kanë përfituar edhe pensione në Shqipëri, të cilat për vitet 1998- 2018 shkojnë në vlerën totale prej 6.233.078 lekësh, duke përfshirë edhe pensionin suplementar të vjehrrit. Të ardhurat e vjehrrit dhe vjehrrës nuk rezultojnë të larta. Ka paraqitur edhe dokument mbi të ardhurat e kunatit për vitet 2010, 2013, 2014, nga ku rezulton se ai ka të ardhura të mira në familjen e tij. Në përfundim trupi gjykues nuk u bind nga shpjegimet dhe provat e dërguara nga subjekti i rivlerësimit mbi të kundërtën e rezultateve të hetimit, duke i konsideruar të pajustifikuara dhuratat e bëra subjektit të rivlerësimit në shumën prej 9.296.340 lekësh nga vjehrri dhe vjehrra”, thuhet në vendim.
Dhuratë 2/3 e një shtëpie
Gjyqtarit pranë Gjykatës së Apelit Korçë, Sotiraq Lubonja, përveç 85 mijë USD, i kanë dhuruar edhe 2/3 e një shtëpie banimi dykatëshe në Korçë. I pyetur nga KPK se pse ia kanë dhuruar këtë pasuri të paluajtshme, gjyqtari ka pohuar se është kujdesur për djalin e dhuruesit, kur ky i fundit ka qenë në burg. “I pyetur për arsyen e dhurimit dhe marrëdhënien me këta shtetas, subjekti i rivlerësimit sqaron se gjyshja dhe gjyshi i subjektit janë kujdesur për z. K. K dhe djalin e tij, kur këta kanë qenë në burg. Ka marrëdhënie miqësore, por edhe shpirtërore, dhe dhurimi është një amanet i lënë nga prindërit e dhuruesve.
Znj. M. Sh nuk arriti ta bëjë këtë dhurim, pasi ka vdekur në vitin 2018 në SHBA, duke mos dhënë shpjegime se përse ai nuk është realizuar deri para vdekjes. Nga shqyrtimi i dokumentacionit, ka rezultuar se subjekti i rivlerësimit ka një akt përfaqësimi, prokurë e përgjithshme e datës 17.09.1999, e mbajtur në SHBA (depozituar pranë Komisionit), ku njëri prej dhuruesve të shtëpisë, z. N. K, emëron për kryerjen e veprimeve juridike lidhur me pronat e paluajtshme të tyre në Korçë subjektin e rivlerësimit, z. Sotiraq Lubonja”, thuhet në vendim.
Shtesë pa leje
Tek kjo banesë, KPK ka zbuluar se gjyqtari ka bërë një shtesë pa leje. “Në shtëpinë e banimit në Korçë rezulton se subjekti i rivlerësimit ka kryer ndërtim pa leje, duke bërë shtesë anësore dhe shtesë kati + papafingo”, thuhet në vendim. Sipas KPK, gjyqtari nuk ka pasur para për ta bërë këtë shtesë. “Subjekti i rivlerësimit ka poseduar prej vitit 1995 deri në vitin 2002 pronën pa një akt të ligjshëm, si dhe prej vitit 2002 në vitin 2007, e në vijim, poseduar pjesët, sipas kontratave të dhurimit.
Subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar të saktë sipërfaqen e shtesës ndërtim pa leje, vitin se kur e ka kryer këtë ndërtim pa leje (shtesë anësore dhe shtesë kati) dhe a ka pasur përmirësime të pronës ndër vite, të cilat mund të kenë rritur koston e ndërtesës. Ai ka deklaruar si burim për krijimin e kësaj prone të ardhurat nga paga. Kostoja e ndërtimit të banesës së subjektit të rivlerësimit llogaritet në vlerën prej 6.379.351 lekësh. Kjo kosto është disa herë më e lartë se kostoja e deklaruar nga vetë subjekti”, thuhet në vendimin e KPK.
Konkluzionet përfundimtare të KPK për pasurinë e gjyqtarit
- Nga vlerësimi i pasurisë rezulton se referuar nenit D, pika 5, të Aneksit të Kushtetutës, subjekti i rivlerësimit ka paraqitur në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi, posedim apo përdorim të tij, duke mos paraqitur saktë kohën kur është kryer ndërtimi i shtëpisë, sipërfaqen reale të shtesës (ndërtim pa leje) dhe kërkesën për legalizimin e objektit të ndërtuar pa leje.
- Subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë, sipas parashikimeve të nenit 33 të ligjit nr. 84/2016, pasi ai ka treguar një sipërfaqe tjetër, nga ajo reale, për banesën e tij në Korçë, duke kryer fshehje të pasurisë, si dhe subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasurinë e ndërtuar. Ai ka kryer deklarim të rremë lidhur me vlerën e ndërtimit të pronës.
- Ndërtimi pa leje në tokën e dikujt tjetër ka qenë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Posedimi i sendit (truallit) nga personi jopronar ka qenë në mirëbesim dhe kjo e ka penguar subjektin të paraqesë kërkesë për leje ndërtimi sipas ligjit të asaj kohe, duke kryer kështu ndërtim pa leje dhe duke mos deklaruar kërkesën për legalizimin e objektit të ndërtuar pa leje.
- Subjekti i rivlerësimit ka deklaruar si burim të ardhurash, për shpenzime të kryera në jetën e tij (udhëtime), por edhe për blerjen e disa pasurive të cituara më lart në vendim, të ardhura të krijuara nga dhurimet nga vjehrri dhe vjehrra, por edhe kunati. Megjithëse subjekti i rivlerësimit paraqiti një dokument lidhur me të ardhurat vjetore të tyre në SHBA dhe Shqipëri, trupi gjykues nuk u bind lidhur mbi mundësitë financiare të dhuruesve, pasi në asnjë rast të shpjeguar më lart në vendim, subjekti nuk mundi të provojë se ato para kishin ardhur në ndonjë formë që të mund të provohej përfitimi i tyre (transfertë bankare, deklarim në kufij) dhe se ato dhurime krijuan dyshime për trupin gjykues.
- Trupi gjykues e konsideron si deklarim të rremë burimin e krijimit të dhuratave të përfituara nga vjehrri dhe vjehrra, duke konstatuar mungesë burimesh financiare të ligjshme për të krijuar shumat e dhuruara, si dhe mungesë e dokumentacionit ligjor provues, për realizimin e dhurimeve. Mbetet e padokumentuar mënyra e dërgimit nga SHBA-të e shumës 5.000 USD, për djemtë P. Dhe I. L, në vitin 2015, si dhe pamundësi financiare e shtetasit G. Gj për dhurimin e shumës prej 25.000 USD në vitin 2005.
- Mbështetur në analizën financiare, të kryer nga Komisioni, rezulton se nëna ka qenë në pamundësi për realizimin e të ardhurave të deklaruara të kursyera, duke mbajtur në konsideratë edhe faktin se deri në vitet 2002-2003, të ardhurat familjare kanë shërbyer tërësisht për ndërtimin e shtëpisë në Korçë, po ashtuedhe faktin se vetë subjekti i rivlerësimit ka deklaruar kursime ndër vite.
- Trupi gjykues, bazuar në provat që disponoi, në vlerësimin në tërësi të dhuratave të përfituara dhe mënyrës se si ato janë realizuar, nuk u bind lidhur me ligjshmërinë e dhurimeve, duke i konsideruar ato si deklarim të rremë nga ana e subjektit të rivlerësimit.
- Mbështetur në analizën financiare të kryer nga Komisioni, rezulton se subjekti i rivlerësimit nuk ka pasur likuiditete të mjaftueshme për blerjen e makinës tip “Mercedes Benz”./shqiptarja /a.ç