Shehi: Ulja e qepenit nga biznesi nuk është rruga e duhur, qeveria të korrigjojë strategjinë
Dashamir Shehi, deputet i PD-së, njëkohësisht edhe një nga figurat e spikatura të jetës politike në vend, vlerëson se formalizimi i biznesit është një hap pozitiv që duhet hedhur, por ai kundërshton formën që qeveria ka zgjedhur për ta formalizuar biznesin.
Në një prononcim për JAVANEWS, Shehi shprehet ka ardhur koha që disa gjëra në aspektin e formalizimit të bizneseve, në mënyrë që ato të veprojnë brenda kuadrit ligjor, duhen rregulluar. Por, sipas tij, gjërat duhen kapur nga “koka dhe jo nga bishti”. “Gjykoj se duhet filluar nga disa biznese të mëdha, të cilat nëse operojnë në kushte informale të bëhen shembull. Më pas procesi të zbresë shkallë- shkallë. Qeveria nuk po e kap “demin nga brirët, por nga bishti”. Nuk mendoj se në këtë proces ekzekutivi të kishte nevojë për forca ekstra, pasi ai ka kuadrin ligjor dhe instrumentat për ta formalizuar hap pas hapi biznesin”, shprehet Shehi.
Lidhur me reagimin e disa bizneseve informale që mbyllen qepenat për t’iu shmangur kontrolleve nga tatimet, Shehi shprehet se ky reagim nuk është mënyra e duhur e të vepruarit nga ana e këtyre bizneseve.
Sipas tij, ata që kanë probleme, sidomos bizneset e vogla, duhet të kërkojnë nga qeveria që të shtyhet afati kohor regjistrimit, në mënyrë që të kenë mundësi për regjistrim. “Mbroj parimin e formalizimit të biznesit. Nga ana tjetër gjykoj se disa lloj biznesesh që janë mjaft simbolike, me një aktivitet tregtarë thuajse të papërfillshëm dhe me natyrë sezonale të përjashtohen nga regjistrimi. Formalizimi iI biznesit duhet konceptuar si proces dhe jo si aksion. Sikundër procesi duhet të jetë shkallë- shkallë. Formalizimi të nisë nga bizneset e mëdha e më pas të zbres poshtë”, nënvizon Shehi për JAVANEWS.









