• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, December 8, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Shihemi në gjykatë

by Ardian Vehbiu
13/03/2025 19:10
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Ardian Vehbiu

Prej kohësh në Shqipëri ndërveprimi publik mes aktorëve politikë ka ngecur në nivelin e një loje me shumën zero, për të mos thënë negative, ku nuk ka partnerë por vetëm kundërshtarë dhe ku bashkëpunimi a kompromisi shihet si koncesion në rastin më të mirë dhe tradhti në rastin më të keq. Por tani që afrohen zgjedhjet, duket sikur një dukuri relativisht e re po merr formë – konflikti mirëfilli politik ia ka zënë vendin akuzës me pasoja penale dhe inkriminimit, duke u orientuar në mënyrë të tillë, që fitorja e njërës palë të përkojë me burgosjen e palës tjetër, çfarë e sjell drejtpërdrejt gjyqësorin në skakierë.

Kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri; mjaft të përmend që edhe në SHBA përndjekja penale e Trump-it gjatë 4-vjeçarit të presidencës Biden luajti rol të drejtpërdrejtë në zgjedhjet e vjetshme. Por të paktën në SHBA dhe gjetiu në Perëndim politika si e tillë ende orientohet sipas temave dhe termave të debatit: për SHBA, këto do të ishin imigrantët, kufiri, tarifat, Kina, mjedisi, pakicat seksuale, shpenzimet shëndetësore e kështu me radhë. Ndërsa në Shqipëri unë ende e kam të vështirë të marr vesh – duke ndjekur mediat, platformat e debateve dhe talk shows në TV – se cilat çështje, tema dhe kauza i ndajnë dy partitë kryesore. Përkundrazi, gjithçka dëgjoj e shoh duket sikur vjen rrotull rreth individëve, krerëve politikë, emrave: të atyre që pushtetin e kanë dhe të atyre që pushtetin e duan. Sa për programet dhe strategjitë, këto i gjen te shënimet në fund të faqes, me përjashtim të akuzave shpesh bombastike që formulohen për krimet me gjasë të kryera nga ky ose ai dhe për nevojën që ky ose ai “të rrasen brenda” dhe përgjigjen “shihemi në gjykatë”, që njëherazi shënjon dështimin dhe vdekjen e debatit politik si të tillë.

Nuk është as normale, as e shëndetshme, që politika të reduktohet në një fushatë kundër kriminalitetit të politikanëve, edhe pse – po ta mendosh hollë – arrestimi, “non-grata” dhe burgu janë mënyra komode për ta nxjerrë një lojtar nga loja, pa qenë nevoja për t’ia besuar këtë votës “popullore”. Tek e fundit, ne sistematikisht vazhdojmë ta kornizojmë politikën si LUFTË, çfarë sjell me vete edhe elemente që janë pjesë e pandarë e luftës, nga armiku dhe asgjësimi i tij te sulmi, nga kështjella te martirët, nga sakrifica te viktima, nga dorëzimi te tradhtia, nga fitorja te mposhtja dhe humbja, nga triumfi te zbythja. Nuk është pra, puna, te kornizimi POLITIKA ËSHTË LUFTË, por te motivet specifike të kësaj lufte – për çfarë përplasen palët? Për cilat ideale, programe dhe vizione? Apo thjesht për kolltukun e pushtetit?

Një element semantik qendror i LUFTËS si krye-metaforë është ARMIKU. Armiku ka qenë rregullisht i pranishëm në mënyrën si e kemi rrëfyer veten ne shqiptarët; aq sa nuk mund ta përfytyrojmë dot identitetin tonë pa të. Te një ese tashmë e mirënjohur, “Costruire il nemico”, Umberto Eco-ja përmend dobinë e armikut, për të ndërtuar ne identitetin kolektiv (si komunitet, si popull, si klasë, si komb) dhe për të kolauduar sistemin e vlerave që na motivojnë. Në çdo rast, armiku paraqitet (ose ndërtohet) si i ndryshëm prej nesh – në zakone, në gjuhë, në fe, në veshje, madje edhe në gjeografi; dhe ky diversitet, gjithnjë sipas Eco-s, tashmë na shërben për të na lajmëruar kërcënimin.

Në SHBA-të e Biden-it armiku ishte racisti, homofobi, ksenofobi, suprematisti i bardhë; ndërsa në SHBA-të e Trump-it armik është imigranti ilegal, burokrati parazit, aktivisti i lëvizjes woke. Në Shqipëri, ngaqë ne nuk arrijmë ta artikulojmë politikën por vetëm ta belbëzojmë dhe ta pështyjmë në fytyrën e Tjetrit, armiku jo rrallë njëjtësohet simbolikisht me “serbin”, “grekun”, “turkun”; ose projeksionin e këtyre dordolecëve brenda nesh: “myslimanin”, “vllahun”, “të shiturin te grekët”, “të shiturin te serbët”, “antishqiptari”. Sado rudimentare dhe shpesh folklorike, kjo skemë të paktën garanton që konflikti të mbetet gjithnjë antagonist dhe me rrënjët tek ideja që e keqja mund të na vijë vetëm nga jashtë; aq sa ky model i së keqes së jashtme vlen edhe kur e akuzojmë kundërshtarin se po vjedh, po korrupton dhe po korruptohet. Por kjo e shndërron pluralizmin në një efekt të padëshiruar të dobësisë politike, çfarë është edhe argumenti kryesor i fashizmit anembanë.

Le të mbajmë parasysh edhe se elitat tona politike nuk kanë arritur të përpunojnë një ligjërim të tillë, që të shkëputet prej atij totalitar të para-1990-ës; që ishte në thelb i një regjimi që vazhdonte ta gjente legjitimitetin e vet te Lufta – ajo e mirëfilltë, Nacional-Çlirimtare dhe pastaj Lufta e Ftohtë; dhe që e artikulonte politikën si konflikt antagonist me armikun edhe të jashtëm, edhe të brendshëm, duke i rezervuar rol të posaçëm “armikut të klasës” dhe “armikut të Partisë”. Në planin praktik, politika e përditshme në kohën e Hoxhës artikulohej si lufta kundër (analfabetizmit, kulakëve, zakoneve prapanike, fesë, revizionizmit modern, shfaqjeve të huaja) dhe si lufta për (emancipimin e gruas, kooperativizimin e zonave malore, hapjen e tokave të reja); çdo aksion politik ishte njëherazi manifestim madje mishërim i luftës. Nga ajo mendësi antagoniste sot ka mbetur kryesisht vullneti për ta rrëzuar dhe asgjësuar kundërshtarin, edhe pse, në analizë të fundit, është pikërisht ai kundërshtar që jep ekzistencë dhe e përligj këtë.

Por nuk është e thënë që LUFTA të jetë modeli i vetëm, për ta menduar dhe kuptuar konfliktin politik. Gjatë përplasjes së Trump-it, JD Vance-it dhe Zelensky-t në Shtëpinë e Bardhë tani së fundi, pamë e dëgjuam si Trump-i e artikuloi pozicionin e tij sipas metaforës konceptuale të lojës me letra, ku palët i kanë apo nuk i kanë letrat e duhura për të fituar, dhe sipas rastit mund të rrezikojnë (gamble); ky kornizim i vjen natyrshëm një biznesmeni amerikan, që e sheh procesin politik si një vijueshmëri transaksionesh, që kalon nga një marrëveshje (deal) në tjetrën dhe ku palët kërkojnë përfitimin maksimal. Në përgjithësi, loja vetë, si aktivitet, është version i sublimuar i luftës, i tillë që ta simulojë duke shmangur dhunën vdekjeprurëse ndaj tjetrit; por kur metaforizohet në fuqi të dytë, duke shërbyer si kornizë e ndërveprimit politik, ka të mirën që e zhvesh komunikimin politik nga pozat morale.

Natyrisht, marrëveshjet – deals – në politikën shqiptare nuk është se kanë munguar; por këto janë përfolur dhe vazhdojnë të përfliten si tradhti, dhe jo vetëm ngaqë krerët e palëve në konflikt i paskan tradhtuar vërtet konstituencat e tyre, por ngaqë ne, si kulturë, ende i shohim marrëveshjet me dyshim të madh, dhe jemi instinktivisht të orientuar ndaj asgjësimit të plotë të palës përballë, duke e parë çdo alternativë si gjunjëzim, koncesion të palejueshëm, dorëzim ndaj tjetrit.

Por vëzhguesi i skenës politike në Shqipëri sot nuk mund veçse të konstatojë se debati dhe konflikti, pavarësisht se ku dhe si zhvillohet, ka adoptuar në masë të madhe ligjërimin e prokurorit në sallën e gjyqit, dhe gjithsekush kërkon të provojë se “kundërshtari” ka shkelur ligjin dhe për këtë duhet ndëshkuar, çfarë e bën edhe ndëshkimin vetë pjesë të politikës. Dhe më shqetësuesja është se mund të jetë vërtet kështu – dhe se politika, ashtu siç ndodh sot në Shqipëri, vazhdon të nxjerrë mbi ujë protagonistë që kanë probleme me ligjin, ose të paktën nuk e kanë për gjë ta shkelin, për t’u shërbyer interesave të tyre private. Konspirativisti këtu mund të dyshojë se njerëzit që kanë gjëra për të fshehur, që kanë mizën në kësulë, që kanë treguar se janë të gatshëm të shkelin ligjin për përfitime personale, janë edhe më të përshtatshmit për t’u kandiduar në poste të ndryshme, sepse janë edhe më të shantazhueshmit; prandaj edhe përzgjidhen. Por mundet edhe që politika sot të jetë aq toksike, sa elementet me të shkuar kriminale të jenë të favorizuar, në konfliktin për të dalë në krye dhe për të veshur mantelin e protagonistëve. Një lexim antropologjik i kësaj hipoteze do të ishte se sistemi politik që kemi adoptuar nuk i përshtatet nivelit tonë social dhe kulturor dhe ka dështuar, në kuptimin që ne – si kolektivitet – nuk dimë ta përdorim në mënyrë të tillë, që të na sjellë përfitime kolektive. Në kuptimin që pantallona kemi, por nuk po duam të mësojmë si t’i veshim.

Next Post
Krimi brenda familjes shqiptare në Greqi, del ekspertiza: 44-vjeçarja u godit mbi 40 herë më thikë

Krimi brenda familjes shqiptare në Greqi, del ekspertiza: 44-vjeçarja u godit mbi 40 herë më thikë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Sulmuesi i Kombëtares ‘e djeg’ dasmën e motrës, e mbulon me para (VIDEO)

Sulmuesi i Kombëtares ‘e djeg’ dasmën e motrës, e mbulon me para (VIDEO)

December 8, 2025
“Qeni u frikësua nga të shtënat e gjuetarëve dhe sulmoi fëmijën tim!”Deklarimi prekës i nënë së 2-vjeçarit shqiptar që e vrau pitbulli

“Qeni u frikësua nga të shtënat e gjuetarëve dhe sulmoi fëmijën tim!”Deklarimi prekës i nënë së 2-vjeçarit shqiptar që e vrau pitbulli

December 8, 2025
Joni Keta u propozua nga SPAK si kreu i “FBI-së shqiptare”/ Votohet nesër nga KLP drejtuesi i BKH

Joni Keta u propozua nga SPAK si kreu i “FBI-së shqiptare”/ Votohet nesër nga KLP drejtuesi i BKH

December 8, 2025
Zgjedhja e Avokatit të Popullit, PS hedh poshtë formulën e propozuar nga Bardhi

Avokati i Popullit, zbulohet strategjia e PS/ E preferuara e PD, Jola Hysa. Dokumenti ka 27 nga 28 firmat e duhura

December 8, 2025
“PD ka humbur shpirtin e lëvizjes, i duhet rilindje me figura dhe ideale të reja”

“PD ka humbur shpirtin e lëvizjes, i duhet rilindje me figura dhe ideale të reja”

December 8, 2025
Rrjeti “kryqëzon” influenceren/ Reagimet pasi futi djalin në qese vakumi për një video: Nuk është e denjë për të qenë nënë

Rrjeti “kryqëzon” influenceren/ Reagimet pasi futi djalin në qese vakumi për një video: Nuk është e denjë për të qenë nënë

December 8, 2025
Kujdes kur qesh pushteti!

E kaluara, më e pasigurt se e ardhmja

December 8, 2025
Mblidhet grupi parlamentar i PD, Berisha: Platformë për ripopullimin e vendit

Mblidhet grupi parlamentar i PD, Berisha: Platformë për ripopullimin e vendit

December 8, 2025
Rama vizitë në Jordani, pritet në takim zyrtar nga mbreti Abdullah II bin Al-Hussein

Rama vizitë në Jordani, pritet në takim zyrtar nga mbreti Abdullah II bin Al-Hussein

December 8, 2025
Kreu i PDK i kërkon BE-së heqjen e sanksioneve, përmend edhe Gjykatën Speciale…

Kreu i PDK i kërkon BE-së heqjen e sanksioneve, përmend edhe Gjykatën Speciale…

December 8, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In