Nga Andi Bica dhe Beti Kumi.

- Nga Matja Materia. Petro Zheji.
E vlerësuam që në fillim të këtij udhëtimi se gjithshka projektuam në hartën e qyteteve buzë Nilit , u bë realitet pra materie , jo vetëm e dijes por e besimit te Shqiptaria. Në çdo hap e pamë si udhëzuese hyjneshën antike Mat , ose Athinën epirotase apo Thanën ilire , që me flatrat e shqiponjës si një guidë qiellore dhe si gjeometre me kompasin e zotit , na tregonte udhën drejt pushtimeve të reja gjuhësore.
Në pallatin mbretëror të Shqiptarit të njohur nga Zëmblaku i Korçës , Mehmet Aliut.
Në guidën ditore , egjiptianët shoqërues dhe vendasit na flisnin me ndërgjegjsim në rritje për ndryshimet pozitive që ka pësuar Egjipti në shekuj , duke i dhënë tashmë atributet që meriton Mehmet Aliut dhe bashkësisë së tij të shqiptarëve.
Shkuam në Xhaminë Monumentale ku prehet shqiptari më i njohur nga vendasit e Egjiptit. Ngrehina është në një stil më modern si një pallat mbretëror ku gjallojnë kaligrafitë , pikturat murale me motive floreale. Më e veçantë është dekorimi me një reliev ku shohim portretin e tij dhe nuk ngurojmë të dalim në foto. Pastaj brenda xhamisë , vumë dhe dorën në muret e varrit monumental të Shqiptarit të njohur , Mehmet Aliut në shenjë vlerësimi për veprat e tij kolosale , ku shihet fryma perëndimore e realizimit të ndërtesave me orientim nga neoklasiku dhe gotiku francez.
Madje ndezëm dhe një dritë qiriu për Shqiptarin e zotë që vijoi këtë qytetërimi bazuar mbi një kulturë gjenetike hyjnore kombtare.
E vijuam udhëtimin në Kajro tek një nga xhamitë e para të prijësit të njohur gjatë kalifatit arab , si Seladini , mbreti human i cili kursente jetët e robërve të luftës gjatë kryqëzatave. Në oborrin e faljes na tërhoqën disa pëllumba të bardhë të cilët i shoqërojmë me një pjesë të ushqimeve të bartura si piknik me vete. Pastaj shikuam dhe shtresëzimet e qytetërimeve ku ravijëzoheshin ngrehinat nga Piramidat e Gizës deri te pallatet e baltës së pjekur , nga Teqeja madhështore e rrufaive deri tek kulla e lartë moderne e sahatit.
- Asuan dhe Komombo dy qytete të Ptolemjve.
Një të dielë vendosëm të dalim nga skema e guidave të agjensive dhe morëm një taksi së bashku me guidën e Luksorit Ahmetin.
Mbërritëm në tempullin e Shqiponjës ose Horusit , dhe mësuam se këtë e kishin themeluar gjeneralët e Aleksandrit të Madh , Ptolemejtë dhe tempullin e kishte ndërtuar mbretëreshë Kleopatra.
Qyteti antik i Asuanit , lidhet me tropikun e Gaforres dhe duket se e përjetuam dhe ne një verë në mes të dimrit . U entuziazmuam nga piktogramat brenda pallatit të lartë të ndërtuar si tempull dhe si shqiptarë ndjemë të vibrojnë energji pozitive.
Një nga relievet që mbaj mend është kurorzimi prej Thotit që flet shqip e mbretit Ptoleme shoqëruar me dhuratat e çelësit të jetës dhe kallëzave të grurit. Vijuam udhëtimin në shkretëtirë , duke iu afruar një tempulli tjetër disa kilometra më tutje në qytezën e Kom Ombos. Pranë lumit ishte krijuar një ishull ku ndodhej tempulli i Sobekut , zotit Krokodil të cilit Horusi i kishte dhënë pushtet për të mbrojtur banorët nga përmbytjet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore. E veçanta në këtë ishull ishte dhe muzeu , ku krahas legjendës së Krokodilit që mori pamjen njerëzor e hyjnore , ishin dhe dy turiste italiane , të cilat na treguan për pasionin e tyre të udhëtimit që e shihnin më me vlerë se çdo universitet.
Kjo ditë ishte pak e mundimshme për distancat dhe orët që na u desh të largohemi në jug të qytetit të Luksorit ku kishim hotelin , por me një lloj kënaqësie në mbrëmje që zgjodhëm të kulturohemi në mënyrën tonë. Ecëm në mijëra vjetë qytetërim të pellazgo ilirëve , duke vlerësuar dhe veprat e shqiptarëve të njohur për mëndjen e tyre ndërtuese.
- Lutje tek Pusi ku piu ujë Jezusi fëmijë , në Egjipt.

Udhëtimi në Egjipt kishte disa stacione. Ai filloi në Sharm el Sheik pranë Malit Sinai dhe detit të Kuq koralor , ku mijëra vjet më parë kaloi dhe Profeti Moisi me popullin e Izraelit. Me këtë sy të mëndjes e përfytyruam dhe ne lundrimin me traget në disa plazhe të detit të kuq , duke parë dhe disa vende në mes të detit ku toka ngrihej si ishull i bardhë shpëtimi. Kjo dëshmi natyore e pazakontë e kohës përforconte praninë e Absolutit dhe itinerarit Moisian të daljes nga Egjipti. Na duket ironi e fatit që pikërisht këtu në këtë vend , ku ndodhi kjo përballje e madhe , zhvillohen çdo vit konferenca Paqeje mes vendeve arabe dhe evropiane.
- Lagjia e Krishterë Kopte.
Duke shëtitur me taksi në rrugët e Kajros , arritëm në një rajon ku ndodhej një bashkësi e vjetër e Krishterë që nga koha e lindjes së Krishtit që quhet Kopte.
Në këtë zonë ndodhen kisha në vëndin ku u strehua Jezusi i sapolindur me Marien dhe Jozefin dhe një pus që dëshmon për praninë e tyre në këtë vend. Në këtë pus të mbuluar me qelq janë shkruar emrat e familjes së shenjtë të Krishtit. Në muret e kishës kishte një koleksion të pasur ikonash të hershme të Kishës Ortodokse Kopte.
Shumë njerëz si pelegrinë dyndeshin për të prekur dhe shkelur vëndin e strehimit ose ardhjen për disa muaj në fillim të Familjes së Shenjtë në Egjipt nga rreziku i përndjekjes nga mbreti Herod i Izraelit.
Ne u ndalëm , morëm frymë thellë dhe pas një lutjeje besuam se ashtu si uji i pagëzimit dhe uji i kupës së shenjtë Sakro Gralit , kështu dhe ky ujë kishte veti mrekullibërëse e shëruese të shpirtit.

Në guvat e vjetra të predikuesve të parë të krishterë , shikuam disa anekse si qeli burgu ku dëshmohej se kishte ndenjur për një kohë të gjatë si i dënuar Shën Gjergji. Në këtë muze si shpellë në gur , ne pamë dhe mjetet e torturës gjatë sundimit të perandorëve romak paganë të cilët e kishin të pamundur të pranonin besimin e ri fetar që po vinte. Kështu ata torturuan dhe martirizuan deri në ardhjen e Shën Kostandinit , me mijëra besimtarë të krishterë.
Ndjemë në muret e kishës energjinë e kalorësit që mundi dragoin dhe liroi princeshën , Shën Gjergjin nga Lida e Izraelit i cili shërbeu si pararojë dhe realizues i asaj që Shën Gjoni apostull parashikoi me vizionet e tij në ardhjen e dytë të Krishtit , me ushtrinë e tij qiellore mbi kalin e bardhë dhe shpatën e zjarrtë të Fjalës së Zotit.

Shën Gjergji si rojtar i vendit të mirë të Familjes së Shenjtë na pëlqen ta shohim kështu këtë pjesë të udhëtimit.
Ndërkohë guida , vajza egjiptiane , besimtarja myslimane e cila na shoqëroi në Kajro , vijonte të na fliste me elokuencë dhe buzëqeshje , durim dhe qetësi për mbivendosjen historike të besimeve e qytetërimeve.

Pak më tutje jashtë ambientit të kishës ndodhej një sinagogë hebreje. Ecëm nëpër hapësirat dhe dekoret e krijuar nga bashkësia izraelite e Kajros.
Këtë harmoni fetare ku ndodheshin të katër besimet në një vend si në Jeruzalem , Tiranë , Prizren etj. e ndjemë dhe në lagjen e koptëve të Kajros mes monumenteve të shenjtëruar nga prekja e njerëzve dhe vetëdijes së mençur të ndërtuesve vizionarë.
- Muzeu i Arteve të Kajros.
Paskam qenë një dorë baltë ,
punuar nga skllevër të zinj
që u digjej koka buzë Nilit
Tashti prehem në duart e një faraoni
si në një mjergull katarakti
dhe bëhem skllave e bardhë.
Valdete Antoni
Ndodhemi brenda muzeut arkeologjik të Kajros , përballë njërit prej busteve të Nefertitit, mbretëreshës autoritare , simbol i elegancës femërore , gruas së faraonit Akenaton që besoi në një Zot të vetëm dhe nënës së Tutankamunit që është emblema e maskës së praruar egjiptiane. E shohim në të katër pamjet portretin e gruas që diti të mbajë nën buzëqeshjen e arsyes dhe dhimbjen e dy burrave të fuqishëm që notuan kundra rrymës.
Duke qendruar rrotull saj më kujtoi portretin me qafën e gjatë dhe flokët topuz të gjyshes time Rexhina , e cila ndiente brenda saj praninë e një mbretëreshe antike të promovuar si imazh në revistat e kohës.

Nuk kish sesi të mos tërhiqeshim dhe ne gjatë ecejakeve nga misteri i mumjeve dhe veçanërisht sarkofagu dhe maska e florinjtë e Tutankamunit. Dyndjet e njerzve nuk të linin shpesh hapësirë për të shikuar më mirë në pavionin e tij, nga mësuam se pesha rekord gines në flori ishte mbi 110 kilogramë secili prej sarkofagëve, pa llogaritur vlerën e punimit .
Guida na ndali para një porte të gurtë të sjellë në muze nga një vendbanim antik para piramidave të Gizës. Ajo na tha një fjalkalim duke shpresuar që ta përdornim për të kaluar nga njëri nivel në tjetrin duke e menduar atë si Portal ndërmjet dy botërave.
Pastaj u ndalëm tek statuja e një hyjnie nga gjetjet më të vjetra arkeologjike me tre koka njeriu dhe një trup të vetëm , si për të argumentuar dhe shën Trininë në besimin e Krishterë. E ngjashme me pikturën murale të Kishës së Gjinarit në Elbasan të pikturuar nga Onufri si portret i Krishtit me tre koka.
Më pas në katin e sipërm pamë dhe trupat e disa lloje mumjesh dhe papirusesh të periudhës së Aleksandrit të Madh.
Diku në disa qëndisma si të Penelopës dhe relieve pamë dhe skena të realizuara nga Lufta e Trojës.
Ndërthurja e epokave historike të Egjiptit në rendin kohor , vinte me kate e ngjashme me një amfiteatër ose kështjellë , duke udhëtuar nga pellazgo ilirët tek egjiptianët , e nga romakët tek bizantinët e osmanët.

- Shëtitje me kalë në Piramidat e Gizës.
Arritëm tek Sfinksi me një guidë që mbante emrin e kryengjëllit Mikel i cili ishte dhe besimtar evangjelist.
Ai kishte aftësinë të tregonte gjëza e kuriozitete shkencore mbi piramidat. Dhe konstatimi për Sfinksin ishte se jo vetëm që është dëmtuar në shekuj gjatë pushtimeve nga arabët por më shumë nga evropianët .
Na tregoi dhe se piramida më e madhe nuk ishte ajo që dukej më e larta ose më e gjata në sipërfaqe por ajo mbas tyre që ishte më e thella nën tokë.
Pastaj sipas këshillës së tij se gamilet ndotin me pluhur dhe lëkunden shpesh , zgjodhëm karrocën me kalë për të shëtitur dhe fotografuar sikur po xhironim filmin tonë të jetës.
Guida e piramidave kur mbërritëm në qytet na ofroi dhe dy gatime të shpejta brumi me mish pule por me shumë shije të ngjashme me bugaçet e Elbasanit dhe pitet ilire.

- Lundrimi me traget.
Sapo arritëm në Kajro na thirrëm në hollin e hotelit për të udhëtuar me traget ku do zhvillohej një festë në mbrëmje mbi lumin Nil . Guidat e sjellshëm , na pritën me temena në fillim dhe kështu e besuam më shumë që ishim jo thjesht në një hotel , por në pallatin mbretëror të një familjeje shqiptarësh të njohur si mbreti Mehmet Ali dhe trashëgimtarët e tij , të cilin e kishin privatizuar të zotët e hotelit.
Patëm mundësinë të qëndrojmë disa ditë në hotelin Mariot , në ishullin qendror në mes të Nilit të quajtur Zamalek ose Zëmblak si fshati i Korçës , që është dhe vendorigjina e bashkëkombasit. Koncerti mbi lumë vijoi me balerinat argëtuese që jemi mësuar ti shohim të kërcejnë në skenat e vogla ose mbi tryezë , si dhe një dervish fluturues që krijon forma e figura me përthyerjet e mantelit të tij. Në bashin e tragetit shiheshin më mirë nën dritën e Hënës së plotë , kullat dhe reklamat shumëngjyrëshe me drita të forta të markave të njohura.
Përtej kësaj marramendje të një qytetërimi të pandalshëm , ne zgjodhëm të rrinim larg zhurmave dhe kaosit e më pranë erërave të shëndetshme dhe ajrit të pastër.
- Kryeqyteti i ri i Egjiptit antik .
- Tempulli i Karnakut.
Mbërritëm natën vonë në Luxor nga Sharmi në aeroport dhe shoqëruesi në makinë i cili mbante agjërimin e Ramazanit na uroi mirseardhjen në qytetin më ekologjik të Egjiptit. Këtu rëndësi i ishte dhënë nga Bashkia mbjelljes së palmave dhe rritjes së bimëve dekorative dhe frutikulturës në periferi.
Të nesërmen në vijim të eksplorimit me Ahmetin guidën egjiptiane pak me humor e batuta si “mos më fol pa pirë një kafe” që në mëngjes filluam programin e shëtitjes së vendeve arkeologjike nga tempulli i njohur i Karnakut. Ky tempull na intrigoi me historinë e faraonëve si Ramsesi dhe mbretëresha e tij Nefertari , cjepërit gjigandë të ulur në të dy anët si krijesa mitike , por më shumë piktogramat që stolisnin kolonat e larta e të gjera.
U ndalëm te një kolonë ku pamë Thotin që fliste shqip duke kurorëzuar me dije , Izisin dhe Ozirisin dhe dy faraonë të rinj.

Rojet për pak shpërblim na shoqëronin dhe na bënin foto impresionuese me celular pranë vendeve të izoluara ose në rindërtim.
Batutat komike me policët egjiptianë mbeten historike. Bëmë foto te një kishë e vjetër ngritur mbi një tempull diellor.
Me ndonjë paund më shumë mundëm të rrotulloheshim rreth gurit statujë të brumbullit antik.
- Filmi i Antikitetit. Kinemaja e Mbretërve.
Në mbrëmje guida turistike , Ahmeti na ftoi të shihnim një film dokumentar artistik me jetën e faraonëve në ambjentet e Luxorit. Filmi i realizuar si një dialog me faraonët e projektuar mbi kolona dhe më pas në një amfiteatër antik na krijoi një gjëndje surreale. Ramsesi , Nefertari , Akenatoni dhe Nefertiti dukej sikur na flisnin e na drejtoheshin secilit me një zë të fortë, duke na treguar jo vetëm nëpërmjet efekteve por subjektit të sjellë në kohë nga skenaristët e filmave mes historisë dhe mitologjisë.
Këtu ndjemë dhe kuptuam se si Historia është një e vërtetë që me kalimin e kohës bëhet e gënjeshtërt dhe Mitologjia një sajesë që me kalimin e kohë bëhete e vërtetë.
- Artizanët e Alabastrës.
Po me të qeshura vijoi udhëtimi disa kilometra kur dolëm nga parku arkeologjik i Tebës në varret e mbretërve , në punishten e disa artizanëve të alabastrës. Na pritën me daulle e orkestër , tum na naja tum tum , ku u përfshimë në gdhëndjen e objekteve të artizanatit egjiptian.
Gërmuam baltën e gdhendëm gurin të shoqëruar me këngë gazi e hareje sipas traditës së tyre në lagjen e artizanëve.
Atje së bashku me gdhendësit e gurit të bardhë , u përfshimë dhe ne në vallen e afrikanëve të lumtur të cilët ndryshe nga ne evropianët jetojnë sot për sot.
Të themi të drejtën kishim lexuar diçka për zotat e Egjiptit dhe meqë ata i kishin koleksion të gjithë llojet, ne i përmendëm Hathorin dhe hyjneshën Mat ose “Mut” që njihet si zonja e pjellorisë.
Shitësi një djalë simpatik e i shëndoshë që kishte patur gjyshin punëtor në gërmimet me arkeologët francezë të kohës së Napoleonit , na u hoq si nip arkeologu në sallonin e ekspozimit për turistët. Ndërkohë që zbritëm një ose dy kate nën tokë me drita gjysëm të ndezura , na lanë në duar nga një statujë secilit të hyjneshave antike,që i zgjodhëm vetë dhe na thanë të mbyllnim sytë duke na premtuar se një mrekulli do të ndodhte nëse qëndronim pak çaste duke shprehur një dëshirë.
Aventura na thërriste dhe ne qëndruam pak kohë në këtë mbyllje mistike por pastaj kur menduam për çantat dhe besimet tona fetare tek një Zot u ngritëm të dalim.Tek dera shitësi u tregua insistues dhe për ato pak statuja që zgjodhëm na dha një çmim shumë të lartë për mundësit tona , kështu u larguam duke marrë si shenjë vetëm brumbullin e bardhë me emrat tanë të shkruar me kaligrafi dhe duke paguar diçka simbolike.
Kur pamë dhe në prapaskenë si ishin punët, ku qëndronin njerëz me aftësi për të hutuar turistët , qeshëm me njëri tjetrin , qortuam Ahmetin guidën tonë serioz e humorist , i zoti për të gjitha intrigat e vogla dhe nxituam drejt qytetit.
- Shëtitja me Pajton në lagjet e varfra. Beduini komik.
Në finale mu kujtua Çaplini dhe fjalët e tij të dashurisë drejtuar bijës në art Geraldinës : ” Sa herë të mos ndihesh mirë , dil të shohësh si jetojnë njerëzit në lagjet e varfra të qytetit dhe gjithë bota do të buzëqeshi.”
Vendosëm të marrim dhe ne një karrocë me kalë pavarësisht çmimit që ulej e ngrihej sipas aftësive të karrocierit për të fituar sa më shumë. Hymë nga lagjet e vjetra të Luksorit , dhe pamë shumë kalimtarë të veshur jo mirë , mungesë pastërtie , tymra mishrash të pjekur por mbi të gjitha lypja si dukuri nuk i takonte vetëm të varfërve por ishte shndërruar në art te mënyra e jetesës që egjiptianët praktikonin. Kjo shihej dhe në lagjet larg qendrës së Kajros , ku shumë nga shtëpitë dhe pallatet ishin brejtur e rrjepur nga koha si kala rëre , megjithëse kishte projekte investimesh në pritje.
Vite mëparë një kryetar Bashkie në Tiranën e diktaturës , kur erdhi nga Egjipti tha se do ta bënte si Kajron për ndriçimin e rrugëve. Sot ne themi se Kajron e Luksorin do ta bëjmë si Tiranë për riparimin dhe lyerjen e fasadave të harruara. Këtë ndjesi i shprehëm dhe guidave tona të një udhëtimi të gjatë disa javor. Karrocieri në vend të guidës na shpuri tek një dyqan çajrash ku zgjodhëm disa nga bimët kurative si trëndafilat afrikanë , guavën dher erëzat aromatike të temjanit e mirrës , kremëra dhe pomada kurative me bimë mjekësore që rriten vetëm në Afrikë.
Por njohja me një personazh si nëpër filma ishte i zoti i dyqanit Agarti një sozi egjiptiane e Çaplinit.
Ai i buzëqeshur , me një moskokçarje të fituar nga eksperienca na tregoi se gjithë jetën kishte shoqëruar karvanet në shkretëtirë dhe profesioni më i parë ishtë beduini. Pra takuam më në fund një beduin real me të cilin kaluam disa orë duke dëgjuar rrëfime nga shkretëtira dhe oazet e saj. Aktualisht Agarti jetonte në Milano dhe siduket atje vijonte shpërndarjen e kulturës së shitjes së çajrave.
Dolëm pastaj në qendrën e qytetit dhe provuam të marrim timonin e pajtonit , pra frerët e kalit. Arritëm të drejtojmë karrocën me kalë pak hapa , pastaj pas fotove të improvizuara me ndërhyrjen e guidës vijuam udhëtimin.
Ndaluam në një qendër tregtare dhe u ndalëm në katin e parë ku takuam artizanët e papiruseve. U intriguam bukur me këtë lloj mjeshtërie , ku e veçanta ishte tek papiruset fosforeshente që ndriçonin dhe në errësirë.
Buzëqeshja na u rikthye te kjo ekspozitë antiko moderne . Mbasi zbritëm pajtonin , bëmë dhe një shëtitje buzë lumit duke shijuar gjallërinë e njerëzve , romancën e anivejeve shëtitëse të ndalura , pedonalen e sapo rindërtuar.
Ardhjes për në Tiranë , gjatë ndalesës një ditore në Romë, kaluam dhe nga porta e Shën Palit ku ndodhet një piramidë mermeri modeste në rrugë nga e cila ka marrë dhe emrin zona Piramida. Mësuam se kjo piramidë i takonte Remit dhe Romulit , dy dardanëve nipa të Eneas , princit trojan që themeloi Romën. Kjo si për të ripohuar simfoninë e prejardhjes nga qytetërimi pellazgo ilir të piramidave.
Thonë se ai i cili pi ujë në lumin e Nilit mund të vijë dhe një herë për ta parë Egjiptin. Varkaxhiun e lumit më të njohur në Afrikën e Veriut e ritakuam kësaj here të dytë buzagaz jo në Kajro por në Luksor , dukej më i modernizuar në mjetin e lundrimit pas 16 vjetësh , në një barkë pak më të madhe e më të motorrizuar se e ajo me lopata dhe jo thjesht duke kënduar live tum nana , por me kasetofon e muzikë diskosh nga ato të 90-ës që kërceheshin më mirë akoma në lundrim. Patjetër që ne si çift vallëzuam në Nil , duke e ndjerë natën hyrjen në botërat e tingullit që frymëzon , ne zgjuam piktogramat me trajsen e gjuhës Shqipe .
Mbishkrimi i fshehtë i pashkruar ishte :
– “A teb di nisu” ose ” Asht në Tebë nisja ” , nga zbuluam se ishte formula e hapjes së portalit të botës së përtejme. Nga kjo perandori monumentesh si Egjipti , sollëm nga bota e të vdekurve , çelësin e jetës , pra të kalojmë nga qyteti ku flatronin shqiponjat e Mehmet Aliut në Tebën Antike deri në Tebën Epirotase ku gjallojnë bëmat e heronjve si Kadmi , Edipi , Erkuli. Sepse qytetërim do të thotë :
“Të thuash dhe të bësh Të Dua”.












