Gjykata Kushtetuese shfuqizon ndryshimet në nenet e Kodit Penal ku parashikohen ashpërsimet e masave të dënimit për mbajtjen pa leje të armëve dhe municionit luftarak në ambiente publike apo në sasi të mëdha. Në këto kushte, secili prej të pandehurve që është në proces rrezikon për armëmbajtje një dënim nga gjobë maksimumi deri në shtatë vite burg, shkruan sot Gazeta Shqiptare.
Çështja u bë objekt gjykimi në Kushtetuese, me kërkesën e Gjykatës së Apelit Vlorë, e cila pezulloi shqyrtimin e dosjes penale për të pandehurin B.H., nën akuzë për “Vrasje me dashje, mbetur në tentativë” dhe “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”. Në vitin 2014, qeveria “Rama”, me synimin për të luftuar kriminalitetin, bëri disa ndryshime në Kodin Penal, ku parashikoheshin dënime deri në 15 vite burg për personat që mbanin armë në publik, apo ata që mbanin municione në sasi të mëdha, rrezikonin një dënim deri në 20 vite burg. Për Gjykatën Kushtetuese, strategjia e qeverisë është e gabuar dhe ka deformuar strukturën e Kodit Penal. “Gjithashtu, – thuhet në vendimin e gjykatës, – Këshilli i Ministrave nuk arriti të argumentonte nevojën e domosdoshme për ndërhyrjen në Kodin Penal, duke u mjaftuar vetëm me argumente të përgjithshme”.
Shfuqizimi i neneve
Pasi ka shqyrtuar çështjen, Kushtetuesja i ka dhënë të drejtë gjykatës referuese, duke shfuqizuar si të papajtueshëm me Kushtetutën të paragrafit të pestë dhe të gjashtë të nenit 278 të Kodit Penal, të cilat janë shtuar me ligjin nr.144/2013 dhe ndryshuar më pas me ligjin nr.98/2014. Gjykata vëren se ndryshimet e ndërmarra nga ligjvënësi kanë qenë përgjithësisht spontane, nisur nga synimi për të luftuar kriminalitetin, por pa iu nënshtruar më parë studimeve të thelluara për të shmangur prishjen e balancave jo vetëm midis masave të dënimit të veprave penale të një kapitulli, por edhe në raport me veprat e tjera penale, në varësi të rrezikshmërisë shoqërore të tyre. Një qasje (strategji) e tillë e gabuar ka deformuar strukturën e Kodit Penal, duke krijuar disproporcione të pashpjeguara (paarsyeshme) midis dënimeve të parashikuara për vepra të ndryshme të Kodit, në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës dhe të proporcionalitetit, në rastet e kufizimit të të drejtave dhe lirive të individit. Përfaqësuesit e subjekteve të interesuara (KM) nuk ishin në gjendje të argumentonin para kësaj gjykate nevojën e domosdoshme për ndërhyrjen në Kodin Penal, duke u mjaftuar vetëm me argumente të përgjithshme.
Në vazhdim gjykata i konsideron joproporcionale dallimet në masat e dënimit të paragrafit të pestë të KP-së dhe paragrafëve të tretë dhe të katërt të këtij neni. Për ilustrim, një qytetar që mban një armë pa leje në banesë për të mbrojtur pronën, veten apo familjen, dënohet nga një deri në pesë vjet burgim. I njëjti person, kur armën e mban për të njëjtën arsye në automjetin e tij, dënohet nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet burgim. “Gjykata e konsideron me vend të shtojë se ndërhyrjet në legjislacion lidhur me veprat penale të armëmbajtjes pa leje në mjedise publike janë tejet të ashpra edhe në raport me disa vende europiane”, theksohet në vendim.
Gjykata Kushtetuese sjell në vëmendje të ligjvënësit se ndërhyrje të tilla duhet të jenë realisht efektive, në mënyrë që t’i shërbejnë jo vetëm luftës ndaj kriminalitetit, por për më tepër parandalimit të kryerjes së veprave penale. Sipas saj, edhe më herët eksperienca ka treguar se ashpërsimi i masave të dënimit, nuk ka pasur gjithmonë ndikim pozitiv ose ndikimi ka qenë i papërfillshëm në arritjen e qëllimeve të legjislacionit penal. Kështu, për Gjykatën Kushtetuese paragrafët 5 dhe 6 të nenit 278 duhen shfuqizuar, pasi janë antikushtetues dhe bien në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike.
BW