Një person i cili pengoi punonjësit e Zyrës së Përmbarimit për ekzekutimin e një vendimi gjyqësor, ushtroi dhunë fizike ndaj ish-bashkëshortes si dhe kundërshtoi punonjësit e policisë, është vënë në pranga.
Nga ana e efektivëve të policisë Elbasan u bë arrestimi i N. Ç., 50 vjeç, banues në Belsh.
I ndaluari akuzohet se në lagjen “Kongresi”, Elbasan, ka penguar punonjësit e Zyrës së Përmbarimit Elbasan dhe gjatë ekzekutimit të vendimit gjyqësor, ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish-bashkëshortes së tij duke e penguar në marrjen e kujdestarisë së fëmijës.
Gjithashtu 50-vjeçari ka kundërshtuar punonjësit e policisë në krye të detyrës.
Ndaj të dyshuarit, materialet iu referuan Prokurorisë Elbasan për veprat penale, “Dhunë në familje”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës”.
/a.r











