Krahasimi i shpenzimeve mesatare për konsum mujor në vitin 2014 dhe 2009 tregon për një ulje të buxhetit për ushqime dhe pije joalkoolike me 5,3% dhe sidomos për grupin restorante dhe hotele me 33,4%. Gjithashtu, shpenzimet për pije alkoolike dhe duhan në vitin 2014 janë ulur me 9,9% krahasuar me 2009. Mëposhtë, intervista me kreun e INSTAT, Gjergj Filipi.
Monitor.al
Çfarë ka ndodhur me strukturën e shpenzimeve familjare, krahasuar me dy periudhat e tjera kur është zhvilluar kjo anketë, në 2009 dhe 2007? Si ka ndryshuar ajo?
Fillimisht le të shpjegojmë se çfarë nënkuptojmë me shpenzime familjare për konsum, të cilat përfshijnë çdo lloj blerje produktesh dhe shërbimesh për të plotësuar nevojat individuale të njësisë ekonomike familjare të zhveshura nga investimet, blerjet e pajisjeve afatgjata dhe qirasë së imputuar. Pra, e thënë më shkoqur, çfarë del nga portofoli i familjeve shqiptare për shpenzimet më frekuente, kryesisht në vlerë monetare, por duke përfshirë edhe produktet e konsumuara të prodhuara nga vetë familja (të vlerësuara me çmimet lokale).
Ndonëse shtrirja kohore e krahasueshmërisë midis ABF 2009-2014 (5 vjet) nga ABF 2007-2009 (2 vjet) nuk është e njëjtë, mund të thuhet se vlerësimi i shpenzimeve mesatare mujore për konsum të njësive ekonomike familjare me vendbanim të zakonshëm në Shqipëri, në vitin 2014 ishte 5,6% më i lartë i krahasuar vitin 2009, ndërsa vlerësimi i shpenzimeve mesatare mujore për konsum të familjeve në vitin 2009, i krahasuar me vitin 2007, ishte 5,2% më i ulët.
Nëse konsiderojmë shpenzimet mesatare mujore për frymë në periudhën njëvjeçare të kryerjes së anketës, rezulton se një individ në Shqipëri shpenzon mesatarisht rreth 18 mijë lekë në muaj për konsum nga të cilat: 8 mijë lekë për konsum ushqimor dhe 10 mijë lekë për konsum joushqimor. Shpenzimi mesatar për frymë për konsum ushqimor ndaj shpenzimeve gjithsej në vitin 2014, ulet nga 50% në vitin 2009, në rreth 44% në vitin 2014.
Sipas Anketës së Buxhetit të Familjes vlerësohet se totali i shpenzimeve mujore për konsum të familjeve për vitin 2014 është rreth 52.6 miliardë lekë në muaj, në vitin 2009 ishte rreth 49 miliardë lekë në muaj, ndërsa në vitin 2007 ishte rreth 52 miliardë lekë në muaj.
Në vitin 2014, numri i familjeve në Shqipëri vlerësohet të jetë rreth 758 mijë, në vitin 2009 ishte rreth 747 mijë dhe në vitin 2007 ishte rreth 752 mijë.
Shpenzimet mesatare mujore për konsum të familjeve, të krahasuara për tre vitet e kryerjes së anketës:
Grupet kryesore të konsumit | Vlera në Lekë ABF 2007 | Vlera në Lekë ABF 2009 | Ndryshimi ne % 2009/2007 | Vlera në Lekë ABF 2014 | Ndryshimi ne % 2014/2009 |
Ushqim dhe pije joalkoolike | 33,003 | 32,470 | -1,6 | 30,745 | -5,3 |
Pije alkoolike dhe duhan | 3,011 | 2,739 | -9,0 | 2,467 | -9,9 |
Veshje dhe këpucë | 4,297 | 3,552 | -17,3 | 3,546 | -0,2 |
Shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike dhe qira e paguar | 5,109 | 5,941 | 16,3 | 7,085 | 19,3 |
Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës | 4,081 | 3,215 | -21,2 | 3,772 | 17,3 |
Shëndet | 2,845 | 1,802 | -36,7 | 3,337 | 85,2 |
Transport | 4,332 | 3,757 | -13,3 | 4,713 | 25,4 |
Komunikim | 2,044 | 2,311 | 13,1 | 2,299 | -0,5 |
Argëtim dhe kulturë | 2,162 | 1,525 | -29,5 | 2,184 | 43,2 |
Arsim | 1,191 | 1,327 | 11,4 | 2,901 | 118,6 |
Restorante dhe hotele | 3,482 | 3,315 | -4,8 | 2,208 | -33,4 |
Të tjera mallra dhe shërbime | 3,826 | 3,799 | -0,7 | 4,185 | 10,2 |
Shpenzimet mesatare gjithsej | 69,383 | 65,753 | -5,2 | 69,442 | 5,6 |
Shpenzimet mesatare për ushqime dhe pije joalkoolike janë ulur me 1,6% në vitin 2009 krahasuar me vitin 2007. Uljen më të theksuar e kanë pasur shpenzimet për shëndet përkatësisht me 36,7% ndaj vitit 2007. Edhe shpenzimet për argëtim dhe kulturë apo shpenzimet për mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje të zakonshme të banesës kanë pësuar ulje të konsiderueshme përkatësisht prej 29,5 dhe 21,2% krahasuar me 2007.
Rritjet më të larta të shpenzimeve për konsum, familjet i kanë bërë për banesë, ujë, energji elektrike dhe qira të paguar. Kjo rritje ka qenë prej 16,3% në vitin 2009 krahasuar me vitin 2007. Grupet e tjera me rritje më të madhe të shpenzimeve për konsum në vitin 2009 krahasuar me vitin 2007, janë komunikimi ndjekur nga shërbimet e arsimit, përkatësisht me 13,1 dhe me 11,4%.
Krahasimi i shpenzimeve mesatare për konsum mujor në vitin 2014 dhe 2009 tregon për një ulje të buxhetit për ushqime dhe pije joalkoolike me 5,3% dhe sidomos për grupin restorante dhe hotele me 33,4%. Gjithashtu, shpenzimet për pije alkoolike dhe duhan në vitin 2014 janë ulur me 9,9% krahasuar me 2009.
Grupet që kanë regjistruar rritjet më të larta të shpenzimeve për konsum janë “Arsimi” me 118,6% dhe “Shëndeti” me 85,2%. Grupet e tjera me rritje të shpenzimeve për konsum janë “Argëtim dhe kulturë” me 43,2%, “Transport” me 25,5%, “Shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike dhe qira e paguar” me 19,3%, “Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës” me 17,3%.
Anketa e buxhetit flet për ulje të peshës së shpenzimeve për ushqime dhe pije joalkoolike, një tregues pozitiv në pamje të parë, pasi nënkuptojmë më shumë shpenzime për arsim, kujdes shëndetësor apo edhe argëtim. A mund të themi që pesha për “ushqime e pije joalkoolike” është detyruar të bjerë për shkak të kostove më të larta të shërbimeve e shpenzimeve të tjera?
Krahasimi i strukturës së shpenzimeve ndër vite tregon për një ulje të pjesës që zënë shpenzimet për ushqime dhe pije joalkoolike ndaj buxhetit total, si dhe pijeve alkoolike dhe duhanit, me përkatësisht 5,1 dhe 0,6 pikë përqindje nga viti 2009 në vitin 2014. Në të njëjtën periudhë, rezultatet e anketës tregojnë për një rritje të peshës që zënë shpenzimet për arsim (me 2,2%), shëndet (me 2,1%) dhe argëtim dhe kulturë (me 0,8%). Pjesa e shpenzimeve që familjet i dedikojnë argëtimit dhe kulturës, përfshijnë shërbime kulturore si kinema, teatro si dhe gazeta, libra dhe pajisje të përpunimit të informacionit.
Grupet kryesore të konsumit | Pesha në % ABF 2007 | Pesha në % ABF 2009 | Ndryshimi në pikë përqindje 2009/2007 | Pesha në % ABF 2014 | Ndryshimi në pikë përqindje 2014/2009 |
Ushqim dhe pije joalkoolike | 47,6 | 49,4 | 1,8 | 44,3 | -5,1 |
Pije alkoolike dhe duhan | 4,3 | 4,2 | -0,1 | 3,6 | -0,6 |
Veshje dhe këpucë | 6,2 | 5,4 | -0,8 | 5,1 | -0,3 |
Shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike dhe qira e paguar | 7,4 | 9 | 1,6 | 10,2 | 1,2 |
Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës | 5,9 | 4,9 | -1 | 5,4 | 0,5 |
Shëndet | 4,1 | 2,7 | -1,4 | 4,8 | 2,1 |
Transport | 6,2 | 5,7 | -0,5 | 6,8 | 1,1 |
Komunikim | 2,9 | 3,5 | 0,6 | 3,3 | -0,2 |
Argëtim dhe kulturë | 3,1 | 2,3 | -0,8 | 3,1 | 0,8 |
Arsim | 1,7 | 2 | 0,3 | 4,2 | 2,2 |
Restorante dhe hotele | 5 | 5 | 0 | 3,2 | -1,8 |
Të tjera mallra dhe shërbime | 5,5 | 5,8 | 0,3 | 6 | 0,2 |
Shpenzimet mesatare gjithsej | 100,0 | 100,0 | 0,0 | 100,0 | 0,0 |
Këto rezultate japin një përshkrim të modelit të konsumit të familjeve në Shqipëri ku konfirmohet rënia e shpenzimeve për konsum ushqimor ndonëse për të arritur në konkluzione mbi arsyet përse kjo ka ndodhur, duhet të presim për të pasur seri kohore më afatgjata dhe studime të thelluara nga ekspertë të fushave.
Ju keni publikuar edhe një vjetar statistikor rajonal. Nga gjetjet tuaja, cilat mendoni se janë zhvillimet që institucionet përgjegjëse duhet të kenë parasysh, për t’iu përgjigjur me politika zhvillimi?
INSTAT solli për herë të parë për përdoruesit Vjetarin Statistikor Rajonal 2015, kjo nisur dhe nga kërkesat e përdoruesve, por edhe duke parë vendet e tjera europiane. Ky publikim rajonal ka një ndër qëllimet e veta të orientojë politikëbërjen në nivel më të disagreguar se ai kombëtar. Statistikat rajonale janë një bazë shumë e mirë për të kuptuar diversitetet që ekzistojnë midis rajoneve. Ky vjetar përmban 14 module, të cilat shërbejnë si orientim në kuadrin e një pamje sociale dhe ekonomike në nivel rajonesh. Ky produkt do të jetë pjesë e përvitshme në duart e përdoruesve për të monitoruar ecurinë e treguesve të një rajoni në kohë apo për ta krahasuar atë me rajonet e tjera, INSTAT do të rrisë gamën e treguesve çdo vit si dhe t’i harmonizojë ato në një kontekst europian për t’i bërë këto statistika të krahasueshme. Ky produkt do të jetë i aksesueshëm në website e INSTAT për t’u shkarkuar nga çdo përdorues i interesuar për fusha të veçanta. Një sërë institucionesh mund t’i përdorin këto të dhëna bazuar në gjetjet e këtij publikimi. Çdo fushë përkatëse është shoqëruar me gjetjet kryesore dhe analiza është mbështetur nga grafikë dhe harta.
Çfarë mund të thoni për nivelin e varfërisë dhe ashpërisinë e saj. Si janë rezultatet tuaja krahasuar me disa parametra të komunikuara nga Banka Botërore?
Të dhënat për nivelin e varfërisë dhe ashpërsisë së saj në Shqipëri janë nxjerrë deri më sot nga Anketa e Matjes së Nivelit të Jetesës (AMNJ) në Shqipëri e kryer nga INSTAT në vitet 2002, 2005, 2008 dhe 2012. Kjo anketë është krijuar me qëllimin që të masë nivelin e jetesës dhe varfërisë në Shqipëri nëpërmjet treguesve përkatës, si përqindja e të varfërve, ashpërsia dhe hendeku i saj. Anketa e Buxhetit të Familjeve kryhet për të matur nivelin e konsumit të familjeve në Shqipëri dhe strukturën e tij. Për rrjedhojë, këto dy anketa ndryshojnë nga njëra-tjetra si nga qëllimi ashtu edhe nga metodologjia e përdorur.
INSTAT po përgatitet të nxjerrë për përdoruesit publikimin “Hartat e varfërisë dhe pabarazisë në Shqipëri”, analizat e së cilës do të pasqyrojnë nivelin e jetesës nëpërmjet treguesve të varfërisë absolute, përqindjen e të varfërve, ashpërsisë dhe hendekut të saj. Kërkojmë pak durim nga ana e përdoruesve deri në përgatitjen e kësaj analize, besojmë për punë javësh.
Ju na dhatë vlerën mesatare të shpenzimeve familjare, e cila në vetvete është pak më shumë se ajo e anketës 2007. Sa llogaritet efekti i inflacionit ndërkohë? Për të kuptuar sa mund të blejë një familje mesatare sot, me shumën që rezulton krahasuar me atë të 2007?
Krahasimi i shpenzimeve mesatare familjare për konsum midis viteve të kryerjes së anketës, nuk para llogaritet duke përfshirë thjesht efektin e inflacionit midis këtyre periudhave. Ndryshimet e Indeksit të Çmimeve të Konsumit dhe Anketës së Buxhetit të Familjeve nuk mund të pasqyrohen njëkohësisht pasi IÇK ka si bazë pikërisht konsumin e shportës që vjen nga kjo anketë. Gjithashtu, edhe Irlanda që është partneri ynë kryesor vetëm, i përmend ndryshimet e çmimeve përgjatë periudhave të realizimit të anketave sipas IÇK, dhe nuk e deflaton shportën e konsumit, po ashtu si dhe shumë agjenci të tjera statistikore europiane, ndonëse metodologjia e kryerjes së anketës është e njëjtë në të gjitha vendet.
Ndër faktorët që duhen konsideruar për krahasueshmërinë e vlerës së shpenzimeve mesatare të konsumit, një prej dimensioneve më të rëndësishme, mbase më i rëndësishmi është fuqia blerëse e lekut, por nuk mund të lihen mënjanë edhe faktorë të tjerë determinantë, si vlerësimi apo zhvlerësimi i kursit të këmbimit të lekut ndaj monedhave, me të cilat kryhet importi i produkteve të shportës, niveli i përgjithshëm i të ardhurave të familjeve duke filluar nga luhatshmëria e pagave, shpërblimeve, remitancat apo të ardhurat e tjera, etj.
Duke kuptuar që ka një interes për një analizë të kësaj kategorie, INSTAT angazhohet që në të ardhmen e afërt, të konsiderojë me precedencë kryerjen e një analize të tillë, por për këtë nevojitet bashkëpunimi me disa aktorë kyç institucionalë dhe kërkimorë.