Kryeministri belg Bart De Wever ka dhënë deklarata të forta mbi marrëdhëniet transatlantike dhe unitetin perëndimor, duke theksuar se Bashkimi Evropian mbetet një magnet për vendet që kërkojnë stabilitet, sundim të ligjit dhe respekt për demokracinë.
“Nuk ka askënd që dëshiron t’i bashkohet Shteteve të Bashkuara. Njerëzit duan të bashkohen me Bashkimin Evropian,” tha De Wever, duke shtuar se fuqia e BE-së qëndron te respekti për ligjin dhe diplomacia e matur.
Ai konfirmoi se SHBA mbetet aleat i Evropës, por theksoi se “duhet të sillet si aleat”. Sipas tij, mungesa e një qëndrimi të qartë përballë konflikteve globale dërgon sinjale të rrezikshme.
Duke iu referuar situatës së sigurisë, De Wever paralajmëroi se NATO po përballet me sfida serioze të brendshme. “Perëndimi nuk është i bashkuar dhe Vladimir Putin e sheh këtë ndarje,” u shpreh ai, duke nënvizuar se kërcënimet mes vendeve anëtare të NATO-s vetëm sa e inkurajojnë agresionin rus ndaj Ukraine.
Kryeministri belg rikujtoi edhe vlerat mbi të cilat, sipas tij, Perëndimi ndërtoi unitetin në vitet ’80: sovranitetin, demokracinë dhe lirinë. “Ideja që në një konflikt mes një tirani dhe një demokracie, SHBA thotë se nuk do të mbajë anë, është diçka që Putin e vëren,” përfundoi ai.
Deklaratat e De Wever vijnë në një moment tensioni të shtuar ndërkombëtar, ku uniteti perëndimor shihet si faktor kyç për stabilitetin dhe sigurinë në Evropë.










