Deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj thotë se është tërhequr nga aksioni i PD-së pasi nuk është dakord me vendimet e opozitës.
I ftuar në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, Shehaj u shpreh se humbja në zgjedhjet lokale tregoi se nuk ishin zgjedhje demokratike, duke akuzuar mazhorancës në këtë aspekt, por nga ana tjetër theksoi se opozita nuk po ngjall besim te elektorati.
Blendi Fevziu: Pse nuk ke qenë aktiv gjithë këto kohë? Ka zëra që ka një tërheqje tënde? Sa është e vërtetë?
Agron Shehaj: Është e vërtetë.
Blendi Fevziu: Je zënë me njeri?
Agron Shehaj: Nuk ka asnjë hatërmbetje, nuk ka asnjë zënie, nuk jam absolutisht… Unë e mendoj ndryshe nga.. nuk jam dakord me vendimet që janë marrë këtë kohë.
Blendi Fevziu: Me cilat vendime?
Agron Shehaj: Dolëm nga zgjedhjet lokale me një rezultat që ishte zhgënjyes. Mazhoranca praktiksht kishte fituar 90% të bashkive. Humbën disa nga bashkitë më të rëndësishme. Ishte e qartë që ky rezultat tregon sa demokratik është ky vend. Kështu që të gjitha çështjet që ka ngritur opozita dhe drejtuesit e opozitës janë të drejta. Nga ana tjetër, është e qartë që ka një mungesë shprese dhe besimi do thoja nga ana e votuesve tanë. Unë arsyet e di. Ajo që unë propozoj është që ne të japim zgjidhje.
Blendi Fevziu: Cila është zgjidhja jote?
Agron Shehaj: Zgjidhja nuk mund të jetë mos bëjmë asgjë, nuk mund të bëjmë sikur nuk shikojmë, të bëjmë sikur me idenë se problemet do zgjidhen vetë. Duke ndjekur politikën e përditshme dhe aksionet e përditshme opozitare që janë të drejta, thjesht mendoj që ne duhet t’i japim elektoratit tonë një alternativë të besueshme.
Blendi Fevziu: Cila është?
Agron Shehaj: Kjo nuk është! Kjo që është nuk është.
Blendi Fevziu: Kë quan kjo që është?
Agron Shehaj: Asnjëra.
/a.r