Ka diçka më shqetësuese se vulgariteti i disa pankartave që shfaqen në protestat e fundit në Tiranë. Është njeriu që vendoset pas tyre!
Qytetarë të zakonshëm, njerëz të panjohur për publikun dhe persona që dukshëm vijnë nga shtresa vulnerabël, shfaqen me pankarta provokuese në duar. Fotografohen dhe më pas fotografitë e tyre përzgjidhen dhe hidhen në rrjetet sociale, ku përdoren për të prodhuar reagim, klikime dhe propagandë.
Tashmë është e qartë se fotografia ia arrin qëllimit deri diku, por çfarë ndodh me njeriun?
Ai mbetet aty, me fytyrë dhe identitet, përballë mijëra njerëzve. Teksa organizatorët-fotografë vjelin frytet e propagandës, qytetarit i mbetet ekspozimi.
Dhe këtu nis problemi i vërtetë. Disa prej figurave kryesore që promovojnë këto protesta, mes tyre edhe njerëz të medias e gazetarë të lidhur me organizata dhe projekte financimi i të cilave mbetet i dyshimtë, duket se kanë zbuluar një metodë propagandistike që në fakt është shumë më e vjetër se rrjetet sociale.
Është metoda e krijimit të “njeriut simbol”. Propaganda komuniste e përdori në mënyrë mjeshtërore dhe një nga rastet më të famshme ishte ai i Lei Fengut në Kinën e Mao Ce Dunit. Lei Feng ishte një ushtar i ri kinez që vdiq në vitin 1962, vetëm 21 vjeç, pas një aksidenti. Pas vdekjes, propaganda e Partisë Komuniste e ngriti në piedestal si modelin e qytetarit ideal: modest, vetëmohues dhe tërësisht besnik ndaj kauzave të partisë.
Njeriu real u bë pothuajse dytësor dhe rëndësi kishte imazhi i tij. Rëndësi kishte historia që ndërtohej rreth tij dhe se çfarë duhej të mendonte turma kur e shihte.
Edhe diktatura shqiptare e përdori të njëjtin mekanizëm, ndaj mesa duket protestuesit si shqiptarë në thelb mund ta kenë gjenetike këtë punën e shfrytëzimit të imazhit të “viktimës”.
Një nga simbolet e propagandës së kohës u bë Shkurte Vata, vajza 17-vjeçare që humbi jetën gjatë punimeve për ndërtimin e hekurudhës në Dushk të Lushnjes.
Regjimi e shndërroi atë në simbol të rinisë që sakrifikohej për ndërtimin socialist.
Por shqiptarët gjetën mënyrën e tyre për t’iu përgjigjur propagandës. Në mungesë të Facebook-ut, Instagramit dhe TikTok-ut, qarkullonin barcaleta për Pal Vatën, babain e Shkurtes. Ishte një mënyrë popullore për të përqeshur teprimin e propagandës zyrtare.
Sot nuk tregohen më barcaleta nëpër tavolina, por përfundon në meme duke u ekspozuar para mijëra qytetarëve.
Natyrisht, protestat e sotme në Tiranë nuk mund të barazohen me Kinën e Maos apo Shqipërinë e Enver Hoxhës. Por mekanizmi propagandistik ka një ngjashmëri që është e vështirë të mos vihet re. Merret një person i panjohur për publikun dhe mjafton të mbajë pankartën e diktuar. Mjafton fotografia “e duhur” dhe papritur ai bëhet “fytyra” e protestës.
Organizatorët dhe mbështetësit e shpërndajnë fotografinë. Ajo riciklohet në profile dhe faqe të ndryshme. Algoritmi e shumëfishon. Në pak orë, një njeri që deri dje nuk e njihte askush mund të jetë parë nga qindra mijëra persona. Por ekziston një ndryshim thelbësor mes propagandës së dikurshme dhe asaj të epokës së rrjeteve sociale. Propaganda e dikurshme kontrollonte edhe mënyrën se si paraqitej heroi i saj. Sot askush nuk kontrollon internetin!
Në momentin që fotografia publikohet, ajo u përket edhe atyre që duan ta përdorin për të tallur personin që ndodhet brenda saj. Dhe kështu “heroi” i prodhuar paradite nga propaganda e protestës mund të jetë viktima e bullizmit në mbrëmje.
Pra kush e mbron njeriun që mbante pankartën? Kjo është pyetja që organizatorët duhet t’i bëjnë vetes përpara se të publikojnë fotografinë e radhës. Apo qoftë edhe para se të shpërndajnë pankarta banale me humor “burgu” siç thonë shqiptarët. Sidomos kur përballë kanë njerëz vulnerabël.
A e kupton ky person se ku do të përfundojë fotografia e tij? A e di se do të shpërndahet në rrjetet sociale?A e kupton se një pankartë që mund t’i jetë dukur argëtuese për pesë minuta mund ta shndërrojë në objekt talljeje për ditë të tëra? Dhe mbi të gjitha, a e di se ajo pankartë mund të prekë dinjitetin e dikujt tjetër që nuk është aspak i gjetur fajtor nga drejtësia për pretendimet që kanë protestuesit?
Sepse ka një ndryshim shumë të madh mes pjesëmarrjes së lirë në një protestë dhe përdorimit të një qytetari si rekuizitë komunikimi.
Nëse i vendos një pankartë në dorë një personi vulnerabël, e fotografon dhe më pas e përdor fytyrën e tij për propagandën tënde në rrjetet sociale, nuk mjafton të thuash se ai ishte në një protestë publike. Ekziston edhe përgjegjësia njerëzore.
Nuk mund të mbrosh dinjitetin duke përdorur dinjitetin e tjetrit
Kjo bëhet akoma më paradoksale kur protagonistë të këtij komunikimi janë njerëz që flasin çdo ditë për të drejtat, dinjitetin, mbrojtjen e të dobëtit dhe standardet demokratike.
Sepse të drejtat e njeriut nuk fillojnë vetëm kur përballë ke qeverinë.
Fillojnë edhe kur përballë ke njeriun e zakonshëm.
Nëse kauza jote kërkon të mbrojë qytetarin, atëherë qytetari nuk mund të trajtohet si material marketingu.
Nuk mund të flasësh për dinjitet dhe njëkohësisht të ekspozosh njerëz që mund të mos jenë plotësisht të vetëdijshëm për përmasën që do të marrë fotografia e tyre.
Nuk mund të denoncosh bullizmin dhe pastaj të prodhosh vetë materialin me të cilin turma do të bullizojë një njeri.
Dhe mbi të gjitha, nuk mund të përdorësh shtresat vulnerabël si dekor të një kauze politike apo qytetare.
“Lei Fengët” e protestës së Flamingove
Kështu po lindin edhe “Lei Fengët” e protestës së Flamingove. Jo heronj për atë që kanë bërë, por personazhe për fotografinë që prodhojnë. Jo njerëz që publiku i njeh për kontributin e tyre, por fytyra që përzgjidhen sepse mbajnë pankartën e duhur në momentin e duhur. Dikur propaganda kishte nevojë për gazeta, radio, televizione dhe postera. Sot mjafton një smartphone.
Në fund të ditës, një protestë që pretendon se mbron qytetarin nuk mund ta përdorë qytetarin si rekuizitë. Pankarta hidhet në kosh pas protestës. Dinjiteti i njeriut jo!
/a.rada











