Shenasi Rama, një ndër themeluesit e Partisë Demokratike, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, ka komentuar vendimin e partisë më të madhe në opozitë për të mos marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare si dhe pasojat e mundshme që pritet të prodhojë ky vendim ekstrem.
Në kushtet e bojkotit të zgjedhjeve, për të cilat Rama është skeptik se mund të mbahen në 18 Qershor, ai parashikon tre fate të mundshme për Partinë Demokratike.
I pyetur për mundësinë e shfaqjes së një force të re politike, për shkak të boshllëkut që mund të lërë PD në skenën politike, Shenasi Rama thotë se në Shqipëri nuk ka parti dhe as ndarje ideologjike mes tyre, por ka vetëm sekte okulte, struktura interesash dhe grupe antishqiptare, që kontrollohen nga interesa të huaja. Megjithatë, sipas tij, pavarësisht se çfarë ndodh me PD, Shenasi Rama sheh nevojën e krijimit të një forca te re politike.
Ai thekson se e vetmja organizatë që ka një projekt serioz, profesional dhe të nivelit bashkëkohor për ndryshimin që duhet, është Bleta Shqiptare, duke iu referuar këtu Manifestit Politik, i ideuar nga veprimtarë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rama mendon se ky Manifest Politik, i prezantuar disa muaj më parë, në të gjitha qendrat kryesore urbane në Shqipëri, është alternativa e re për Shqiptarët.
-Z. Rama, Partia Demokratike, me emrin e të cilës lidhet vendosja e pluralizmit në Shqipëri, për herë të parë që nga themelimi, ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare. Si e parashikoni ju fatin e PD pas zgjedhjeve të 18 Qershorit?
Sipas të gjitha gjasave nuk duhet të ketë zgjedhje me 18 Qershor. Edhe po të mbahen zgjedhjet nga PS, nuk do të jetë vetëm PD që do t’i bojkotojë ato. Në momentin e fundit, PD-së, përveç koalicionit që ka sot, do t’i bashkëngjiten edhe partitë e tjera, përfshirë këtu edhe LSI-në. Askush nuk ka interes që në shtetin shqiptar të fitojë Rilindja e Edi Ramës që ata e konsiderojnë si rrezik për vdekje.
-Ç’mund të ndodhë me PD?
Kështu që, duke qenë në një udhëkryq historik, PD, në varësi të rrethanave, do të ketë tre lloj fatesh të ndryshme. Një, maksimalisht, që do të jetë në gjendje të kanalizojë e mbledhë rreth vetes opozitën. Dhe deri në një farë pike, sa kohë që PD nuk forcohet, dhe sa kohë që nuk lejon daljen e forcave të tjera politike që mund të bëjnë ndryshimin e duhur, iu shërben si LSI dhe PS. Këtyre iu duhet një opozitë e diskredituar dhe PD e luan shumë mirë këtë rol.
Por po u forcua PD, dhe po demostroi që ka forcën e duhur të nxjerrë njerëzit në rrugë e të mbledhë votat, mundet që të jetë edhe një herë parti qeverisëse në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të mbahen, në koalicion me LSI dhe më partitë e vogla, që do të marrin nga segmentet e PS, që nuk e pranojnë Rilindjen e Edi Ramës. Fati i dytë është që PD do të mbesë në opozitë dhe do të luajë atë rol që ka edhe sot. Fati i tretë është që PD mund të tkurret, por sërish e luan rolin që i kanë caktuar me kohë. Gjithsesi, në mungesë të një opozite të vërtetë, PD do të bëhet streha e shumëkujt, duke shtuar këtu edhe një pjesë të të pakënaqurve me Edi Ramën dhe me politikat e ndjekura nga sekti i tij.
-Në kushtet e një boshllëku të mundshëm që mund të lërë Partia Demokratike, e shihni ju mundësinë e themelimit të një partie të re, për t’u projektuar si opozita e nesërme?
Në shtetin shqiptar vetëm boshllëk nuk ka në politikë. Sepse në një vend ku nuk ka ekonomi, politika është ekonomia dhe nuk ka asnjë lloj vakumi që mund të jetë i pranueshëm. Megjithatë, realiteti është përcaktues. Së pari, në shtetin shqiptar nuk ka as parti të majta, as parti të djathta. Të gjitha strukturat politike janë lëmsh ideologjik dhe nuk kanë qartësinë e duhur në lidhje me pesë elementët që e ndajnë të majtën nga e djathta tradicionale evropiane: Shtetin, ekonominë, vlerat shoqërore, shërbimet dhe sigurinë kolektive.
Tek ne mund t’i quash partitë çfarë të duash, por nuk janë parti normale. Të gjitha partitë dhe strukturat që gëlojnë në shtetin shqiptar kanë projekte, mbajnë fjalime, hedhin slogane dhe përmendin numra, duke pranuar krizën ekzistuese, por duke mos ofruar asnjë zgjidhje të dobishme për shqiptarët. Këto parti e struktura, sekte e kulte, lidhje e shoqëri të fshehta nuk të thonë asgjë që duhet sepse në fakt, vetë partitë janë të kontrollueshme nga interesa jo shqiptare dhe të gjithë i ikin të vërtetës dhe përgjegjësisë.
-Po ndarja e majtë dhe e djathtë?
Kjo ndarje në të majtë e të djathtë është pjesë e krijimit të imazhit të rremë se këtu, me demek, po bëhet luftë ideologjike. Asnjë nga këto parti nuk e ka një program të menduar mirë, shtetformues, shërues, dhe që e vë shtetin dhe kombin shqiptar në binarët që duhet, d.m.th., të asaj që duhej të ishte projekti që iu shërben të gjithë shqiptarëve.
Mendësia e tyre është e varur nga përgatitja e kryetarëve, që shpesh janë profesionalisht e shtetarisht shumë e varfër, dhe të varur nga interesat që i mbështesin financiarisht apo nga elektorati i mundshëm të cilit i drejtohen dhe nga i cili kërkojnë votat. Mirëpo kjo është edhe rruga e dështimit. Mendësia e kryetarëve që kanë qenë në qeveritë e ndryshme, mendësia katudnare e popullit, interesat kriminale, edhe të sindikatave ndërkombëtare të krimit, dhe mendjengushtësia e njerëzve na kanë sjellë deri këtu. Kështu bëjmë të gjithë një vërë në ujë.
Një parti e re duhet të ketë udhëheqësi, ideologji, strukturë dhe një projekt të qartë politik që sheh me largpamësi se cila është e ardhmja më e mirë për shqiptarët. Mirëpo logjika që ndjekin këta është e ndryshme: Pa mbështetje popullore nuk ka parti, prandaj çdo parti që del dështon sepse në përpjekjen për të marrë vota, njerëzit nuk e kanë koherencën e duhur ideologjike, por iu kërkojnë të mbledhin vota dhe mbledhja e votave përkthehet si shumatore interesash.
Dhe kështu dështimi i tyre është i garantuar. Po ashtu, ne jemi një popull i vogël, me problematikë tjetër, dhe që na duhet të fillojmë nga një pikë të cilën popujt e tjerë e kanë kapërcyer me kohë: Ne na duhet të bëjmë edhe shtetin tonë, edhe kombin tone, dhe të ndërmarrim projekte që kërkojnë një formë bashkësie të dallueshme nga të tjerët. Kjo kërkon zgjidhje që shkojnë përtej të majtës e të djathtës, ashtu si kjo ndasi paraqitet në Evropë, ashtu edhe në këtë shfytyrimin që pësojnë në Tiranë. Pavarësisht asaj që ndodh me PD, nevoja e kohës është që ne të kemi një parti të tillë.
-Kush mund të jetë alternativa?
E vetmja organizatë që ka një projekt serioz, profesional dhe të nivelit bashkëkohor për ndryshimin që duhen dhe që është padyshim rruga e vetme e dobishme për shqiptarët është Bleta Shqiptare.
E prapë, ky program është i vetmi që as nuk përmendet, nuk diskutohet, nuk përflitet, mu sikur nuk ekziston. E pra, Manifesti Politik i Bleta Shqiptare është aty dhe aty do të jetë. Partitë si PD mund të marrin elemente të veçanta, siç bëri me protestat e kësaj here, por nuk e përvetësojnë dot Manifestin sepse fryma e tij, ata dhe të tjerët, i dënon me vdekje politike dhe që i zhduk nga faqja e shtetkombit shqiptar. Shkurt, nuk ka vakum, në çdo rast dhe çdo forcë e re politike duhet t’ia bëjë vetes vendin në përplasjen politike në shtetin shqiptar.
Por ata që ndjekin mendësinë e njerëzve, rregullat e lojës së parisë, dhe metodat e saj, janë të destinuar të dështojnë sepse këto nuk janë ndërtuar që t’iu shërbejnë shqiptarëve. Kush dëshiron që t’i shërbejë kombit të vet, duhet të niset me një ideologji e qartë, me një qëllim fisnik, me njerëz të bindur se duhet ndryshuar mendësia e popullit që të ndërrohet gjendja e tij. Dhe deri më tani e vetmja strukturë që po ecën në këtë rrugë, edhe pse një lidhje qytetare e jo një parti politike, është Bleta Shqiptare.
-A ka gjasa që Shqipëria të destabilizohet?
Shqipëria është një shtet thellësisht i destabilizuar. Pyetja duhet të jetë: A do të ketë destabilizim të mëtejshëm? Kështu kësaj pyetjeje i duhet dhënë përgjigje në tre nivele të ndryshme. Së pari, edhe në këtë pikë jemi një shtet thellësisht i destabilizuar për arsyet e mëposhtme. Shteti e ka humbur sovranitetin. Të huajt janë të pazotët të qeverisin e të kontrollojnë shtetin. Mafia është fuqizuar dhe tani ka dalë nga kontrolli i politikës dhe është duke bërë politikën. Ndasitë fetare, në neobizantine, neojeniçere, katolikocentrike, grekofile, turkofile, umetli, katundari të ndryshme dhe sekte e kulte të frikshme, janë thelluar e acaruar dhe kontrollohen me shumë vështirësi. Ndasitë rajonale, në veçanti ndarja në Toskë e në Gegë janë gjithashtu krejtësisht të qarta.
-Cili është roli i partive në këtë situatë që përshkruani?
Partitë politike janë thjesht banda politike, por që nuk kanë më rrënjë në popull. Strukturat politike janë thjesht xhambazë në bazë të interesave financiare. Interesat e fuqive të huaja që përplasen në Tiranë janë përcaktuese për politikat e shtetit. Mbi të gjitha ndasitë etnike janë duke dalë mbi sipërfaqe dhe politikat e ndjekura e kanë kthyer shtetin shqiptar në një shtet shumetnik dhe, në dhjetë vite, pasojat do të jenë shumë destabilizuese. Ekonomia është e kanabizuar dhe e kriminalizuar deri në palcë. Mungesa e vlerave, e përgjegjësisë shoqërore, e moralit të duhur e me radhë janë më shumë se të dallueshme dhe janë kthyer në plagë të qelbëzuara. Këtu luan si don derri e dosa e çdo interesi joshqiptar.
Kaq mjafton për me pasë shqetësimin më të thellë se shteti shqiptar është i destabilizuar. Së dyti, pra, pyetja është se a do të ketë destabilizim të mëtejshëm dhe përkeqësim të gjendjes. Pa dyshim që do të ketë destabilizim të mëtejshëm. Pavarësisht zgjidhjes së përkohshme të krizave të njëpasnjëshme, kemi arritur në një pikë ku përplasjet janë të paevitueshme. Ka një përplasje tektonike në nivelin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe shteti shqiptar është një dërrasë e krisur në një anije që duhet të funksionojë si duhet, por që tani fut ujë, dhe për anijen që të kryejë rolin e vet, kjo dërrasa e koalicionit, apo mandati ndërkombëtar, nuk mund të shtijë më ujë. Tjera është se ka një përplasje të pamohueshme në mes të grupimeve mafioze të parisë.
Tashmë të gjithë i kanë ustallarët e tyre jashtë vendit, por preferencat i kanë ndryshe. Lufta e tyre do të jetë jo më për ekuilibër midis palëve, por për jetë apo vdekje midis palëve. Gjatë këtyre viteve të fundit, ekuilibrat janë prishur dhe metodat e luftës në mes të klaneve mafioze nuk kanë qenë të mbështetura në mirëkuptimin se do të ketë përplasje por jo vrasje. Kobrat nuk luftojnë duke u kafshuar, por duke demonstruar forcën e tyre ndaj njëri-tjetrit.
-Në ç’kuptim janë prishur ekuilibrat?
Lojtarët që hynë në lojë nuk i respektuan rregullat e mafies tonë katundare dhe tani nuk ka ekuilibra që i bëjnë të pranueshëm edhe për të ardhmen. Më tej, politika është e ndarë nga populli dhe nga interesat e tij dhe ky fenomen është shumë i rrezikshëm sepse njerëzit janë lehtësisht të mobilizueshëm nga interesa të tjera. Për ta përmbledhur, sistemi që këta kanë ndërtuar është i destabilizuar dhe destabilizues në të gjithë drejtimet sepse kështu iu ka interesuar atyre që deshën që ta pronësojnë shtetin shqiptar, dhe të shkatërrojnë kombin shqiptar. Së treti, siç e kemi shpjeguar së bashku me kolegët e Bleta Shqiptare në Manifestin Politik, në këtë vend nuk bëhet asgjë për të adresuar si duhet rrënjët e të keqes dhe të destabilizimit.
Këtu ka pasur një keqkuptim të qëllimtë të shtetit, të kombit, të demokracisë, të tregut, të moralit shoqëror, të bashkësisë politike e juridike, por edhe morale e kombëtare. Pa u zhvilluar ky debat rreth themeleve të shoqërisë dhe të shtetit dhe pa u vënë në ekuilibrat e duhura përmes strukturave të duhura nuk do të ketë asnjëherë dalje nga kriza e thellë. Destabilizimi është dhe do të jetë gjithmonë i pranishëm dhe do të shkojmë nga një krizë tek tjetra pa gjetur zgjidhjen që duhet dhe që ne, si një lidhje qytetare mendojmë se e kemi dhënë tek Manifesti Politik I Bleta Shqiptare.