Milani vazhdon të udhëheqë renditjen e Serie A. Vetëm ekipi i Stefano Pioli po shkon përtej parashikimeve. Sidoqoftë, kjo ndodh kur ke një Zlatan Ibrahimovic kaq të aftë dhe vendimtar. Edhe kundër Udinese, ishte suedezi, ai që e mori ekipin mbi supe. Së pari me asistin për Kessie, pastaj me shpikjen e golit për suksesin vendimtar. Tri pikë të tjera dhe Milani tashmë ka 10 fitore në 11 ndeshje të luajtura, këtë sezon (një ndeshje e ka barazuar 3-3 ndaj Romës).
E gjithë vëmendja në Itali, gjithashtu edhe jashtë vendit, janë mbi Zlatan Ibrahimovic. Mosha e shkruar në letërnjoftim: 39 vjeç. Në fushë ai është vendimtar për Milanin si në përvojën e tij të parë, kur ishte i ri. Vetëm në tri raste, në epokën e tri pikëve për ndeshje (nga 1994-1995), një lojtar i Milanit ka shënuar në gjashtë ndeshje radhazi të Serie A: Andriy Shevchenko (më 2001). Edhe vetë Zlatan Ibrahimovic e ka bërë këtë para finishit të sezonit të kaluar, gjithashtu më 2012.
Në vitin 2012, kur Ibra ishte ende 31 vjeç dhe disa menduan se kulmi i tij ishte lënë pas, suedezi i befasoi të gjithë. Edhe sot, kur po shkon drejt të 40-tave, ai mbetet një lojtar pa limit, që përhap një vetëdije dhe pjekuri unike te shokët e tij të skuadrës. I vlerësuar nga lojtarë të tjerë të Milanit, të tillë si Brahim Diaz, i cili postoi në Twitter, pas fitores kundër Udinese: “Spektator në rreshtin e parë të shfaqjes së Benjamin Button”.
Ka lindur si një shaka nga Ibra, kjo e krahasimit me Benjamin Button, por numrat e regjistruar dhe produktiviteti i sulmuesit suedez janë diçka mbresëlënëse. Që nga kthimi në Milano, janarin e kaluar, Zlatan Ibrahimovic ka marrë pjesë në 23 gola të 22 ndeshjeve të Serie A (17 gola dhe 6 asiste). Me të në fushë, Milani gjithmonë fillon me një avantazh ndaj kundërshtarëve të vet.
Dhe nëse marrim parasysh intervalin kohor nga qershori deri më tani, ose nga bllokimi prej pandemisë e pas, Zlatan Ibrahimovic është lojtari që ka marrë pjesë në më shumë gola në Serie A: 19 (14 gola dhe 5 asiste). Tani Milani nuk ka kufij, sepse sigurisht nuk është një fat momental kjo ecuri pozitive. Kuqezinjtë janë në epërsi, Ibrahimovic kryeson renditjen e shënuesve të Serie A.
Milani ka 10 pikë më shumë se një vit më parë dhe deri më tani ka arritur 24 rezultate positive radhazi (pa humbje). Vendi i parë me 16 pikë, në vetmi, me 5 fitore në 6 ndeshjet e para, njësoj si me Capello më 1995-1996 dhe Ancelotti më 2003-2004, i cili më pas fitoi “Scudetto”.
Kush do ta ndalojë Milanin tani? Dhe mbi të gjitha, kush do të jetë në gjendje ta ndalojë këtë Zlatan Ibrahimoviç?
g.kosovari