Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” ka shfaqur ne Hotel Prestige në Durrës ku janë strehuar një pjesë e refugjatëve afganë filmin “Hava, Mariam, Aisha” të regjisores së kërcënuar talebanët, Sahra Karimi.
“E ka prezantuar këtë film dhe në festivalin e Venecias. Ajo ka drejtuar Qendren kombëtare të Kinematografisë në Afganistan. Me ardhjen e talebanëve menjëherë u detyrua të fshihej dhe të largohej dhe jeta e saj vazhdon të jetë e kërcënuar”, tha Kujtim Çashku.
I përqendruar në fatet e tri grave në Afganistan filmi u shfaq në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të filmit për të drejtat e njeriut.
“Festivali ka pasur një dedikim të veçantë edhe për Shemsie Hasanin e cila ka mbushur rrugët e Kabulit me art grafit. Ajo ka shënuar një akt të vërtetë mjaft emancipues sepse sillte gjithnjë imazhe në mbrojtje të grave dhe fëmijëve”, tregoi Çashku.
Tri personazhet e filmit përfaqësojnë për opinionin ndërkombëtar, gruan afgane dhe sfidat me të cilat përballej dhe përballet tashmë kur vendi kontrollohet nga talebanët dhe të drejtat e grave janë më shumë se kurrë në rrezik jetik./BW