I nominuari për Kryeministër nga partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar sot Pejën në kuadër të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, ku ka folur me banorët për problematika të ndryshme.
Haradinaj ka folur për marrëdhëniet me ndërkombëtarët si dhe ka shpjeguar para tyre programin qeverisës. Kryeministri në detyrë theksoi se amerikanët nuk zemërohen nëse Kosova është e vendosur që ta realizojë shtetin 100%, por përkundrazi ata i gëzohen këtij fakti.
‘Sa i përket marrëdhënieve me aleatët, është të jemi 100% shtet. Amerika në bazë të asaj për çfarë ne qëndrojmë, ata e zhvillojnë politikën dhe raportin e saj me ne. Na nuk i idhnojmë ata, na i gëzojmë ata kur i themi që jemi për shtet 100%’, ka thënë në Pejë Haradinaj.
Haradinaj ka theksuar se më mirë është me dhënë dorëheqje një kryeministër se sa ta dëmtojë interesin kombëtar. Ai tha se qeveria e tij do t’i përkushtohet zhvillimit ekonomik, me fokus në sektorin privat.
‘Nëse një kryeministër e mbron vetëm veten, bëhen dëme të paparashikueshme për shtetin. Në të ardhmen duam të zhvillojmë ekonominë, sektorin privat me e zhvilluar. Sektori publik është rehatuar mirë, kemi Ligj për Paga, kemi paga të rritura. Po duam që ta thjeshtëzojmë burokracinë’, ka thënë kryeministri në detyrë Haradinaj. /l.m











