Rastet e disa llojeve të kancerit po rriten ndjeshëm te personat nën 50 vjeç, sipas një studimi të ri ndërkombëtar që ka analizuar të dhëna nga Anglia, SHBA-ja dhe Holanda.
Në Angli, rastet e kancerit të prostatës te personat nën 50 vjeç janë katërfishuar që nga viti 2001, ndërsa diagnozat e hershme të kancerit të zorrës së trashë, veshkave dhe mitrës janë më shumë se dyfishuar.
Studimi i kryer nga World Cancer Research Fund (WCRF) zbuloi rritje të konsiderueshme të rasteve të hershme për shtatë lloje kanceri në Angli, pesë në SHBA dhe katër në Holandë.
Në Angli, te personat nën 50 vjeç, incidenca e kancerit të prostatës u rrit nga 1 rast për 100 mijë persona në vitin 2001 në 3.6 raste për 100 mijë në vitin 2023. Ndërkohë, rastet e kancerit të zorrës së trashë u rritën nga 3.9 në 8.4 raste për 100 mijë persona.
Edhe kanceri i mitrës dhe ai i veshkave u dyfishuan, duke arritur përkatësisht në 3.9 dhe 3 raste për 100 mijë persona. Kanceri i gjirit pati një rritje më të moderuar, nga 42 në 47.5 raste për 100 mijë persona, ndërsa u vu re gjithashtu rritje e rasteve të kancerit të pankreasit dhe mëlçisë.
Në SHBA, të dhënat zyrtare që nga viti 2000 tregojnë se rastet e kancerit të veshkave te personat nën 50 vjeç janë më shumë se dyfishuar, nga 2.5 në 5.3 raste për 100 mijë persona. Kanceri i zorrës së trashë, mitrës dhe pankreasit u rrit me më shumë se 50%, ndërsa rastet e kancerit të gjirit u shtuan me rreth 20%.
Në Holandë, studiuesit evidentuan rritje të konsiderueshme të rasteve të hershme të kancerit të zorrës së trashë, veshkave, mëlçisë dhe qafës së mitrës.
Në të kundërt, rastet e kancerit të mushkërive te personat nën 50 vjeç kanë rënë në të tre vendet, një prirje që lidhet me uljen e duhanpirjes.
Ekspertët paralajmërojnë se rritja e rasteve të kancerit në moshat më të reja mund të lidhet me faktorë të stilit të jetesës, përfshirë obezitetin, ushqyerjen jo të shëndetshme, mungesën e aktivitetit fizik, konsumimin e alkoolit dhe duhanpirjen. Në analizë përmenden gjithashtu ekspozimi ndaj ndotësve, kimikateve, plastikës dhe ndotjes së ajrit e ujit.
Profesor Mark Lawler nga Queen’s University Belfast e cilësoi situatën si një “bombë me sahat” që duhet të trajtohet sa më shpejt, duke paralajmëruar se shifrat mund të vazhdojnë të rriten.
Ndërkohë, Giota Mitrou, drejtore ekzekutive për kërkimin dhe politikat në WCRF, e cilësoi tendencën “shqetësuese”. Sipas saj, megjithëse kanceri mbetet shumë më i zakonshëm te të moshuarit, ndryshimi i modeleve te brezat e rinj duhet të trajtohet si një prioritet serioz për kërkimin dhe parandalimin e sëmundjes.
Studiuesit theksojnë se rreth 40% e rasteve të kancerit lidhen me faktorë të modifikueshëm të rrezikut. Megjithatë, rritja e ndërgjegjësimit për simptomat dhe diagnostikimi më i hershëm mund të kenë ndikuar gjithashtu në rritjen e numrit të rasteve të regjistruara.











