Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Denisa Dokun, e cila shkaktoi aksident, ku mbeti e vdekur Alida Spahiu. Kjo masë e lehtë sigurie ndaj 19-vjeçares, e cila është ende në ambientet e spitalit, vjen pas kërkesës së familjarëve të 22-vjeçares që humbi jetën, që çështja të mbyllej.
“Marrëdhëniet tona me familjen Doku janë të sqaruara. Ne kemi marrëdhënie familjare pasi Alida ishte e fejuara e vëllait të Denisës”, thonë prindërit.
Aksidenti i rëndë ndodhi mbrëmjen e të shtunës në rrugën Demokracia në Kamëz, ku 22-vjeçarja pasagjere humbi jetën si pasojë e përplasjes së një Smartit me një Benz.
Në drejtimin e mjetit Smart, që bëri një manovër të gabuar, teksa tentonte që të kalonte rrugën ishte Denisa Doku 19-vjeçe, e cila është një prej vajzave më të ndjekura në “Tik Tok”, ndërsa 22-vjeçarja që humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra është mikeshë e saj./a.p