Shtetet e Bashkuara po përgatisin një luftë kundër Rusisë në fushëbetejën e Sirisë, duke vendosur dhjetëra avionë në bazën ajrore të Incirlikut të Turqisë, shkruan sot portali dixhital kanadez, “Global Research”.
Avionët janë të llojit F-15C dhe janë të dizenjuar për luftë në ajër dhe, sipas autorit të artikullit, gazetarit hulumtues, Erik Zuesse, misioni i këtyre avionëve është që të jenë të gatshëm për të luftuar kundër avionëve të ngjashëm rusë që operojnë në këtë vend arab me kërkesë të Qeverisë së Damaskut, transmeton Republika.info.
Me fjalë të tjera, presidenti Barak Obama po ia tërheqë vërejtjen homologut Vladimir Putin që, nëse nuk do një luftë kundër Shteteve të Bashkuara, duhet ta lë fushatën ajrore të forcave të tij ajrore kundër objektivave të Shtetit Islamik në tokën siriane, shton Zuesse.
Eksperti thotë se gjatë Luftës së Ftohtë, situata ndërkombëtare nuk ka qenë aq “e nxehtë” sa është situata aktuale, përpos Krizës së Tetorit ose asaj të raketave në Kubë në vitin 1962.
Megjithatë, kësaj here është ndryshe, sepse Putini i kërkoi Uashingtonit disa herë që të bashkëpunojë në luftën kundër fundamentalistëve, tërheqë vërejtjen autori.
Obama sheh pak më larg dhe, jo vetëm që kundërshtoi bashkëpunimin e kërkuar nga Moska, porse ai e urdhëroi Kremlinin që t’i ndalë operacionet kundër ISIS-it, dhe se është i gatshëm të luftojë kundër Rusisë nëse është e nevojshme, me qëllim që të eliminojë Qeverinë e Bashar Al Assadid, shton Zuesse.
Autori thotë se nëse ndodhë një konfrontim ndërmjet avionëve të dy fuqive, atëherë do të krijohej një situatë me pasoja katastrofave, përfundon ai.
Nga 30 shtatori i këtij viti, Forcat Ajrore ruse kanë ndërmarrë një fushatë ajrore kundër objektivave të fundamentalistave në tokën siriane, me kërkesë të Qeverisë së Damaskut.
Nga ana tjetër, koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara po udhëheqë sulmet ajrore në Siri që nga shtatori i vitit 2014, dhe atë, pa lejen e autoriteteve të këtij vendi, të cilat po e akuzojnë Uashingtonin për ndihmë ndaj bandave të armatosura që po tentojnë me dhunë ta rrëzojnë presidentin Al Assadin.
Pak ditë më parë, Obama urdhëroi edhe dërgimin e Forcave të Operacioneve Speciale në veri të Sirisë, me pretekstin se do t’i ndihmojnë grupet e kurdëve që luftojnë kundër ISIS-it.