Nga Skënder Minxhozi
Ndërkohë që tiranasit u detyruan të lenë makinat dhe të ngushtojnë rrezen e lëvizjes për shkak të masave të sigurisë, me ardhjen e kryeministrit serb, një përplasje e dhunshme me armë i ka marrë jetën tre personave në bulevardin qëndror të kryeqytetit. Ishte një nga ato bejeta me armë mes të fortësh, të cilët janë qëlluar nga njëra makinë në tjetrën me kallashnikov. Nuk ka foto më shëmtuara dhe tronditëse, sesa trupat e të vrarëve që po bëjnë xhiron e internetit në këto minuta.
Tirana sot kishte veshur petkat e kryeqytetit te Ballkanit. Një gjysëm dyzine kryetarësh shtetesh e qeverish të rajonit, plus një forum ekonomik prestigjioz, kanë qenë në krye të axhendes së shtetit, aq sa kanë spostuar edhe “sportin” më të dashur kombëtar të shqiptarëve: fushatën elektorale!
Por krahas vezullimit të veshjeve protokollare në takimet me Vuçiç dhe shtetarët e tjerë, krahas kronikave televizive që flisnin për ngjarje historike në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, ku u përdorën plot fjalë të mençura e angazhime të mëdha, Tirana e rrugës, ofroi edhe një herë spektaklin e saj makabër, e patrazuar fare nga ajo që ndodhte në sallonet e diplomacisë. Tre vrasjet “ditën për diell” ndoshta nuk do të bëjnë të njëjtën zhurmë në media, me atë të një domateje apo veze “nacionaliste” të hedhur mbi limunzinën e Aleksandër Vuçiçit. Por janë sërish aty, që të na kujtojnë se para se të bëjmë histori me fqinjët dhe para se të shesim mend në shkallë ballkanike e europiane, duhet të rregullojmë disa punë banale këtu brenda. Siç është, për shembull, sigurimi i jetës së qytetarëve që shetisin fëmijët në një bulevard qëndror të Tiranës…









