Mbledhja e Komisionit të Medias ka degraduar dje në sherr dhe fyerje mes deputetëve të opozitës dhe kryebashkiakut Erion Veliaj. Demokratët kishin planifikuar dje një seancë dëgjimore me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, por në Komision u paraqit dhe Erion Veliaj.
Ftesa për Veliajn ishte bërë nga deputetët e maxhorancës me 11 firma. Që në fillim të mbledhjes, Albana Vokshi, kryetarja e Komisionit të Medias e ka quajtur si shkelje rregulloreje, ftesën e Veliajt jashtë radhe. PD kishte programuar të mërkurën seancën dëgjimore me vetë Veliajn. Demokratët kanë kërkuar nga Veliaj që të largohej dhe të paraqitet para Komisionit një ditë tjetër, por socialistët kanë këmbëngulur që ai të qëndronte. Albana Vokshi ka ndërprerë mbledhjen e Komisionit, duke kërkuar që Veliaj të largohej, por ai nuk ka pranuar.
“Panorama” zbardh për lexuesit e saj debatin me dyer të mbyllura të zhvilluar në mbledhjen e Komisionit të Medias. Veliaj ka thënë se ishte i gatshëm për të bërë transparencë, por ka ironizuar me demokratët se po tentonin t’ua vidhnin artistëve kauzën e Teatrit. Gjatë debatit pa media, Albana Vokshi e ka quajtur Veliajn “karagjoz” dhe “hajdut” që do përballet në Prokurori për shkeljen e ligjit. Situata është tensionuar në momentin që në sallë hynë mediat.
Vokshi ka kërkuar që Garda të nxjerrë Veliajn jashtë nga salla. Ndërkohë që Flamur Noka ka tentuar t’i heqë karrigen Veliajt për ta larguar. Ndërkohë që deputetët e PD, Ervin Salianji dhe Endri Hasa i kanë hequr mikrofonin Veliajt, duke mos e lënë të flasë. Pas rreth një orë debati për ta larguar nga seanca, Veliaj është larguar vetë duke thënë se
“Teatri do bëhet dhe se Tirana do fitojë”. Ndërkohë që pas tij edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, nuk ka pranuar të qëndrojë në Komision. Nga ana tjetër, kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, tha se do të kërkojë shkarkimin e Albana Vokshit për shkelje ligjore ne drejtim të Komisionit të Medias.
DEBATI ME DYER TË MBYLLURA
Erion Veliaj: Unë kam qenë ish-kolegu juaj dhe e njoh rregulloren, mos me fyeni. Kaq e di, e di punën e Komisionit, me Albanën kam pas marrëdhënie të shkëlqyer, ju në opozitë, unë ministër. Kemi funksionuar perfekt. Për njerëzillëk i thashë që nesër sheshi “Skënderbej” ka një ceremoni premimi. Edhe pse i thashë që kryetari i Bashkisë nuk është autoritet që buron nga Parlamenti, për kortezi po vij. Më vjen ftesa tjetër dhe me thotë që jemi në dijeni që s’mundeni, hajdeni sot me 1/3 e firmave.
Albana Vokshi: Kush e bëri këtë? Nuk e bën dot.
Erion Veliaj: Për njerëzillëk hapet seanca dhe dëgjoj një leksion për frikën etj,. Po nga ata jam unë, që pyes për këto muhabete?!
Albana Vokshi: Më vjen keq që kolegët këtu nuk marrin vesh nga rregullorja apo i urdhërojnë. Ne duam të bëjmë transparencë. Ne kërkuam sot me 6 firma dëgjesë vetëm me ministren. Duam të sqarojmë procedurën ligjore. Ju do keni gjithë kohën për të sqaruar pjesën tuaj.
Erion Veliaj: Mua m’u tha me 11 firma hajde sot, meqë s’vjen dot.
Albana Vokshi: Me 6 firma ju kemi ftuar të mërkurën. Por mund të negociohet data dhe ora.
Erion Veliaj: O Bana, me qetësi, meqenëse 1/3 e bëjnë automatike futjen në rendin e ditës, po 2/3-at?
Albana Vokshi: Unë s’ua mësoj dot rregulloren. Kërkesa është bërë mbi një nen që s’e parashikon fare.
Erion Veliaj: Po meqë s’e ndalon, e lejon.
Albana Vokshi: Aman, batutaxhi i madh.
Erion Veliaj: E kam mësuar nga Enkelejdi.
Albana Vokshi: Për shkencat juridike ju jeni beter. E vërtetoi dhe zëvendësi juaj.
Erion Veliaj: Ai i imi e qau dje atë emision. Arbi me Tan Imamin ju bënë copash dje. Se kishe atë mitomanen dhe dje ishit skandal.
Albana Vokshi: Kur të vish ndonjë ditë tjetër, m’i bëj këto batutat.
Erion Veliaj: Fakti që Frojdi të del nonstop dhe të kujtohet… T’i mësosh Gardës që 1/3 është më e madhe se 2/3-at, është gafë e madhe. Dhe do marrësh Gardën më qafë.
Albana Vokshi: Ti shpreh injorancën tënde.
Erion Veliaj: Gardën më qafë e morët më 21 janar, por mos e merrni Gardën më qafë me aritmetikën. Se kjo është 7×7 bëjnë 42.
Milva Ekonomi: Kryetari i Bashkisë nuk del jashtë se e kemi thirrur ne me shumicë votash.
Albana Vokshi: Ftojeni ditë tjetër, jemi shumë të gatshëm. E kuptoj që ju tmerron kjo gjë. Pse nuk e lini Kumbaron vetëm. Ça frike keni nga zonja Kumbaro?!
Erion Veliaj: Albana, oferta ime e fundit, po doni transparencën, hajde të bëjmë transparencë.
Albana Vokshi: Nesër në orën 10.00 kam dëgjesën me ty. Nëse nuk e do në 10, ta bëjmë pasdite, të shtunën apo të dielën.
Erion Veliaj: Ti do vjedhësh kauzën e artistëve për një fitore të vogël politike, kjo s’ka vlerë.
Albana Vokshi: Ashtu siç ke vjedh ti projektet e Lul Bashës, po mbylle.
Erion Veliaj: Uuu… projektet e mëdha të Lulit, projektet e gjumit të madh.
Albana Vokshi: Ti ose del sot jashtë, ose del aty mbrapa të dëgjosh.
Erion Veliaj: Nëse do teatër dhe të përdorësh ata të çadrës që i ke fut te sindikata, përdori. Po kështu e përdorët dhe Nishanin te Lodrat. Dhe mbahet mend si Presidenti që protestoi për lodrat e kalamajve. S’mund të përdorni artistët.
Albana Vokshi: E kupton çfarë roli ke marrë? Ke marrë rolin e karagjozit.
Erion Veliaj: Ju jeni një parti që çdo 10 vjet jeni zgjeruar, keni marrë ambiente shtesë. Keni larguar ndërtesën historike. Ndërkohë që aktorëve i thoni rrini në furrik.
Albana Vokshi: Mos bëj zhurmuesin e mos bëj karagjozin këtu.
Erion Veliaj: Po do t’u vjedhësh sindikatën artistëve… Merrni Sindikatën, futeni në PD e keni hapur drejtorin e Kulturës. Ai mavrija i Sindikatës atë do. Ai Budina, ai atë do, ta bëni drejtor kulture në PD. Kështu shpëton artistët dhe bëhet teatri.
Albana Vokshi: Këtu në këtë mbledhje sundon Kushtetuta, e kupton apo jo? Jo bizneset e lidhura me ty që të shpëtojnë dhe nga Prokuroria. Nëse s’ke shkuar asnjëherë në Prokurori, do shkosh tani.
Erion Veliaj: Unë shkoj sa herë të duash ti. Për të mbrojtur një qytet që po rritet, që po zhvillohet. Isha në Prokurori për lodrat, fitova, për sheshin fitova.
Albana Vokshi: Që e ke bërë bashkinë tallave, kujton se do bësh dhe këtu.
Fillon pjesa me mediat, Flamur Noka përplaset me Veliajn
Albana Vokshi: Garda ta nxjerrë jashtë kryetarin e Bashkisë. Kryetari i Bashkisë do shkojë për procedim, edhe për Ardit Gjoklajn, edhe për këtë që po i bën Tiranës.
Erion Veliaj: Do shkoj për gjithçka. Dhe siç kam fituar çdo betejë me ju, do fitoj dhe betejën me teatrin. Mbaje mend. Çdo gjë që ju e sulmoni, do dalë më e bukur.
Flamur Noka: Zogu i Tiranës, këtu është Parlament dhe nuk është Bashkia ku të merresh me ne. Një hajdut këtu pa thirrur, nuk mund të vijë…
Erion Veliaj: Mos e kthe Komisionin në antikulturë. Ke frikë nga e vërteta…
Flamur Noka: Zogu Tiranës nuk mund të flasë këtu në shkelje të rregullores. O hajdut, nxirreni jashtë. Ka vjedhur pronën e qytetarëve të Tiranës…
Erion Veliaj: Solle njeriun e vezëve të Mamurrasit.
(Flamur Noka shkon tek Erjon Veliaj dhe i tërheq karrigen)
Albana Vokshi: O Flamur, Flamur…
Flamur Noka: Dil përjashta, o hajdut… Hajdut, dil jashtë.
Erion Veliaj: Dil ti përjashta. Ti dil.
Ilir Beqaj: Ulu Erion, ulu.
(Garda rrethon Erion Veliajn dhe largon Flamur Nokën. Deputetët, Ilir Beqaj dhe Fidel Ylli tentojnë të qetësojnë deputetët e PD)
Ervin Salianji i heq mikrofonin Veliajt dhe e vendos në tokë).
Albana Vokshi: Po, hiqja, shumë mirë…
Flamur Noka: Nxirreni hajdutin, nxirreni jashtë…
Albana Vokshi: Gramoz Ruçi të ndërhyjë, të nxjerrë jashtë kryetarin e Bashkisë. Është i paligjshëm.
Fidel Ylli: Kush po e mbron. Merreni, bëjeni copash, po lëreni të flasë. Ça boni kështu.
Flamur Noka: O hajdut, kujton se je pronari i Tiranës.
(Ervin Salianji përplaset me gardistët)
Ervin Salianji: Hiqi duart… Ose nxirreni jashtë se s’do bëjmë sherr dhe me ju.
Anduel Xhindi: Dil andej, dil.
Ervin Salianji: Ik andej, mos më prek me dorë…
Anduel Xhindi: Kujdes kur flet me mua…
Ilir Beqaj: Boll bëre të fortin, po ik andej.
Adelina Rista: Ti trim i madh, më prek mua me dorë. Dilni ju jashtë, na lejoni të bëjmë komision ne.
Flamur Noka: Është një hajdut aty. Nxirreni jashtë…
Ilir Beqaj: Paditeni në Prokurori. Çojeni në Prokurori.
Albana Vokshi: Garda, nxirreni jashtë dhunuesin e Parlamentit, kryetarin e Bashkisë, mashtruesin Erion Veliaj. Garda është vënë në shërbim të Veliajt.
Erion Veliaj: Ti nuk do ta dëgjosh të vërtetën, siç përdore lodrat dhe pazarin, po përdor teatrin. Siç përdore sheshin, po përdor teatrin. Mundoheni të kapeni pas çdo kauze dhe Tirana behët më e bukur. Falë urrejtjes suaj për Tiranën, Tirana bëhet më e bukur. Tirana e ka fat që ju ka juve opozitë, se sa më shumë e sulmoni, aq më të bukura dalin projektet.
Albana Vokshi: Je dhunues i Parlamentit. Duhet të dilni.
Erion Veliaj: Kjo nuk zgjidhet me grupin e gatshëm. Nëse do të bësh aktoren, shko në audicion.
Albana Vokshi: Nëse do ia japësh Fushës me koncesion edhe kryesinë e Kuvendit, atëherë mund të vish…
Erion Veliaj: Për ty, Tirana është lojë politike…
Albana Vokshi: Dilni përjashta. Ik, ik.
Erion Veliaj: Teatri do bëhet… Tirana do fitojë. Dhe do i ftoj të gjithë këta që s’e dinë se ku është teatri. Me Mamurrasin, me vezët. Çoji në teatër.
Flamur Noka: Dil përjashta, o hajdut.