Nga Mero Baze
Ti mund të fitoje! Shija e hidhur e humbjes, nuk ka pse qëndron tek ty. Nuk jam dakord me shumë miq të mi, që rreshtojnë si një nga arsyet e humbjes, faktin se ti shkove nga Tirana në Dibër. Modeli i ri i bashkive të mëdha dhe nevoja për njerëz me integritet profesional, janë një standard që duhet ta vendosim, pas ndarjes së re administrative. Për një qytet si Peshkopia, shkuarja juaj atje është një nder për qytetin. Ti dhe doktor Muharremi, ishit i vetmi standard i ri i këtyre zgjedhjeve, të vetmit që ishit në anën e qytetarëve. Jam i bindur se dibranët nuk të kanë votuar kundër pse shkove aty nga Tirana, por pse çove llumin e Tiranës atje.
Nuk të kanë votuar kundër, as për faktin se nuk kishe emrin në listën e votimit, apo se nuk kishin besim tek qeverisja jote, por se dikush të vodhi betejën. I dashur Sherefedin, zgjedhjet në Dibër nuk ishin dasma jote. Si e pata shkruar qysh në fllim të fushatës, në atë dasëm vetëm ti nuk ishe dhëndër. Kryedhëndri i dasmës, ishte ai që ka hyrë dhëndër brenda në PD, Lulzim Basha. Ai tentoi ta kthejë Dibrën në betejë të tij, në flamur të tij, në kauzë të tij, në ëndrrën e tij për pushtet. Ai u tha dibranëve dhe gjithë shqiptarëve, që në Dibër do të votohet për të, pasi nga Dibra do nisë ardhja e tij në pushtet. Më beso Sherefedin, që nuk ka arsye më të fortë për çdo dibran, të cilët për dreq janë njerëz të zgjuar dhe i kuptojnë liderët kur flasin, që të mos t’ia japë votën qoftë dhe për këtë shkak. Dhe duke të marrë betejën ty, ai të dhuroi humbjen.
Duke të marrë ty kauzat e vogla që kanë qytetarët e Peshkopisë, të dha humbjen e madhe. Duke të marrë ty urtësinë dhe pjekurinë si profesionist, të dha mendjelehtësinë që i lexohet 2 km larg dhe shtirjen si i fortë, që kur tenton të ulërasë, i ikën zëri. Ai i përdori zgjedhjet e tua si një tribunë promovuese për veten e vet, pasi po teston a duhet të hyjë në zgjedhje a jo. Ai nuk humbi vetëm Bashkinë e Peshkopisë, por humbi dhe shansin të “flirtojë” me LSI apo dikë tjetër, pasi rezultati provoi që dhe në një bastion të PD, njerëzit kanë ende parime dhe e bëjnë të pashpresë çdo përpjekje për të ardhur në pushtet e marifete. Nëse qytetarët do ta kishin votuar, askush nuk do të përmendte ty sot si fitimitar, por atë, Mulin, Strazon, Ristanin, dhe gjithë tufën e “kuthëretqametit”që kishin ardhur aty. Ndaj dhe nuk e votuan. Askush nuk ka inat me ty! Pas tij në dasmën tënde u shfaq miku im Besnik Mustafaj. Ai po ashtu donte t’i jepte një sinjal Bashës, se ishte gati të kthehej në politikë dhe u shfaq krah teje. Jam i bindur se ai personalisht do të donte shumë që të ishe fitues, por ardhjen e tij atje, të gjithë e panë si një sinjal politik për Tiranën dhe jo për Peshkopinë, si një sinjal për SHQUP-in e Tiranës dhe jo për SHQUP-in e Dibrës. Dhe me siguri që ty nuk të ka bërë punë. Pastaj erdhi Kreshniku, i cili lajmin më të rëndësishëm që prodhoi, ishte se, pasi kishte prekur me dorë një të paralizuar në karrocë, kishte ndodhur mrekullia dhe ai ishte ngritur në këmbë.
Ç’të të them i dashur Sherefedin, se ndoshta je skuqur vetë kur e ke lexuar, por ai ishte atje jo si faktor politik, por si rezultat i llogarive meskine që bën Luli me shokët e vet, për të bërë gjoja koalicion. Jo për fajin tend, ai ta bëri edhe qesharake fushatën. Pastaj erdhi armata e dhjetra deputetëve të PD, të gjithë atyre që e kanë të rrezikuar emrin në listë, të cilët erdhën në Dibër, jo me sytë nga ty, por me sytë nga Luli dhe Berisha. Erdhën që ta shikonin ata, se ata po luftojnë. Dhe brenda logjikës së tyre idiote, ata erdhën aty për të prishur punë, pasi besojnë se e ardhmja në politikë është dhuna, përbaltja dhe lufta imagjinare me armikun që nuk e takojnë kurrë. Shiko Flamur Nokën!
Berisha e pat pikasur si idiot të dobishëm për pisllëqet e tij në PD, se ju duk idiot i duhur. I duhej të mos lejonte askënd të futej në godinë të PD-së, të bënte emërime okulte që i donte Berisha dhe të justifikohej në shumë raste, që “s’kam çfarë t’i bëj, është budalla”. Tani Berishës nuk i duhet më, se nuk është në pushtet, dhe ky budalla mendon se i duhet PD-së, si i fortë. Për këtë i shton vetes dhe një pisqollë tjetër në brez dhe del e dhunon njerëzit rrugëve, që të gjithë ta marrin vesh se ka ardhur një i fortë në Dibër. Ka ardhur nga Shishtaveci të trembë dibranët! Dhe e gjithë kjo, jo se ishte duke mbledhur ndonjë votë për ty, por duke shpresuar se po mbledh ndonjë pikë për listën e ardhshme të deputetëve të Kuvendit. Rrethi i njerëzve që erdhën nga PD në Dibër, rrezatojnë as më shumë dhe as më pak, vizionin idiot të Lulzim Bashës për të bërë sikur gjoja ka parti dhe për të ftuar, gjoja me një ekip të ri ndryshe nga të parët.
Nuk u fitoka me mercenare. Niveli ordiner i lidershpit të ri të PD, është jo vetëm më i ulëti në historinë e PD, por ndoshta në gjithë politikën shqiptare. Askush prej tyre nuk është aty për ndonjë vlerë të vetën, por vetëm për antivlera. Dikë e kanë rekrutuar për budalla, dikë për pazarxhi, dikë për servil, dikë për hipnotizuese burrash në moshë, dhe të gjithë së bashku, për të gënjyer shqiptarët, se kjo është opozita e re. Asgjë përveç teje nuk vlente në atë fushatë dhe ti humbe për shkak të tyre, për shkak të asaj që ata deshën të përdorin fushatën tënde për interes të tyre.
Mos u mërzit me dibranët, se nuk e kishin me ty, por me ata që deshën të përdorin dibranët dhe ty, për interes të tyre. E kanë me Sali Berishën që bën gjoja sikur ka ikur dhe lë PD në duart e dikujt, që ka hyrë aty si dhëndër brenda. Pastaj e kanë dhe me vetë këtë “dhëndurin”, që për të ruajtur institucionin e “dhëndrit brenda”, mban rreth vetes disa impotentë që të mos e rrezikojnë. E kanë me gjithë çfarë po ndodh me PD, me pabesueshmërinë e saj, me shkatërrimin e strukturave të saj, me flirtet e tyre për të ardhur në pushtet me marifete dhe jo me parime. E kanë dhe me ata që të çuan ty në Dibër, jo se të vlerësojnë për çfarë je, por për t’i hapur rrugë në Kuvend një deputeteje, që ka çuar Argita nga zyra e saj në listat e PD.
E donin qysh tani që të zërë radhën vitin tjetër para teje. Ti je më i miri prej tyre, me një distancë të madhe nga llumi, paaftësia dhe debilat që krekosen me pisqolla në kokë dhe brez. Meqë e dëshën si betejë të tyre, le ta mbajnë si humbje të tyre. Ti je i vetmi në atë seli, që gjen punë me më shumë rrogë, nëse nuk je më në pushtet. Ata të tjerët ngelen të gjithë pa punë, nëse u heq partia rrogën. Vërtet nuk ke ftuar, por ke shpëtuar. Ke shpëtuar veten, duke i kujtuar PD-së që ka ende kohë të shpëtojë dhe ajo. Nga ata që po e tkurrin përditë!
shqiptarja.com/d.i.